Monedha e përbashkët, euro ka pësuar një rënie të fortë në këmbim me lekun në tregun e brendshëm duke shënuar sot vlerën e 137.9 lekëve me një ulje 0.33 pikë në krahasim me një ditë më parë.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë euro ka shënuar nivelin më të ulët të këmbimit që nga korriku i vitit 2013.
Agjencitë e këmbimit i lidhin rënien e sotshme të euros me rënien e saj në tregjet ndërkombëtare pas ndikimit nga sulmet terroriste të Parisit.
Një euro ra sot në tregun ndërkombëtar me 0.8 për qind në këmbim me dollarin duke kushtuar 1.06 USD.
Por agjentet e këmbimit valutor pohojnë se, rënia në tregun shqiptar po ndikohet edhe nga faktorë të brendshëm që lidhen me kërkesën.
Kërkesa për valutë në këtë periudhë nuk është e lartë, por nga ana tjetër ata citojnë një arsye tjetër që dobësoi papritur euron. Bankat e mëdha po mbajnë pozicione të hapura valutore (sipas ligjit të Bankës së Shqipërisë mund t’i mbajnë të tilla deri në një muaj) në përpjekje për të zhvlerësuar euron, për ta blerë më pas atë lirë, teksa kanë marrë pjesë në ankandin për blerjen e eurobondit prej 300 milionë eurosh që emetoi qeveria pak ditë më parë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.