Suning çon edhe Bundesligën në Kinë. Pas marrëveshjes për Ligën Spanjolle dhe Premier League, kompania kineze, e cila zotëron pjesën më të madhe të aksioneve të Interit, ka arritur një marrëveshje për blerjen e të drejtave televizive të kampionatit gjerman.
Siç bën të ditur Kicker, Suning do të shpenzojë rreth 250 milionë dollarë për të drejtat televizive të Bundesligës në pesëvjeçarin 2018/2023. Thuhet se në mesin e muajit mars, Christian Seifert, shefi ekzekutiv i Ligës gjermane, ka shkuar në Nanjing (Kinë) për të mbyllur marrëveshjen, duke ua bërë të ditur zyrtarisht të 36 klubeve të Bundesligës dhe Bundesligës 2 në një takim më 28 mars.
Kontrata pritet të nënshkruhet në maj, kur Suning do të bëhet zyrtarisht partner mediatik i Bundesligës, duke zënë vendin e CCTV për transmetimin e Ligës Gjermane në Kinë. Vetë Seifert, i cili ka komentuar lajmin, javët e kaluara ka deklaruar se “500 milionë tifozë në Kinë ofrojnë mundësi shumë të rëndësishme për klubet tona”.
Kampionati gjerman në këtë mënyrë do të transmetohet në Kinë nga platforma PPTV, në të cilin Suning është aksionerja më e madhe që nga shtatori i vitit 2013, me 44 për qind të kuotave. Kështu Bundesliga i bashkohet Premier League (për të cilën Suning shpenzoi 660 milionë euro) dhe La Ligës Spanjolle.