Zbulohen detaje të rëndësishme nga hetimi i vjedhjes së 713 milionë lekëve në Bankën e Shqipërisë. Sipas burimeve nga Prokuroria, nuk është e vërtetë që supervjedhja u zbulua nga drejtuesit e Bankës. Ka qenë vetë Ardian Bitraj, i cili nga frika e auditit të brendshëm që pritej të kryhej në Bankë, e rrëfeu vetë atë. Ndërkaq Banka ka dorëzuar në prokurori vetëm procesverbalin e mbajtur nga auditi, por prokuroria e ka cilësuar atë të pamjaftueshëm dhe ka kërkuar materiale për 4 vitet e fundit, në mënyrë që të zbulojë mekanizmin e kryerjes së kësaj vjedhjeje.
Ndërkaq 6 punonjësit e Bankës së Shqipërisë, të arrestuar orët e fundit, janë marrë në pyetje. Ata akuzohen se përmes veprimeve dhe mosveprimeve të tyre krijuan mundësi për vjedhjen parave nga Thesari i Bankës së Shqipërisë. Orët e fundit u vunë në pranga me urdhër të gjykatës së Tiranës shtetasit Petrit Ramohitaj, përgjegjës i arkës ne veprim ne Departamentin e Emisionit në Bankën e Shqipërisë, Liljana Tusha, specialiste e arkës ne veprim, Lavdim Cani, specialist i arkës stok pranë Departamentit të Emisionit në Bankë, Myzejene Belba, specialiste e arkës stok pranë të njëjtit Departament, si dhe Dhimiter Davidi, vëzhgues-operator, pranë departamentit të sigurimit dhe mbrojtjes ne Banken e Shqipërisë.
Të premten u arrestua bashkim xhilaga përgjegjës i arkës ne veprim dhe stok. Prokuroria e Tiranës pretendon se Ardian Bitraj dhe Mimoza Bruzia, kanë mundur të kryejnë lehtësisht vjedhjen për shkak të mosrakordimit të kartëmonedhave që hynin dhe dilnin nga sportelet, detyrë kjo e punonjësve të arkës. Prokuroria e Tiranës që ka bërë këqyrjen e kamerave të sigurisë, ka konstatuar se vëzhguesi-operator i ka parë veprimet e Ardian Bitrajt, që mbushte thasë plastikë me kartëmonedha në magazinën e stokut dhe nuk ka raportuar, Por gjatë marrjes në pyetje të akuzuarit kanë mohuar dijeninë e tyre lidhur me vjedhjen.
Për të hyrë në magazinën e stokut, përdoren tre çelësa, që duhet të mbaheshin nga përgjegjësi Ardian Bitraj si dhe dy specialistë, por të tre çelësat janë mbajtur nga i pandehuri Ardian Bitraj, dhe asnjëherë nuk janë vendosur në kasafortë. Për vjedhjen e vlerës së 713 milionë lekëve, sikundër u bë e ditur nga auditi i Bankës së Shqipërisë, është vënë nën akuzën e moskallëzimit të krimit dhe nipi i Ardian Bitrajt, Klevis Bejtaj, i cili dyshohet se ka qene qenë në dijeni të veprimtarisë kriminale. Bordi mbikëqyrës shkarkoi nga dy detyra dy drejtore te bankës, Dorian Çollaku drejtor i Emisionit të Monedhës si dhe Eduard Sinani, drejtor i departamentit të sigurisë.
“Bitraj kishte marrë informacion që do bëhej auditi, dhe ndaj ka rrëfyer vetë. Ky version për Prokurorinë nuk është i besueshëm, ndaj dhe ka nisur hetimi. Të martën do kërkohet raporti i auditit për 4 vitet e shkuara. Ditën e nesërme do jepet dhe masa e sigurisë për 6 të arrestuarit.”-informon për News24, gazetari Spartak Koka.
Sa i takon supervjedhjes së Bankës së Shqipërisë, pritet të ketë arrestime të reja. “Deri tani këta 6 persona nuk e kanë pranuar akuzat e tyre. Por duke nisur nga materialet e Prokurorisë, nga kamerat e sigurisë duket se ata kanë pasur përgjegjësi sa i takon vjedhjes së BSH-së. Pritet që të këtë arrestime të tjera dhe urdhra arrestesh të tjera gjatë mbrëmjes së sotme. Pavarësisht shkarkimit të dy drejtorëve, nuk ka asnjë informacion konkret. Duhet të kemi dhe persona të tjerë, që janë të implikuar.”-përcjell gazetari Koka, i ftuar në rubrikën “Opinion”, në News24.
Merren në pyetje për më shumë se 2 orë 6 punonjësit e arrestuar
Për më shumë se dy orë, 6 punonjësit e arrestuar që implikohen për vjedhjen e Bankës së Shqipërisë janë marrë në pyetje. Sipas informacioneve, mësohet se policia ka marrë në pyetje dhe të arrestuarit e orëve të fundit.
Prokuroria e Tiranës ka dorëzuar në Gjykatë dhe fashikujt për personat e arrestuar, ndërkohë po sot janë pyetur dhe nëpunës të tjerë të Bankës së Shqipërisë.
Mbrëmjen e djeshme, me anë të një urdhër arresti nga Gjykata, u bë e mundur dhe arrestimi i 6 punonjësve të Bankës, të cilët akuzohen se kanë shpërdoruar me detyrën. Ndërkohë, Mimoza Bruzia dhe Ardian Bitraj mbahen në Policinë e Tiranës. Klevis Bejtaj, i njohur si nipi i Bitrajt, është kapur nga kamerat teksa e priste te Thesari. Në sajë të një urdhri të nxjerrë nga gjykata mbrëmjen e së mërkurës, u bë e mundur dhe arrestimi i tij, i cili implikohet si bashkëpunëtor dhe akuzohet për moskallëzim krimi.
Supervjedhja e BSH-së, 9 të arrestuar
Shkon në 9 numri i personave të arrestuar për grabitjen e 713 milionë lekëve në Bankën e Shqipërisë. Pas arrestimit të Ardian Bitrajt dhe Mimozia Bruzias në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, kanë vënë në pranga edhe gjashtë persona të tjerë të implikuar në çështjen e vjedhjes së lekëve në bankë.
Sot në mëngjes u arrestua Bashkim Xhilaga përgjegjës i arkës në veprim dhe Stok.
Rreth orës 22:30, në prangat e policisë është vënë Petrit Ramohitaj, me detyrë përgjegjës i Arkës në Veprim, në Departamentin e Emisionit në Bankën e Shqipërisë; Liljana Tusha, me detyrë specialiste e Arkës në Veprim, pranë Departamentit të Emisionit në Bankën e Shqipërisë; Lavdim Cani, me detyrë specialist i Arkës Stok (tranzit) pranë Departamentit të Emisionit në BSH; Myzejen Belba, me detyrë specialiste e Arkës Stok (tranzit) pranë Departamentit të Emisionit në BSH; dhe Dhimitër Davidi, me detyrë vëzhgues-operator, pranë departamentit të Sigurimit dhe Mbrojtjes në Bankën e Shqipërisë. Arrestimet e tyre janë bërë me urdhra gjykate, të nxjerrë pasditen e djeshme. Ndërkohë, në sajë të një urdhri të nxjerrë nga gjykata mbrëmjen e së mërkurës, është vënë në pranga edhe personi i tetë i implikuar në supervjedhje, Klevis Bejtaj, i njohur si nipi i Ardian Bitrajt.
Sipas Prokurorisë së Tiranës, të arrestuarit akuzohen për “shpërdorim detyre”, pasi nëpërmjet veprimeve dhe mosveprimeve të tyre kanë krijuar mundësi për vjedhjen e një sasie të konsiderueshme parash në një ambient të Bankës së Shqipërisë.
Roli
Organi i akuzës pas vjedhjes në BSH, ka krijuar bindjen se vjedhja, për të cilën janë arrestuar Bitraj dhe Bruzia, është kryer lehtësisht edhe për faktin se punonjës të tjerë që kanë pasur detyrë për të rakorduar kartëmonedhat që hynin dhe dilnin nga sportelet përkatëse, nuk kanë kryer detyrën e tyre. Shkelja e kryer prej këtyre punonjësve u konstatua edhe nga këqyrja e pamjeve të kamerave të sigurisë që gjenden në ambientin ku ka ndodhur vjedhja. Duke u nisur nga përgjegjësitë e punonjësve të bankës, është dalë në konkluzionin se detyra e punonjësve të Arkës në Veprim, siç është rasti i të arrestuarit Petrit Ramohitaj, me detyrë përgjegjës i Arkës në Veprim, por edhe i specialistes në këtë arkë, siç ishte Liljana Tusha, është të rakordojnë çdo ditë gjendjen e sportelit të tyre dhe të koordinohen me kontrollorin mbikëqyrës, gjë që pas hetimeve rezulton se ky rakordim nuk është kryer si duhet dhe nuk është kryer për një kohë të gjatë, dhe kjo ka sjellë vjedhjen e shumës së madhe të parave nga Departamenti i Emisionit në BSH.
Gjithashtu, sipas burimeve nga prokuroria, detyra e punonjësve të Arkës Stok është që të ndjekin lëvizjen e vlerave monetare nga sportelet tek magazinat, si edhe të kryejnë rakordime periodike. Por, është vërejtur edhe se për të hyrë në magazinën e stokut, përdoren tre çelësa, të cilët mbahen nga një çelës për tre punonjës, përgjegjësi, i cili ishte Ardian Bitraj dhe dy specialistët, që në rastin konkret ishin Lavdim Cani dhe Myzejem Belba. Por, organi i akuzës ka vërejtur se këta tre çelësa janë mbajtur të gjithë nga Bitraj, i cili më pas ka kryer veprimtarinë kriminale të vjedhjes. Po ashtu, specialistët e Arkës Stok kanë pasur për detyrë që, në përfundim të ditës së punës, këta çelësa t’i vendosnin në një kasafortë. Por ky detyrim nuk është përmbushur dhe në kohë të ndryshme, këta çelësa janë mbajtur nga përgjegjësi i Arkës Stok, Ardian Bitraj. Nga ana tjetër, edhe i arrestuari tjetër, Dhimitër Davidi, me detyrë përgjegjës për sigurinë në BSH, ka pasur si detyrë që
të mbikëqyrë kamerat e sigurisë dhe të raportojë për çdo anomali, gjë që nuk është bërë.
Pasi Prokuroria e Tiranës ka këqyrur kamerat e sigurisë, ka rezultuar se vëzhguesi-operator i ka parë veprimet e Bitrajt, i cili mbushte thasë plastikë me kartëmonedha në magazinën e Stokut, dhe nuk e ka raportuar. Sipas organit të akuzës, i pandehuri kryesor në këtë çështje, pasi i merrte paratë me thasët plastikë, shkonte në tualetet e ndërtesës dhe paratë i fshihte në trup, poshtë rrobave.
Raporti
Burime jozyrtare nga organi i akuzës bëjnë me dije se mëngjesin e së enjtes, është tërhequr raporti i Auditit të Brendshëm të Bankës së Shqipërisë. Në raportin përfundimtar të bankës përcaktohet se shuma e vjedhur është 713 milionë lekë. Veç kësaj, në këtë raport përcaktohen qartë edhe lëvizjet që janë bërë në bankë, përfshirë këtu edhe qarkullimin e parave, se sa para kanë hyrë dhe kanë dalë nga banka për katër vjet. Ndërkohë, mësohet nga burime të njëjta se, pas analizimit me kujdes të këtij raporti, do të merren në pyetje afro 10 punonjës të Auditit, të cilët do të japin llogari se përse këta katër vjet nuk ka dalë në asnjë raport se në bankë mungonin lekët, pse nuk ka funksionuar sistemi i sigurisë ashtu siç duhej, si dhe për shumë paqartësi të tjera. Ndërkohë hetimet vijojnë dhe ditët në vijim mund të ketë zhvillime dhe arrestime të tjera për këtë çështje.
/Balkanweb
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.