Flet Lukas Nam, përfaqësues i “Yura Corporation” për Shqipërinë
Kompania koreane, “Yura Corporation:, e cila pas një zvarritje 2-vjeçare arriti të marrë autorizimet dhe kontratën e qirasë 1 euro me qeverinë shqiptare, synon që të hapë fabrikën e parë në Fier brenda 2019-s me 516 të punësuar.
Përfaqësuesi i saj për Shqipërinë, Lukas Nam, në një intervistë për “Monitor” nënvizon se, nëse gjithçka ecën sipas planit, kompania do të zgjerohet në dyfishin e planit fillestar brenda dy viteve, duke e çuar numrin e të punësuarve mbi 1000.
“Yura Corporation” synon që të prodhojë 200 mijë copë sisteme kabllore në vit për klientët e saj KIA dhe “Hyundai”. Përfaqësuesi i kompanisë vlerëson se Shqipëria duhet të bëjë ndryshime serioze në sistemin e saj për nxitjen dhe zhvillimin e investimeve të huaja.
“Yura” ka tashmë një kontratë me qeverinë shqiptare, a mund të na jepni disa detaje lidhur me kompaninë, vlerën e investimit, numrin e punonjësve që do të keni në fazën tuaj të parë?
Kompania “Yura Corporation” është një kompani koreane e njohur si prodhues i sistemeve kabllore dhe produkteve të tjera të ngjashme për makinat. Aktualisht “Yura” ka një fokus të veçantë tek angazhimi i burimeve në kërkime inovatore dhe zhvillimin e teknologjive që mundësojnë gatishmërinë për ndryshimet e së ardhmes dhe shpërndarjen e teknologjisë më të re për partnerët tanë. Në Europë dhe Afrikë, kompania ka një prani në të paktën 7 vende si Sllovaki, Çeki, Poloni, Serbi, Shqipëri, Marok dhe Tunizi me të paktën 13 mijë punonjës në total.
Zgjerimi më i fundit është menduar në Shqipëri dhe investimi fillestar do të jetë 6.5 milionë euro dhe do të punësohen 516 punonjës me kontratë.
Cilat janë planet në afatmesëm dhe afatgjatë për investimin dhe punësimin?
Ne do të donim që të kishim fabrikën e parë në Fier brenda vitit 2019. Nëse ky investim fillestar është i suksesshëm, do të zgjerojmë fabrikën e Fierit me dyfishin e punësimit dhe investimit brenda dy viteve.
Çfarë do të prodhojë kompania në Shqipëri saktësisht dhe volumi i planifikuar i prodhimit në fillim?
Do të prodhohen dy lloj sisteme kabllore për KIA dhe Hyundai motor. Volumi i prodhimit do të jetë rreth 200 mijë pjesë në vit.
Pse zgjodhët Shqipërinë, cilat janë disa nga avantazhet që ju shihni këtu?
Së pari, zgjidhje më të mira logjistike për të plotësuar kërkesat e konsumatorit.
Së dyti, fuqi më e mirë punëtore. Kjo në krahasim me vendet e Afrikës së Veriut si Tunizia apo Maroku, ku ne kemi fabrika prej kohësh. Këto vende kanë kosto më të ulët të fuqisë punësonte, por klientët tanë kanë preferuar që të afrohen në Shqipëri.
Sigurisht 516 vende të reja pune të hapura menjëherë është një shifër e konsiderueshme. A mendoni se do ta keni të lehtë ta gjeni këtë forcë punëtore në zonën ku do të zhvilloni aktivitetin që është Fieri dhe a keni programe trajnimi?
Që në fillim, ne kemi shpresuar që do të kemi mundësi të gjejmë një forcë të mirë punëtore në zonën e Fierit. Kompania ka menduar që të përfshijë edhe trajnimet në axhendën e saj. Ato do të zhvillohen në Shqipëri dhe kryesisht nga trajnues koreanë specifikisht në çdo sektor dhe për një periudhë deri në tre muaj.
Pak kohë më parë, në një intervistë tonën në nëntor ju ishit skeptik në lidhje me investimin në Shqipëri duke konfirmuar se mund të tërhiqeshit për shkak të zvarritjes së procesit. Sot që flasim, a do ta sugjeronit Shqipërinë si një destinacion për investitorët e huaj?
Shpresoj që sistemi juaj për zhvillimin dhe nxitjen e investimeve të huaja të përmirësohet dhe duhet të përmirësohet. Ishte shumë e vështirë për ne si kompani të merrnim lejen. Kam shpenzuar më shumë se dy vite me këtë çështje në Shqipëri. Nëse nuk zgjidhet, ky do të jetë një kusht frenues shumë serioz për investitorët e huaj që duan të vijnë në Shqipëri.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.