Qeveria është angazhuar këto kohë me projekte autostradash, aeroportesh e portesh, por institucionet ndërkombëtare financiare po orientojnë gjithmonë e më shumë financimet e tyre për ekonomitë lokale. BERZH është e fundit që deklaroi se, bashkë me BE-në, po hartojnë një projekt me vlerë 100 milionë euro për rritjen e konkurrueshmërisë së sektorit të turizmit në Shqipëri. Drejtori i kësaj banke në Shqipëri, Matteo Colangeli, nënvizon mes të tjerash se agroturizmi është një potencial real i Shqipërisë ku do të angazhohen fonde dhe se vendi ynë duhet t’i rezistojë tundimit të mbindërtimit në zonat turistike, duke ruajtur autenticitetin
Në kohën kur vëmendja e qeverisë është në projekte si autostrada, aeroporte dhe porte, institucionet financiare ndërkombëtare po e orientojnë vëmendjen tek ekonomitë lokale. Kjo nuk e përjashton angazhimin e tyre për projekte të tjera kyçe, por të paktën tre nga projektet e fundit, në një vlerë të konsiderueshme mbi 200 milionë euro, kanë në epiqendër pjesën lokale. Logjika se fillimisht duhen rregulluar gjërat e vogla dhe më pas ato të mëdha po përvijohet dalëngadalë. Ai që hapi siparin me këtë fokus ishte projekti i Zhvillimit të Integruar Urban dhe Turizmit në rajonin e Jugut i Bankës Botërore, me një vlerë totale investimi prej 71 milionë dollarësh.
Marrëveshja mes qeverisë dhe Bankës Botërore do të nënshkruhej në dhjetor të vitit 2016, për t’u bërë efektive më 30 prill 2017. Në rishikimin e fundit të implementimit që i takon shkurtit të këtij viti, pjesa e disbursuar ishte shumë më e vogël, me një vlerë prej vetëm 1.95 milionë dollarësh, apo 2.7% të totalit. Një pjesë e mirë e punëve kishin nisur në shkurt, siç janë Rehabilitimi i Shkallëve në Sarandë dhe rruga “Mihal Komneno” në Berat.
Projekti për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turizmin
Katër bashki janë të përfshirë në këtë projekt duke përfituar nga komponentët e parashikuar për secilin ku, mes të tjerave, Bashkia e Sarandës, Përmetit, Beratit dhe Gjirokastrës. “Objektiv i këtij projekti është përmirësimi i infrastrukturës urbane, rritja e aseteve turistike dhe forcimi i kapaciteteve për zhvillimin e ekonomive lokale të lidhura me turizmin në disa prej zonave të përzgjedhura në Jug të Shqipërisë.
Komponenti i parë që lidhet me përmirësimin urban dhe ndërhyrjet në infrastrukturë në disa prej bashkive të përzgjedhura, duke përgatitur studime fizibiliteti dhe projektime (përfshirë studime projektimi urbane), punë ndërtimore për të restauruar ndërtesat e përzgjedhura të trashëgimisë, përmirësimin e hapësirave publike, rrjeti rrugor, infrastruktura e lidhur me to dhe mbikëqyrja e punimeve”, – përcakton projekti i Bankës.
Komponenti i dytë, sipas të dhënave të Bankës Botërore, lidhet me përmirësimin e pikave turistike ku investimet do të synojnë përmirësimin e të gjitha pikave turistike përgjatë korridorit jugor turistik të Shqipërisë. Ndër të tjera, përfshihet restaurimi i aseteve të përzgjedhura kulturore të trashëgimisë, duke krijuar pika pushimi dhe vrojtimi, riparimi dhe përmirësimi i infrastrukturës në këto site, siç janë shtigjet për këmbësorët, përgatitja e studimeve të nevojshme të fizibilitetit, planet e menaxhimit të siteve, dizajnimi inxhinierik dhe mbikëqyrja e punëve ndërtimore.
Së treti, është komponenti i lidhur me tregun e turizmit dhe zhvillimin e produkteve që synon të forcojnë kapacitetin e bashkive, për të dhënë shërbimet vendore, ndër të tjera, sigurimi i sistemeve të menaxhimit të aseteve, sistemet e informimit gjeografik pajisjet e mbledhjes së mbetjeve të ngurta, krijimi i kapacitetit të menaxhimit të siteve për të përmirësuar funksionimin e aseteve të rehabilituara. I fundit është komponenti për konsulencën që synon të japë mbështetje gjatë gjithë zbatimit, duke përfshirë monitorimin dhe sistemet e vlerësimit, si dhe trajnimet.
Rrugët lokale, 50 milionë dollarë të tjera
Shqipëria ka sot në total një gjatësi të rrjetit rrugor prej 15 mijë kilometrash, nga të cilat 12 mijë kilometra konsiderohen si rrugë lokale. Në këtë grup ka tre nënndarje bazuar në ndërlidhjen që siguron secila prej tyre. Banka Botërore, më herët, ka financuar një projekt për rrugët lokale dhe së fundmi ka vendosur të shtojë këtë pjesë me 50 milionë dollarë të tjera. Në fakt, projekti që qeveria paraqiti pranë Bankës Botërore tregonte se, nga një bilanc i bërë më herët, të paktën 15 rrugë me një gjatësi totale prej 200 kilometrash kishin nevojë për ndërhyrje. Kjo pjesë projekti u harmonizua, edhe me nismën e qeverisë për “100 fshatrat”. Në total, kostoja për ndërhyrjen në këto akse është 109 milionë dollarë, me përfitues direkt 251 mijë banorë, po që Banka Botërore do të financojë vetëm 50 milionë dollarë.
Aktualisht, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, që do të jetë edhe njësia zbatuese e projektit, është në faza konsultimesh me banorët e zonave që preken nga zbatimi i projektit, që janë Fier-Seman me një gjatësi 18.2 kilometra, me një trafik ditor prej 3562 mjetesh, Pogradec-Tushemisht, me gjatësi 4 kilometra dhe me një trafik ditor prej 955 mjetesh në ditë dhe Qafë Thore-Theth, me gjatësi 16 kilometra dhe me trafik ditor mesatar prej 1091 mjetesh.
“Projekti i shërben, në mënyrë të drejtpërdrejtë, rreth 80 mijë banorëve në këto zona. Kostoja mesatare e investimit është diku tek 600 dollarë për banor. Projekti do të lidhë komunitetet rurale me qendra të rëndësishme ekonomike, që ndodhen afër tyre, që është një aspekt i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të këtyre zonave”, – thuhet në dokumentin e Bankës Botërore.
I parë sipas komponentëve përbërës, projekti parashikon në komponentin e parë një financim në vlerën 47.03. Ky komponent do të financojë rehabilitimin e rrugëve prioritare rajonale, në një pjesë të mirë të bashkive. Kumulativja e kilometrave, ku do të ndërhyhet, shkon në të paktën 80 kilometra gjatësi. Përzgjedhja e tyre, sikurse raporton Ministria për Financat dhe Ekonominë, do të mbështetet në disa kritere dhe do të marrë në bazë ndërlidhjen mes fermave dhe tregjeve, duke marrë në konsideratë politikën ekonomike, duke optimizuar mundësitë dhe ndikimin mes tregjeve ushqimore dhe qendrave të agroturizmit.
Komponenti i dytë ka vlerë prej 0.85 milionë dollarësh dhe fokusohet te ndërtimi i kapaciteteve në bashkitë e përzgjedhura të këtij projekti. Kjo do të përfshijë trajnime, ndërtimin e sistemeve të monitorimit, si dhe skema pilot për mirëmbajtjen e rrugëve që janë nën administrimin e vendorëve.
Komponenti i tretë ka një vlerë prej 2 milionë dollarësh dhe do të shkojë në funksion të mbështetjes së zbatimit dhe menaxhimit.
Argoturizmi merr vëmendjen e munguar
Pikat e agroturizmit, deri më sot, në vend janë trajtuar si ishuj, ku zhvillimi është bërë i pambështetur nga ndonjë politikë specifike mbështetëse e qeverisë. Së fundmi, ky sektor përmendet si nga Banka Botërore ashtu edhe nga BERZH, për potencialin e zhvillimit që mbart. Jo rastësisht këtë sektor, qeveria vendosi që së fundmi ta trajtonte me një paketë fiskale lehtësuese më vete, e cila hyn në fuqi më 1 janar 2019. Por cilat janë në fakt lehtësitë që përfiton ky sektor.
Së pari, tatimfitimi. Në ndryshimet ligjore që tashmë kanë kaluar të gjitha hallkat e miratimit përcaktohet se “për personat juridikë, të cilët zhvillojnë veprimtari agroturistike të certifikuar si ‘agroturizëm’, bazuar në ligjin nr.93/2015, ‘Për turizmin’, dhe vendimin e Këshillit të Ministrave që miraton kriteret për certifikimin e veprimtarisë së agroturizmit, shkalla e tatimit mbi fitimin është 5%.
Norma e reduktuar e tatimit mbi fitimin 5%, e parashikuar sipas këtij paragrafi, aplikohet për një periudhë 10-vjeçare për ato struktura, të cilat përfitojnë statusin ‘subjekt i certifikuar agroturizmi’ deri në dhjetor 2021”. Efektet e normës së reduktuar fillojnë në vitin pasardhës pas përfitimit të statusit “subjekt i certifikuar agroturizmi”.
Së dyti lidhur me taksat vendore, subjektet që kanë në objekt aktivitetin e agroturizmit dhe që janë certifikuar sipas kushteve ligjore, nuk paguajnë taksë infrastrukture.
Së treti, lidhur me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar këto subjekte do të trajtohen me shkallë të reduktuar 6%, e cila do të aplikohet për furnizimin e shërbimit të akomodimit, restorantit, të ofruar brenda strukturave në të cilat zhvillohet veprimtari pritëse e certifikuar si “agroturizëm”. Nga kjo përjashtohet vetëm pjesa e furnizimit të pijeve, të ofruar në këto struktura. Edhe kjo pikë hyn në fuqi në 1 janar 2019, sikurse pjesa tjetër e paketës mbështetëse.
Çfarë ka në proces nga projekti për turizmin
– Mbikëqyrja e dizajnimit dhe ndërtimit të pikave të vrojtimit përgjatë zinxhirit të Jugut të Shqipërisë
– Konceptimi i përmirësimit urban në bashkitë Berat dhe Përmet
– Shërbime konsulence për përgatitjen e kërkimit të tregut dhe zhvillimit të një produkti turistik dhe strategjie tregu për Jugun e Shqipërisë dhe katër bashkitë e përfshira.
– Konceptimi i përmirësimit urban në Bashkinë e Gjirokastrës
– Dizajnimi i detajuar dhe mbikëqyrja e punimeve në Sarandë
– Anketa dhe mbledhja e të dhënave për vlerësimin afatmesëm dhe final të projektit
– Menaxhimi i siteve, plane të përvojës së vizitorëve në sitet Zvërnec – Narta & Ujërat Termale në Bënja
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.