Por, BSH pranon se kredia informale po ndikon negativisht në rritjen e kërkesës për kredi pranë bankave në tremujorin e dytë të vitit. …
Standardet e kredidhënies u lehtësuan gjatë tremujorit të dytë të vitit 2014, si për bizneset ashtu edhe për Individët, raporton Banka e Shqipërisë. Sipas rezultateve të vrojtimit të aktivitetit kreditues, bankat shprehen se i kanë lehtësuar standardet e kredisë dhënë korporatave të mëdha, bizneseve të vogla dhe të mesme, për financimin e kapitalit qarkullues dhe për investime. Lehtësimi i standardeve të kredisë dhënë bizneseve në total, për herë të parë që prej tremujorit të parë të vitit 2011, përbën një kthesë pozitive drejt lehtësimit të politikës kredidhënëse të bankave. Për kredinë dhënë individëve, bankat vijuan t’i lehtësojnë standardet, për të tretin tremujor rresht, si për blerje banese ashtu edhe për financim të konsumit.
Faktorët kryesorë që ndikuan lehtësimin e standardeve të kredisë dhënë bizneseve dhe individëve janë politika lehtësuese e Bankës së Shqipërisë, niveli i likuiditetit si dhe konkurrenca në sistemin bankar. Gjendja financiare e individëve, ecuria e kredive me probleme dhe zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme kanë ndikuar në kahun shtrëngues të standardeve. Në të njëjtin kah, por në shkallë më të ulët krahasuar me tremujorët e mëparshëm, ka ndikuar dhe situata makroekonomike.
Kushtet e përdorura nga bankat në zbatimin e politikës lehtësuese në tremujorin e dytë të vitit kanë qenë; ulja e marzhit mesatar, ulja e komisioneve dhe zgjatja e maturitetit maksimal për kreditë dhënë për bizneset dhe për individët. Nga ana tjetër, marzhet për kreditë me rrezik kanë vazhduar të rriten, duke reflektuar një politikë prudente të bankave.
Kërkesa për kredi, bazuar në perceptimin e ekspertëve të bankave, është rritur ndjeshëm gjatë tremujorit në analizë nga të gjithë llojet e klientëve, duke dhënë sinjale pozitive për rigjallërim të aktivitetit ekonomik në tremujorin e dytë të vitit. Rritja e kërkesës është diktuar kryesisht nga nevoja për financimin e kapitalit qarkullues për bizneset dhe financimin e konsumit për individët.
Pritjet e bankave për tremujorin e tretë të vitit 2014 janë optimiste; standardet e kredidhënies pritet të lehtësohen dhe kërkesa të rritet, kryesisht për individët. Bankat shprehen më pak optimiste në pritjet e tyre për bizneset.
Kredia për bizneset
Standardet e Kredisë: Në tremujorin e dytë të vitit 2014 standardet e kredisë dhënë bizneseve u lehtësuan për herë të parë pas 12 tremujorësh. Pas një periudhe të gjatë shtrëngimi, balanca neto2 e përgjigjeve të bankave u rrit me 11.2 p.p. krahasuar me tremujorin e kaluar. Ky përmirësim është kryesisht rezultat i lehtësimit të standardeve të kredisë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Standardet për kredinë dhënë korporatave në tremujorin e dytë të vitit u lehtësuan në një shkallë më të ulët krahasuar me ndërmarrjet e vogla. Balancat përkatëse u përmirësuan respektivisht me 24.6 p.p. dhe 8.9 p.p. Për sa i përket qëllimit të përdorimit të kredisë, standardet janë lehtësuar si për kredinë e dhënë për investime ashtu edhe për kredinë e dhënë për financimin e kapitalit qarkullues.
Faktori me kontributin kryesor në lehtësimin e standardeve gjatë tremujorit të dytë të vitit ka qenë politika lehtësuese e ndjekur nga Banka e Shqipërisë. Në të njëjtin drejtim ka ndikuar edhe niveli konkurrencës dhe i likuiditetit të sistemit bankar. Nga ana tjetër, ecuria e kredive me probleme, problemet specifike të sektorit ku zhvillon aktivitetin e tij biznesi dhe situata makroekonomike në vend kanë vijuar edhe gjatë këtij tremujori të ndikojnë në kahun shtrëngues të standardeve të kredidhënies për bizneset.
Politika lehtësuese e bankave gjatë tremujorit të dytë të vitit 2014 është realizuar kryesisht nëpërmjet uljes së marzhit mesatar, uljes së komisioneve dhe uljes së kërkesës për kolateral në raport me madhësinë e kredisë. Nga ana tjetër, rritja marzhit për kreditë me rrezik e aplikuar nga bankat ka ndihmuar për zbatimin e një politike shtrënguese të kreditimit për tremujorin e dytë të vitit.
Kërkesa për kredi. Në tremujorin e dytë të vitit 2014 kërkesa është përmirësuar ndjeshëm, krahasuar me tremujorin e kaluar. Përqindja neto e bankave të cilat kanë perceptuar një kërkesë të rritur shënon vlerën 11.7% nga -9.7% në tremujorin e kaluar. Për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme kërkesa është rritur në një masë më të madhe se për korporatat.
Faktori kryesor në nxitjen e kërkesës për kredi në tremujorin e dytë të vitit 2014 ka qenë nevoja për financimin e inventarëve dhe të kapitalit qarkullues. Kushtet e kreditimit të aplikuara nga vetë bankat, politika lehtësuese e Bankës së Shqipërisë si dhe situata makroekonomike në vend kanë ndikuar në rritje, por në një shkallë më të ulët në tremujorin në analizë. Ekzistenca e burimeve alternative të financimit kanë ndikuar negativisht në rritjen e kërkesës për kredi pranë bankave në tremujorin e dytë të vitit.
Kredia për individë
Standardet e kredisë. Në tremujorin e dytë të vitit 2014, ekspertët e kredisë në banka shprehen për vijimësi të lehtësimit të standardeve të kreditimit për individët. Përqindja neto e bankave që shprehen për lehtësim të standardeve rezultoi +16.9%, nga rreth 3.1% që ishte në vrojtimin e mëparshëm. Gjithashtu, niveli aktual i lehtësimit të standardeve të kredisë për individët është në linjë me pritjet e shprehura nga bankat për tremujorin e dytë të vitit 2014 në vrojtimin e mëparshëm. Sipas qëllimit të përdorimit të kredisë, standardet u lehtësuan si për kredinë konsumatore ashtu dhe për atë me qëllim financimin e blerjes së banesës. Balancat përkatëse shënuan vlerat +22.5% dhe +15.5%, nga +6.5% dhe -9.6% në tremujorin e mëparshëm. Prirja lehtësuese e standardeve të kreditimit për individët pritet të vijojë edhe përgjatë tremujorit të tretë të vitit 2014, si për standardet për kreditë për blerje banese ashtu dhe për ato për financim të konsumit.
Faktorët kryesorë që ndikuan në kahun lehtësues të standardeve të kredidhënies për individë gjatë tremujorit të dytë të vitit 2014 ishin: vendimet e Bankës së Shqipërisë, niveli i konkurrencës në sistemin bankar dhe zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme. Nga ana tjetër, faktorët që dhanë kontribut në kahun shtrëngues të standardeve të kredisë dhënë individëve vijojnë të mbeten edhe gjatë këtij tremujori: gjendja financiare e individëve, niveli i huave me probleme dhe mjaftueshmëria e kapitalit të bankës.
Politika lehtësuese e standardeve të kredisë dhënë individëve u zbatua kryesisht nëpërmjet ngushtimit të marzhit mesatar të kredive, zgjatjes së maturitetit maksimal të kredisë dhe uljes së komisioneve. Nga ana tjetër, zgjerimi i marzhit për kreditë me rrezik dhe rritja e kërkesës për kolateral janë ndër kushtet që vijojnë të ndikojnë në zbatimin e një politike shtrënguese të kreditimit.
Kërkesa për kredi. Kërkesa e individëve për kredi vijoi të vlerësohet në rritje nga bankat përgjatë tremujorit të dytë të vitit 2014, ku balanca përkatëse shënoi vlerën 10.2%. Sipas qëllimit të përdorimit të kredisë, bankat raportojnë kërkesë në rritje për kredinë konsumatore, për të pestin tremujor radhazi. Pas tre tremujorësh vlerësim në rënie, kërkesa për kredi me qëllim financimin e blerjes së banesës rezultoi në rritje në tremujorin e dytë të vitit 2014. Balanca përkatëse rezultoi +1.2% nga -8.7% në tremujorin e mëparshëm. Ekspertët bankarë presin që ecuria pozitive e kërkesës për kredi nga individët të vijojë edhe në tremujorin e tretë të vitit 2014.
Të gjithë faktorët e konsideruar ndikuan pozitivisht në kërkesën për kredi të individëve. Ndër to, nxitësit kryesorë të kërkesës vijojnë të jenë kushtet e kreditimit të aplikuara nga banka, nevoja e familjarëve për të financuar konsumin dhe blerjen e banesës, zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme.
Aktiviteti kreditues sipas monedhës
Për tremujorin e tretë vitit 2014, aktiviteti kreditues pritet të rritet disi si në monedhën vendase ashtu dhe në valutë. Në të njëjtën kohë, ekspertët bankarë presin rënie të normave të interesit për kredinë në lekë dhe në valutë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.