Parlamenti i Serbisë riemëroi Guvernatoren e Bankës Qendrore, Jorgovanka Tabakoviç, një aleate e ngushtë e Presidentit, Aleksandar Vuçiç, në një mandat të dytë gjashtëvjeçar.
Ligjbërësit nga koalicioni qeverisës, i udhëhequr nga Partia Progresive Serbe (VSS) e Vuçiç, mbështetën Tabakoviçin me 142 vota. Pjesa tjetër e deputetëve në Parlamentin me 250 vende nuk ishin të pranishëm në votim.
Edhe më parë gjatë këtij muaji, Vuçiç e propozoi Tabakoviçin duke thënë se ajo kishte arritur rezultate në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik.
Një ish-anëtare e Partisë Progresive Serbe, znj. Tabakoviç u emërua fillimisht në postin e Guvernatores së Bankës Qendrore të Serbisë në gusht të vitit 2012 pas dorëheqjes së paraardhësit të saj, Dejan Soskic.
Ajo pritet të mbajë në nivele të qëndrueshme monedhën vendase, dinar, kundrejt euros, si dhe të mbajë inflacionin në nivele të ulëta në 2.1%, brenda objektivit të caktuar nga banka prej 3%. Inflacioni në muajin prill arriti në 1.1%.
Në fillim të këtij muaji, banka vendosi të mbajë normën e saj bazë në 3%, duke pasur parasysh inflacionin e ulët dhe ecurinë pozitive ekonomike të vendit.
Znj. Tabakoviç, 58 vjeç, lindi në qytetin e Vushtrrisë në Kosovë, ish-provincën jugore të Serbisë dhe u diplomua në ekonomi në Universitetin e Prishtinës. Ajo gjithashtu ka qenë lektore në këtë universitet, si dhe ka punuar si bankiere në Kosovë. Si anëtare i Partisë Radikale Serbe ultranacionaliste, znj. Tabakoviç ka qenë pjesë e kabinetit qeveritar nën drejtimin e ish-liderit serb, Slobodan Millosheviç, para largimit të tij në tetor të vitit 2000.
Kur radikalet u ndanë në vitin 2008, znj. Tabakoviç iu bashkua Partisë Progresive Serbe, në atë kohë e drejtuar nga ish-Presidenti, Tomisllav Nikoliq. Pasi Parlamenti e miratoi znj. Tabakoviç në krye të Bankës Qendrore Serbe, kursi i këmbimit të dinarit ndaj euros mbeti i pandryshuar në tregun ndërbankar, në 118.13 dinarë për euro.