Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për bashkëpunimin në transmetimin e energjisë. Udhëheqësja e dialogut, Edita Tahiri tha se kanë arritur edhe marrëveshje për zgjerimin e Marrëveshjes për lëvizjen e lirë duke përfshirë kalimin për qytetarët e Kosovës në Aeroportin e Beogradit dhe Nishit si dhe për kalimin transit përmes Serbisë në vendet e treta ku përfshihen shtimi i pikëkalimeve kufitare për Kroaci dhe Hungari dhe hapja e pikëkalimeve kufitare për Bullgari, Rumani dhe Maqedoni.
“Zbatimi i kësaj marrëveshje do të realizohet brenda dy muajsh, ndërsa prej datës 22 shtator 2014 qytetarët e Kosovës mund të shfrytëzojnë aeroportin e Beogradit për udhëtime transiti. Ndërkaq ishte vlerësim i përbashkët se zbatimi i marrëveshjeve në fushën e doganave është duke ecur mirë, për të cilën edhe Bashkimi Evropian bëri vlerësime pozitive”, thotë Tahiri.
Sipas një komunikate për media, thuhet se është sa i takon telekomit, ende nuk kanë arritur të përfundojmë planin për zbatim, duke qenë se kanë mbetur edhe disa gjëra për tu sqaruar në ditët në vijim.
Tahiri, marrëveshjen për energjinë e vlerëson si një arritje në dobi të qytetarëve dhe stabilitetit energjetik rajonal, si dhe sipas saj, do të vihet rendi dhe ligji në pjesën veriore të vendit duke i dhënë fund operatorëve ilegal që kanë vepruar deri më tani në fushën e energjisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.