Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, zhvilloi një takim ditën e sotme me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të kryesuar nga z. Jan Kees Martijn, Shefi i Misionit për Shqipërinë.
Sipas njoftimit të Bankës së Shqipërisë, ky takim u zhvillua në kuadër të diskutimeve për Artikullin IV me misionin e FMN-së në vendin tonë.
Çështjet e diskutuara gjatë këtij takimi ishin: zhvillimet makroekonomike, pritshmëritë për vitin 2019 dhe periudhën afatmesme, faktorët e rritjes ekonomike; inflacioni dhe parashikimet për kthimin e inflacionit në objektiv; kursi i këmbimit dhe ecuria e tij; tregjet financiare; sistemi bankar, konsolidimi i tij dhe treguesit financiarë, mbikëqyrja bankare; ecuria e kreditimit dhe parashikimet për 2019; kreditë me probleme, zbatimi i planit ndërinstitucional për reduktimin e tyre dhe masat që po ndërmerren në këtë drejtim, pritshmëritë për 2019; paketa e deuroizimit dhe masat përkatëse; modernizimi i sistemeve të pagesave.
Në ditët në vijim, misioni i FMN-së do të zhvillojë takime me drejtues të lartë pranë Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë me qëllim diskutimin më në detaje të çështjeve të ndryshme lidhur me ecurinë e ekonomisë së vendit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.