Arkëtimet buxhetore nga taksa e ndërtesës shënuan rritje dyshifrore gjatë periudhës 8-mujore, duke arritur mbi 3.5 miliardë lekë nga 2.8 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Pjesa më e madhe e njësive të reja vendore pas heqjes së taksës së biznesit të vogël, e cila ishte burimi kryesor i të ardhurave nga burimet e tyre, rritën në mënyrë të ndjeshme tarifat dhe taksat e tjera të shërbimeve në fillim të këtij viti.
Por arkëtimet nga kjo taksë u rritën për shkak se tani, Bashkia e Tiranës, më e madhja në vend, e vjel atë nga faturat e ujit. Pagesa e disa taksave bashkë me faturën e ujit i ka rritur me 47% të ardhurat nga taksimi i pronave.
Bashkia e Tiranës bëri reformën më të madhe në këtë drejtim, duke taksuar edhe banesat e pashitura që gjenden në inventarët e kompanive të ndërtimit.
Qeveria, përmes paketës fiskale të 2016, ka ndryshuar taksat për banesat, si dhe shitblerjen e pronësisë.
Taksa për shitblerjen e pronës ka ndryshuar, e kategorizuar me ndryshime mes qyteteve, shifrën më të madhe e ka në prona të pozicionuara në Bashkitë e Tiranës dhe Durrësit. Kjo taksë, tashmë është 1000 lekë/m² për ndërtesa banimi. Ndërsa, për ndërtesa për të ushtruar aktivitet tregtar, kjo taksë shitje bëhet 2000 lekë/m².
Një taksë tjetër është edhe ajo mbi truallin ku është vendosur që të paguhet në katër nivele sipas kategorizimeve të rretheve. Këto nivele taksash janë nga 5600 lekë/ha në 4200 lekë/ha, në 2800 lekë/ha dhe 1400 lekë/ha. Ndërsa për vitin që vjen, qeveria synon të vërë në zbatim të paktën për Tiranën, taksimin për ndërtesat sipas çmimeve reale të tyre, bazuar një kadastër dixhitale.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.