Bizneseve kanë nisur t’u dalin në sistem taksat e reja të Bashkisë, të cilat kapin shifra deri në 100 mijë lekë.
Sipas një fature të bërë publike nga një biznes në Tiranë, taksa e faturuar nga Bashkia e Tiranës për zënien e hapësirës publike arrin shifrën e 97,500 lekë (shiko faksimilen e faturës më poshtë).
Këtë vit, tarifa e zënies së hapësirës është shumëfishuar. Me ndryshimet e fundit, nga 1 janari, i njëjti biznes do të paguajë:
-taksën e hapësirës, 1500 lekë për metër katror (nga 150 lekë për metër katror që ishte më parë)
-taksën për tavolinat, 2500 lekë për tavolinë në muaj, një tarifë e re kjo.
Në sistem, bizneseve, kryesisht bar kafe u kanë dalë vetëm taksat e zënies së hapësirës. “Përveç 10-fishimit të taksës së hapësirës, duhet të paguajmë dhe një taksë prej 2500 lekë në muaj për tavolinë, çka është absurde pasi ne paguajmë një herë sipërfaqen për zënien e hapësirës”, thotë iliri që menaxhon me qira një lokal në zonën e Komunës së Parisit dhe shfrytëzon një hapësirë anash pallatit, duke mos zënë asnjë pjesë trotuari. Sipërfaqja është rreth 40 metra katror, që i duhet të paguajë 60000 lekë në muaj, ndërsa për tavolinat, bashkia llogarit një tavolinë për 3 metra katror, pra 13 tavolina me një total takse prej 32500 lekë. Në këtë mënyrë, vetëm taksa e zënies së hapësirës dhe ajo e tavolinave shkon mbi 90 mijë lekë në muaj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.