Guvernatori i Bankës Qendrore të Rumanisë tha në një deklaratë për shtyp se vendosja e një takse të re (të pastudiuar mirë) do ta bënte politikën monetare më pak efikase, shkruan Reuters.
Të gjithë analistët e pyetur nga Reuters prisnin që Banka Qendrore ta mbante normën e interesit në 2.5%. Guvernatori Mugur Isaresku tha se inflacioni do të mbetet pak më poshtë kufirit të objektivit të mësipërm, në 1.5-3.5% dhe se perspektiva e vitit 2019 dukej e qetë.
Megjithatë, “një taksë surprizë” e aseteve financiare të bankave të paraqitura nga qeveria socialdemokrate nëpërmjet dekretit emergjent në fund të dhjetorit, do të ndikojë në vendimet e politikës monetare, tha ai. Bankat do të paguajnë një taksë progresive prej 0.1-0.5% të aseteve nëse normat e tregut të parasë do të tejkalojnë 2%. Detyra kryesore e Bankës Qendrore është të mbajë inflacionin në nivele të ulëta, duke ruajtur stabilitetin financiar. Por çdo lëvizje e mundshme për të ulur inflacionin ose rrjedhjen e kapitalit, për të parandaluar një dobësim të monedhës vendase, do të çonte në një rritje të normave të tregut dhe rrjedhimisht, edhe të nivelit të taksave, të cilat do të dëmtonin bankat dhe do të ndikonin në stabilitetin e politikës monetare.
“Nuk është pavarësia e bankës ajo që do të ndikohet, por efikasiteti dhe fleksibiliteti i politikës së saj monetare”, tha z. Isaresku në konferencën për shtyp. Ai tha se banka është ende e befasuar nga një “marrëzi” e tillë dhe shtoi se ekspertët e saj janë duke punuar për vlerësimin e ndikimit të lëvizjes në fjalë. Ai shtoi se si një komb i tërë, “ne do të humbasim disa avantazhe të jashtëzakonshme”.
“Inflacioni është nën kontroll, normat e interesit nuk u rritën dhe ne vazhdojmë të kemi rritje ekonomike dhe një kurs këmbimi relativisht të lirë dhe të qëndrueshëm. Duhet shumë kohë që të fitohet besimi i njerëzve dhe në sajë të një mase të pamenduar mirë, gjithçka mund të prishet shpejt”, vazhdoi ai.
Politikëbërësit e rritën normën kryesore me tre herë, rreth 75 pikë bazë, ku rritja e saj më e fundit ka qenë në maj të vitit 2018.
Që atëherë, ajo ka kontrolluar likuiditetin në treg përmes ofertës repo dhe asaj të depozitave, të cilat kanë ndihmuar në mbajtjen e normave të tregut pranë nivelit të referencës. Inflacioni vjetor ra në 3.4% në nëntor të 2018. “Ne parashikojmë që norma e politikës monetare të mbetet e pandryshuar në 2.5% në vitin 2019, meqenëse rritja ekonomike do të ngadalësohet dhe presionet inflacioniste do të lehtësohen”, u shpreh një analist i Bankës Qendrore të Rumanisë.