Taksa e sheshtë: çfarë ofron?

13/11/2007 00:00 0 komente
taksa e shehte

Nga Ekonomikus

Për të gjykuar drejt dhe saktë mbi të ashtuquajturën “Taksë e sheshtë” ose 10% tatim mbi fitimin (sepse në fakt sipas ligjit “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” është tatim), është e domosdoshme të bëhet sqarimi se çfarë përfaqëson në vetvete ky lloj tatimi. Në literaturën profesionale (saktësisht në Kodin Bazë Botëror të Tatimeve ose Basic }orld Tax Code), tatimi mbi fitimin njihet si tatimi korporativ që, në fakt, nuk është gjë tjetër por tatim mbi të ardhurat nga fitimi neto që sigurohet nga zbritja prej fitimit bruto (diferenca e cila rezulton nga zbritja që i bëhet kostos së blerjes, ose çmimit të blerjes nga çmimi i shitjes) shpenzimeve që bën biznesi deri në çmimin e shitjes së mallit ose shërbimit. Më konkretisht, në rastin e importimit hipotetik të një malli, supozojmë se vlera doganore [sipas terminologjisë së legjislacionit doganor të supozuar = koston e mallit (100 lekë) + vlerën e tarifës doganore 20% (20 lekë)] e mallit të importuar është 120 lekë. Mbi këtë vlerë doganore zbatohet TVSH në masën 20%, ose 100 lekë herë 20% = 24 lekë. çmimi i mallit të zhdoganuar që bëhet hyrje në magazinën e tatimpaguesit = 144 lekë. Për magazinimin e këtij malli, tatimpaguesi bën shpenzime për transportin e mallit nga dogana në magazinë, shpenzime për magazinimin, ndriçimin, ujin, ngarkim – shkarkimin, pagat e të punësuarve etj. = 26 lekë duke arritur një çmim shitjeje = 170 lekë mbi të cilin zbaton 20% TVSH (170 lekë herë 20%) = 34 lekë, duke formuar çmimin e shitjes me shumicë (170 + 34) = 204 lekë. Në zbatim të ligjit për TVSH, shumat e TVSH-sw 34 lekë në shitje dhe 24 lekë në blerje mbahen në llogari më vete, sepse tatimpaguesi i mbledh këto para dhe është i detyruar t’i dërgojë në llogarinë e buxhetit të shtetit. Shuma prej 50 lekë, ose diferenca 170 – 120 është fitimi bruto, nga i cili duhet të zbriten shpenzimet që kryen biznesi nga çasti i zhdoganimit deri në çastin e shitjes së produktit të importuar. Gjithnjë sipas supozimit, këto shpenzime kapin shumën 26 lekë, ndërsa diferenca 50 – 26 = 24 lekë përfaqëson fitimin neto, i cili nuk është gjë tjetër veçse fitimi para tatimit. Ky është pikërisht çasti kur duhet të fillojë arsyetimi: çfarë është në të vërtetë tatimi mbi fitimin ose tatimi korporativ. Në rast se kemi parasysh se asnjë produkt nuk mund të krijohet pa bashkimin e kapitalit (ndërtesa, mjete transporti, para) me punën e gjallë të të punësuarve, atëhere çdo gjë bëhet mëse e qartë: tatimi mbi fitimin nuk është gjë tjetër, por një përqindje mbi fitimin e krijuar si rezultat i fitimit të krijuar nga bashkimi i kapitalit me punën e gjallë. Pra, në këtë kuptim, derisa ky tatim nuk merr në konsideratë sa për qind është kontributi i kapitalit dhe sa për qind është kontributi i punës së gjallë, mund të konsiderohet si tatim që heq një “thelë” nga “torta” e fitimit, që sigurohet nga shitja e produktit. Kalimi nga 20% në 10% e tatimit mbi fitimin siguron një kursim prej 2.4 lekë për tatimpaguesin nga 4.8 lekë që ai paguante më parë (24 lekë herë 20% = 4.8 lekë), çka perceptohet si një mundësi më e madhe financiare për biznesin për të investuar, ose për të rritur pagat.

 
Tatimi mbi të ardhurat personale

Për çdo punëmarrës është e qartë se paga që ai merr, në dorë të parë, përbëhet nga paga nominale (shuma e përgjithshme që figuron në listë, – pagesë minus zbritjet e pagesave për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe tatimin mbi të ardhurat personale, që në kuptim të Taksës së Sheshtë është (duke zbritur bazën prej 10 000 lekë) 10% mbi diferencën që mbetet. Pra siç shihet qartë, tatimi mbi të ardhurat personale (në rastin e punëmarrjes tatimi mbi pagat e punës) tatohet dy herë: së pari, si “thelë” e fitimit nga shitja e produktit dhe së dyti, nga të ardhurat nga paga e punës. Në rast se një pjesë e këtyre të ardhurave depozitohet me interes në bankë, me maturimin e të ardhurave nga interesi (supozojmë me 6% në vit) tatohen përsëri me 10%. Po ashtu tatohet çdo e ardhur që sigurohet nga shitja e shërbimeve teknike, profesionale, artistike dhe të tjera të këtij lloji. Përsa i përket të ardhurave nga kapitali (duke mos përfshirë atë pjesë që shkon për të kompensuar zhvlerësimin ose amortizimin e kapitalit të trupëzuar, si ndërtesa, makineri dhe pajisje, linja dhe të tjera të kësaj natyre), të ardhurat që ngelen nga fitimi pas tatimit dhe pas krijimit të rezervave në zbatim të legjislacionit tregtar në çastin kur tatimpaguesi ka dorëzuar bilancin kontabël të vitit kalendarik dhe ka marrë (nëse e ka bërë një gjë të tillë në zbatim të legjislacionit tregtar) një vendim për shpërndarjen e të ardhurave nga fitimi prej kapitalit të investuar (dividenti) tatohet me 10%.

Në procesin e shitjes dhe të blerjes nga shitja fillestare me shumicë (ose dora e parë e importuesve dhe prodhuesve) deri te shitësit me pakicë në drejtim të konsumatorit (qoftë ky pronar ose ortak, apo çfarëdo lloj punëmarrësi), të gjithë janë konsumatorë dhe paguajnë TVSH (direkt në rastin e energjisë elektrike, shërbimit të telefonisë fikse dhe të lëvizshme dhe ujit të pijshëm dhe në ndonjë rast tjetër të ngjashëm dhe indirekt në rastin e shitjeve me pakicë).

 
Tatimi korporativ (mbi fitimin) dhe investimi vendas dhe i huaj

Në kushtet kur tatimi mbi fitimin ulet në masën 10%, sipas literaturës profesionale, në fushën e politikave fiskale përbën një nxitws si për investitorët vendas, ashtu edhe për ata të huaj. Kohët e fundit, sipas studimeve të bëra nga OECD (Organizata për Bashkwpunim Ekonomik dhe Zhvillim), ulja e përqindjes së tatimit mbi fitimin nxit investimet e huaja, sepse fitimet e siguruara nga kapitali dhe nga puna janë më të mëdha dhe në rastin e një rritjeje të mundshme të pagës (sipas teorive ekonomike) do të ishin këto të ardhura që do të tatoheshin dhe jo fitimi nga shitja e produktit, ose tatimi i siguruar nga shitja e produktit të siguruar nga bashkimi i kapitalit me punën e gjallë.

 
Investimi vendas dhe i huaj dhe tatimi mbi dividentin në kuadër të CEFTA – as

Për aq kohë sa tatimpaguesi nuk është i detyruar ta shpërndajë fitimin pas tatimit dhe krijimit të rezervave në formën e dividentit, ky është një nxitës tjetër tatimor në formën e kursimit që i ofrohet investitorëve të huaj dhe atyre vendas. Në rastin e një zone të lirë tregtare ku tregu ka pak a shumë rreth 25 milion banorë nxitës të tillë tatimorë si ata që përshkruam më lart bëhen joshës. Për të kuptuar politikën tatimore të Republikës së Shqipërisë në këtë kontekst, do të ishte me vlerë të citoheshin disa nga nenet e CEFTA (Marrëveshja e Tregtisë së Lirë të Europës Qendrore), për të kuptuar se çfarë ofron “Taksa e sheshtë”.


CEFTA

Neni 15 – Diskriminimi fiskal

Palët nuk do të zbatojnë asnjë masë apo praktikë të një natyre të brendshme fiskale që vendos, drejtpërdrejt ose indirekt, diskriminimin ndërmjet produkteve origjinuese te palët dhe do të eliminojnë këto masa, nëse ekzistojnë, me hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje.

Produktet e eksportuara në territorin e një prej palëve mund të mos të përfitojnë nga rimbursimi i taksave të brendshme përtej shumës së taksave indirekte të vendosura mbi to.


Neni 31 – Objektivat

Palët krijojnë dhe mbajnë kushte të qëndrueshme, të favorshme dhe transparente për investitorët e palëve të tjera që po bëjnë ose kërkojnë të bëjnë investime në territoret e tyre. 

Secila palë do të nxisë sa të jetë e mundur investimet e bëra nga investitorët e palëve të tjera në territorin e saj dhe i pranon këto investime në përputhje me ligjet dhe rregulloret e saj të brendshme.

Nëse një palë ka pranuar një investim të bërë nga investitorët nga palët e tjera, ajo, në pajtim me ligjet dhe rregulloret e saj të brendshme jep lejet e nevojshme dhe autorizimet administrative në lidhje me një investim të tillë. 

Në këtë masë, palët do të shkëmbejnë, brenda kuadrit të Komitetit të Përbashkët, informacion në lidhje me ligjet dhe rregulloret e tyre për themelimin e investimeve, si dhe çdo mundësi investimi.

 
Neni 32 – Trajtimi i investimeve

Secila palë garanton trajtim të drejtë e të barabartë, si dhe mbrojtje e siguri të plotë për investimet e investitorëve të palëve të tjera.

Secila palë i mbron investimet e bëra në pajtim me ligjet dhe rregulloret e saj të brendshme nga investitorët e palëve të tjera dhe nuk do të dëmtojë me anë të masave të paarsyeshme ose diskriminuese menaxhimin, mirëmbajtjen, përdorimin, gëzimin, zgjerimin, shitjen ose likuidimin e këtyre investimeve. Palët nuk miratojnë asnjë rregullore ose masë të re që do të vendoste një diskriminim në lidhje me themelimin e shoqërive të një pale tjetër në territorin e tyre.

Palët do të sigurojnë, në lidhje me themelimin dhe operimin e investimeve të palëve të tjera, një trajtim jo më pak të favorshëm se ai që u jepet nga secila palë investimeve të bëra nga investitorët e vet, ose që u jepet nga secila palë investimeve të investitorëve nga një shtet i tretë, nëse trajtimi i këtij të fundit është më i favorshëm.

Dispozitat e trajtimit jo-diskriminues, trajtimit kombëtar dhe trajtimit të kombit më të favorizuar të kësaj marrëveshjeje nuk do të zbatohen tek të gjitha përparësitë e tashme dhe të ardhme të dhëna nga një palë në sajë të anëtarësisë së saj në një bashkim doganor, ekonomik ose monetar, një treg të përbashkët ose një zonë e tregtisë së lirë. Një trajtim i tillë nuk ka të bëjë as edhe me një përparësi që një palë u jep investitorëve të një shteti të tretë në sajë të marrëveshjeve të taksimit të dyfishtë ose marrëveshjeve të tjera me bazë reciproke në lidhje me çështjet e taksave.

Shkruaj një koment

Ju duhet të logoheni për të komentuar.