Ministria e Financave nisi konsultimin publik me të gjitha palët e interesit për Tatimit në Pronën e Paluajtshme.
Në këtë diskutim morrën pjesë zëvendësministri i Financave Agim Krasniqi, drejtori i Departamentit të Tatimit në Pronë Shkelzen Morina, zyrtarë tjerë të Ministrisë së Financave, zyrtarë të komunave të Kosovës, si dhe përfaqësues Helvetas – DEMOS.
Krasniqi theksoi se : “Ministria e Financave është duke ndërmarrë të gjithë masat e nevojshme për të siguruar vendosjen e tatimit në të gjithë llojet e pronës së paluajtshme (tokë), por edhe duke kërkuar gjithashtu, përmirësimin e qëndrueshëm të sistemit të tatimit në pronë. Realizimi i këtyre objektivave madhore kërkon pikë së pari, themele të shëndetshme ligjore, të harmonizuara dhe në pajtim me gjithë kuadrin ligjor në fuqi në Kosovë, si dhe në të njëjtën linjë me standardet ndërkombëtare”
“Në kuadër të kësaj, Ministria e Financave ka ndërmarre një nismë tejet të rëndësishme për përmirësimin dhe përshtatjen e të gjithë infrastrukturës ligjore e cila rregullon e normon procesin e tatimit në pronë, duke iniciuar procesin legjislativ për ndryshimin dhe plotësimin e legjislacionit përkatës, duke pasur si qëllim, implementimin e suksesshëm të tatimit në tokë, përmes krijimit të një sistemi modern dhe efikas për mbledhjen e të hyrave nga tatimit në pronë”, shtoi zëvendësministri Krasniqi.
Ai bëri të ditur se projektligji përbën një bazë rregullative të parashikueshme, të qartë dhe të detajuar, për ti dhënë qartësinë e nevojshme elementeve kyçe dhe risive të reformës e për t’ju përshtatur rrethanave dhe kërkesave të reja specifike që do lindin për realizimin e një reforme të tillë, për të qenë kështu, sa më e pranueshme nga qytetarët.
Zëvendësministri Agim Krasniqi theksoi se qëllimi kryesor i Projekt ligjit për tatimin në pronë është vendosja e tatimit mbi pronën e paluajtshme dhe përcaktimi i rregullave themelore për administrimin e tatimit në pronën e paluajtshme nga Komunat dhe Ministria e Financave.
Sipas tij, objektivat që synohen me ndryshimet ligjore në tatimin në pronë janë përshtatja e infrastrukturës ligjore me qëllim implementimin e tatimit në tokë, thjeshtëzimi dhe përmirësimi i procesit të vlerësimit të pronave të paluajtshme; rritja e efikasitetit gjatë funksionimit dhe monitorimit të procesit, pajisja e autoriteteve kompetente publike, me të gjitha atributet e nevojshme ligjore dhe institucionale për administrimin e procesit në mënyre efektive, mbrojtja e mëtejshme e të drejtave dhe interesave të tatimpaguesve; si dhe eliminimi i kundërshtive dhe dykuptimësive që ekzistojnë në kuadrin ligjor në fuqi.
“Bazuar dhe në sugjerimet dhe rekomandimet që kanë ardhur nga një numër i konsiderueshëm komunash dhe institucionet tjera, (dhe përfitoj nga rasti për t’ju falënderuar përzemërsisht për këtë), ndryshimet e pasqyruara në projektligjin e tatimit në pronë synojnë ndërtimin e një baze solide ligjore për të garantuar një proces të drejtë, të paanshëm dhe efektiv të tatimit në pronë”, shtoi zëvendësministri Krasniqi.
/ Ekonomia
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.