Krahas çmimit të rritur të energjië për 75% të familejve, këto të fundit do të paguajnë në faturën e energjisë edhe 100 lekë në muaj për përdorimin e aparateve televizive.
Sipas udhëzimit të publikuar në Fletoren Zyrtare përdoruesit familjarë paguajnë tarifën vetëm për një marrës televiziv, pavarësisht nga numri i aparateve që kanë në familje. Përdoruesit e tjerë jofamiljarë paguajnë tarifën për çdo aparat televiziv.
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) caktohet agjent për mbledhjen e tarifës së shërbimit për përdorimin e aparateve televizive. Mbledhja e kësaj tarife bëhet çdo muaj.
Faturat tatimore të energjisë elektrike të OSHEE-së kanë në fund, si një zë më vete, tarifën e shërbimit për përdorimin e aparateve televizive, sipas udhëzimit të ministrit të Financave për tatimin mbi vlerën e shtuar.
Mbi tarifën e shërbimit, të përcaktuar në këtë udhëzim, nuk aplikohet tatimi mbi vlerën e shtuar.
Pagesat e tarifës vërtetohen për përdoruesit në librezën e pagesës së energjisë elektrike, ku shënohet “tarifa e paguar për muajin përkatës, data e pagesës, si dhe firma dhe vula e punonjësit të ngarkuar me vjeljen e kësaj tarife”.
Nuk janë subjekt i pagimit të tarifës së shërbimit për përdorimin e aparateve televizive Invalidët dhe veteranët e Luftës, përfaqësitë diplomatike dhe veteranët e luftës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.