Blerjet online janë frenuar gjatë 2017-s si një reagim ndaj uljes së kufirit të taksueshëm që miratoi qeveria në gushtin e vitit të kaluar. Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave tregojnë se në 5-mujorin janar-maj 2017 u transportuan 182 tonë mallra me postë, me një rënie prej 12.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Vetëm në maj 2017 u transportuan 36 tonë mallra përmes përdorimit të postës, një shifër kjo 5.3% më e ulët se maji i 2016-s.
Pavarësisht një volumi dukshëm më të ulët në raport me një vit më parë, duket se në krahasim me 4-mujorin 2017, periudha janar-maj shënoi ngushtim të diferencës negative me 0.9%.
Një rënie e blerjeve online ishte parashikuar të ndodhte që në momentin e vendosjes së taksimit 22.4% për blerjet që kalojnë 22 euro. Në këtë taksë shtesë përfshihet Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, si dhe detyrime të tjera doganore.
Nisma e qeverisë erdhi në kushtet kur blerjet online kishin kohë që marshonin drejt rekordeve të reja muaj pas muaji çka solli edhe një rritje të të ardhurave tek Posta Shqiptare.
Kufizimit për blerjet online duket se ju nënshtrua vetëm pjesa e atyre që kanë si vend origjine një nga shtetet europiane ndërkohë që në lulëzim ka mbetur ajo e blerjeve nga Kina.
Blerjet nga Aliexpress kanë qenë një nga mënyrat më të shpeshta ndërkohë që në shumicën e rasteve, nuk bëhet dot verifikim për çmimin, sepse shitësit e shënojnë atë si “dhuratë”, çka nuk taksohet ose nuk bihet dakord paraprakisht me blerësin për të vendosur çmime fiktive mbi paketim.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.