Ndryshimet e fundit mbi taksat, përveçse ligjërojnë miratimin e një pakete të nxituar fiskale rreth gjashtë muaj më parë, po sjellin një amulli në sistem. Sipas ekonomistëve e sipërmarrësve, ndryshimet e vazhdueshme të taksave rrezikojnë të rrisin më tej informalitetin, ndërsa bizneset mund të jenë objekt i më shumë penalizimeve.
Ekspertët: Paketa fiskale nuk po funksionon, fillon plani B i taksave
Kur u bë paketa e re fiskale e shumëdiskutuar në një kohë të shkurtër e intensive, qeveria e mbrojti lëvizjen e saj nga një sistem i sheshtë taksash në atë progresiv, me dy argumente që, sipas saj, sillnin ulje: përshkallëzimi i tatimit mbi të ardhurat personale do të rriste pagat me të ardhura mesatare dhe përshkallëzimi i tatimfitimit te bizneset do të siguronte vlerë më të ulët taksash për një grup të madh sipërmarrjesh. Janë pikërisht bizneset me xhiro 2-8 milionë lekë në vit, për të cilat tatimfitimi u ul nga 10% në 7.5%.
Por, kur ka kaluar gjysma e vitit, veprimet e fundit të qeverisë tregojnë se llogaritë në këtë paketë të nxituar ishin bërë gabim. Të ardhurat e realizuara rezultojnë me rënie, përjashtuar Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, çka e shtyjnë qeverinë të tërhiqet në njëfarë mënyre te taksimi progresiv, e kështu të fillojnë korrigjimet e para.
Në projektligjin “Për taksat vendore” të mbërritur në Kuvend, në nenin 11 të tij, parashikohet që “shkalla tatimore e aplikueshme mbi fitimin e tatueshëm për tatimpaguesit që i nënshtrohen tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël, me qarkullim vjetor nga 2 deri në 8 milionë lekë, është 7,5%, por jo më pak se 25 mijë lekë në vit. Pra rivendoset kufiri minimal 25 mijë lekë, ndërkohë që në nenin 11 të ligjit të miratuar në dhjetorin 2013 në Parlament kjo nuk parashikohej.
Në fakt, nga kontaktet nga “Monitor”, përfaqësues të biznesit të vogël, pranojnë se vlerën prej 25 mijë lekësh e kanë paguar që në fillim të vitit, dhe pavarësisht parashikimeve në ligj, nuk prisnin ndonjë rikthim të vlerës nëse në fund të vitit do të raportonin një fitim, tatimi i të cilit të rezultonte më pak se 25 mijë lekë. Kjo është një sjellje e ngulitur nga përvoja e mëparshme me administratën tatimore, pasi detyrimet e kësaj të fundit ndaj biznesit në të shumtën e rasteve nuk janë kthyer. Ajo çfarë po ndodh tani është një ligjërim për të mos kthyer vlera pas pagesës së detyrimit vjetor prej 25 mijë lekësh.
Së fundi në kuvend është prezantuar edhe projektligji “Për taksat kombëtare”, i cili parashikon futjen e dy taksave të reja vjetore që do të rëndojnë mbi individët, por edhe mbi bizneset. Në veçanti, nga ky projektligj pritet të preken shoqëritë e transportit apo të shpërndarjes të produkteve, të cilat zotërojnë shumë automjete. Të prekur do të jenë edhe qytetarët, si për zotërimin e automjetit edhe kartave SIM të telefonisë.
Taksa të reja apo të ndryshuara, shqetësimi i ekspertëve është elasticiteti shumë i lartë i administratës në ndryshime, ndërsa administrata nuk është e tillë në aplikimin e tyre. Për më tepër, ata kujtojnë se lëvizjet e shpeshta, qoftë edhe kur flitet për ulje, janë një goditje për sipërmarrjet që kohët e fundit po shpenzojnë shumë energji në sigurimin e fitimeve, pasi po përballen me kërkesa të ulëta në treg.
Dy taksat e reja kombëtare
Ministria e Financave ka bërë ndryshimet në projektligjin për taksat kombëtare, i miratuar në dhjetor të vitit të kaluar. Ndryshimet parashikojnë që çdo qytetar do të paguajë 50 lekë në vit për një kartë telefonike SIM dhe çdo pronar autoveture do të kryejë një pagesë të re prej 1000 lekësh në vit. Për automjetet e tjera, pagesa do të jetë 15 mijë lekë. Sipas relacionit të projektligjit, operatorët e telefonisë celulare duhet të vjelin tarifën nga çdo person, i cili ka një numër të regjistruar në emrin e tij, në momentin e kryerjes së pagesës së shërbimit telefonik. Ndërsa në rastin e taksës për automjetin, pagesa është e detyrueshme të bëhet së bashku me taksën e qarkullimit. Në të kundërt parashikohen gjoba që variojnë nga 5 deri në 25% të shumës së taksës. Me kërkesë të Ministrisë së Shëndetësisë, të ardhurat nga këto dy taksa, që përllogariten 630 milionë lekë, do të shkojnë në llogari të Urgjencës Mjekësore.
Taksat kombëtare që shtohen
Një kartë SIM – 50 lekë
Një automjet – 1000 lekë
Autoveturë tjetër – 1500 lekë
Financat: Tërhiqemi pasi ranë të ardhurat
Tatimfitimi 7.5% për bizneset me 2-8 milionë lekë xhiro në vit ka siguruar më pak të ardhura dhe vendosja e kufirit është një mënyrë për të mbushur gropën. Këtë e pranon vetë Ministria e Financave në relacionin që shoqëron projektligjin “Për taksat vendore”, ku thuhet se “këstet e parapagimit të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për vitin vijues, për tatimpaguesit me qarkullim vjetor 2-8 milionë lekë, llogariten në bazë të të dhënave të deklaratës tatimore të një viti më parë. Forma dhe përmbajtja e deklaratës tatimore vjetore përcaktohet me udhëzim të ministrit të Financave”. Sipas këtij relacioni, projektligji rishikon normat tatimore për biznesin e vogël. Sipas nenit 11 të ligjit në fuqi, tatimpaguesit me qarkullim vjetor nga 2 deri në 8 milionë lekë tatohen me shkallën tatimore 7.5% mbi qarkullimin, kurse tatimpaguesit me qarkullim vjetor nga 0 deri në 2 milionë lekë, tatohen me një shumë fikse prej 25 mijë lekësh në vit. Nga ana tjetër, në bazë të nenit 15 të ligjit, tatimi i thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël, për subjektet me qarkullim 2-8 milionë lekë, llogaritet në bazë të formularit të deklarimit tatimor të biznesit të vogël të një viti më parë”. Për këtë arsye, theksohet në relacion, “tatimi i thjeshtuar mbi fitimin për vitin 2014, i llogaritur mbi bazën e deklaratave të vitit 2013, rezulton në shumicën e rasteve më i vogël se 25 mijë lekë. Në këtë mënyrë, pra, tatimpaguesit me qarkullim nga 2 deri në 8 milionë lekë rezultojnë me ngarkesë fiskale më të vogël se tatimpaguesit me qarkullim nga 0 deri në 2 milionë lekë. Kjo ka shkaktuar reagime të shumta te tatimpaguesit me qarkullim nga 0 deri në 2 milionë lekë, pasi e konsiderojnë këtë si të padrejtë dhe të paargumentuar.
Relacioni pranon gjithashtu që paketa fiskale ka rritur taksat për bizneset me xhiro deri në 2 milionë lekë, ndërsa rezultojnë me rënie ato me xhiro më të madhe 2-8 milionë lekë. Duke iu referuar bizneseve të vogla në relacion theksohet se “propozimi i mësipërm merr shkas nga reagimet e shumta të ardhura nga kjo kategori biznesesh, e cila deri në fund të vitit të kaluar paguante përkatësisht shumën 8 dhe 5 mijë lekë në vit. Pretendimi i tyre se, me futjen e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin në masën 25 mijë lekë në vit, ngarkesa e tyre fiskale rritet dukshëm, realisht qëndron”.
Në vend të uljes së informalitetit…
Nisma e Ministrisë së Financave për të vendosur një tatim dysheme nga i cili do të nisë pagesa e taksave për biznesin e vogël me një qarkullim vjetor deri në 8 milionë lekë, vlerësohet prej përfaqësuesve të saj si një nevojë për të formalizuar më tej ekonominë.
Por, rikthimi i një kuote fikse të tatimit, e cila nuk do të jetë më pak se 25 mijë lekë në vit, nuk është mirëpritur nga biznesi e përfaqësues të tij, por as nga ekspertë që vlerësojnë se ndryshime të vazhdueshme fiskale nuk sjellin gjë tjetër veçse një amulli te biznesi privat, por edhe tek administrata tatimore.
Për më tepër, nëse Ministria e Financave synon të ulë informalitetin, përfaqësuesit e Albkonfindustrisë theksojnë se ndryshimet e vazhdueshme në legjislacion tatimor janë një faktor nxitës i informalitetit. Sipas administratorit Gjergj Buxhuku, “ne synojmë uljen e informalitetit dhe këto ndryshime, nuk e nxisin uljen e tij, përkundrazi”. Ai thekson se disa ndryshime janë të pranueshme, kur flitet për rregullime apo përmirësime, por ndryshimi i shpeshtë i taksave, i kufijve ku ato duhet të aplikohen, përkeqëson funksionimin e sistemit fiskal.
Në këtë mënyrë e mendojnë edhe ekspertët kontabël. Sipas kontabilistit Ilir Binaj, ndryshimet e shpeshta krijojnë paqartësi me aplikimin sidomos kur nuk shoqërohen me udhëzime përkatëse për aplikim, apo kur këto udhëzime janë të nxituara. Sipas tij, në tërësi legjislacioni fiskal në vend lë hapësira për interpretime, e madje edhe keqinterpretime.
Për rastin konkret të vendosjes së kufirit minimal prej 25 mijë lekësh për t’u paguar edhe nga bizneset me xhiro 2-8 milionë lekë në vit, ekspertët kontabël thonë se ky prag tatimi është pozitiv nëse formalizon ekonominë, por sipas tyre, barrën më të madhe në luftën që i takon administratës shqiptare të bëjë në këtë drejtim, duhet ta kenë tatimet, pasi është detyrë e kësaj administrate që të evidentojë çdo biznes që abuzon. Ata kujtojnë se kjo nuk është forma më e mirë e mundshme për të formalizuar tregun, pasi mund të ketë biznese me fitim më të vogël se 25 mijë lekë dhe kompanitë e kësaj fashe xhiro (2-8 milionë lekë) mund të kenë norma shumë më të ndryshme fitimi në varësi të profilit të punës: biznese shërbimi, tregtie, etj.
Arsyetimi se kështu mund të ulet informaliteti, sipas përfaqësuesve të biznesit jo vetëm që është i gabuar, por edhe paragjykues. Gjergji Gjika, përfaqësues i Shoqatës së Fasonistëve, thotë se një masë e tillë është paragjykuese pasi i takon administratës tatimore të luftojë evazionin. “Nëse nuk je në gjendje të masësh sa është xhiro reale e bizneseve të vogla, të mesme e të mëdha, atëherë shumë shpejt një ligj i ri tatimor mund të vijë edhe për bizneset e mëdha, për korporata e kështu nga zyra, tatimori do të përcaktojë sa mundet dhe duhet të paguajë biznesi në shtet. Pra, nuk bazohet te kriteret që ka ekonomia e tregut: që është xhiro, tatimfitimi”.
————–
Paketa e nxituar fiskale, rishikim i domosdoshëm
Flet Ilir Binaj, ekspert kontabël
Ndryshimet e shpeshta teorikisht krijojnë konfuzion dhe paqartësi në lidhje me aplikimin, sidomos kur nuk shoqërohen me udhëzime përkatëse për aplikim apo kur janë të nxituara. Në rastin e këtyre dy projektligjeve nuk bëhet fjalë për ndryshime drastike që mund të shkaktonin paqartësi, por për një rregullim në paketën fiskale që doli në dhjetor 2013, për t’i vendosur si bizneset me xhiro 0-2 milionë lekë si ato nga 2-8 milionë lekë në të njëjtin prag prej 25 mijë lekësh.
Problemet më të mëdha që kanë biznesi dhe individët me legjislacionin fiskal lidhen kryesisht me paqartësitë (loop-holes) që kodi ynë fiskal i ka me shumicë dhe nuk po sqarohen nga autoritetet fiskale. Ka vend për shumë interpretime gjë që e bën të vështirë aplikimin dhe shpesh loop-holes përdoren me dashakeqësi nga inspektorët për të vendosur penalitete.
Ndërkohë, paketa e re fiskale u bë me një nxitim dhe për këtë arsye vihen re shumë mangësi në këtë paketë. Një nga këto mangësi ishte edhe mënyra se si u konceptua taksimi për biznesin e vogël, pasi bizneset me xhiro 2-8 milionë lekë, nëse do të rezultonin me humbje, nuk do të paguanin asgjë dhe rrjedhimisht do të përfundonin të paguanin më pak se bizneset me xhiro 0 deri në 2 milionë lekë. Pra, shohim që ky projektligj tenton të rregullojë këtë mangësi, duke dashur të vërë në kushte të barabarta bizneset që kanë xhiro nga 0-2 milionë lekë me ata me xhiro 2-8 milionë lekë.
Për të vijuar me mangësitë e paketës, një tjetër është mënyra se si tatohen individët. Nuk merret parasysh gjendja sociale e tyre, nëse janë të martuar apo, nëse njëri nga pjesëtarët e familjes është i papunë, etj. Kështu, rezulton se një person që bën dy punë, për arsye se bashkëshortja nuk punon, paguan më shumë se një person kur punon bashkë me gruan. Të gjitha këto, në fakt, merren parasysh nga vende ku bëhet deklarimi personal, si Amerika apo vende të tjera. Në vendin tonë kjo duhet rishikuar, në mënyrë që ta bëjë taksën vërtet progresive dhe të drejtë për të gjithë ata që paguajnë taksa individuale. Për më tepër, u vu re fakti që në Shqipëri kishte vetëm 12 mijë individë që kishin pagë më të lartë se 130 mijë lekë në muaj. Kjo tregon se të ardhurat individuale në Shqipëri janë të ulëta. Duhet riparë edhe limiti për deklarimet individuale. Sot, në Shqipëri, bëhet për të ardhura 2 milionë lekë në vit, kufiri në vende të tjera është më i ulët, ndaj duhet parë mundësia e uljes këtu.
E ndërsa, rishikimet e paketës bëhen të domosdoshme, në këto kushte edhe futja e dy taksave të reja krijon hapësirë për interpretim. Kemi borxhe për të paguar për hir të asaj që kemi bërë 20 vitet e shkuara, e për të mos shkuar në kolaps me modelin tonë financiar, besoj që taksat duhen rritur në mënyrë që të stabilizojmë situatën tonë financiare. Çështja është ku duhet të mblidhen këto taksa. Te cili grup popullsie dhe si do të ketë një ndarje sa më të drejtë të mbledhjes. Jam i mendimit se ata që konsumojnë më shumë shërbime nga shteti duhet të paguajnë më shumë, kështu ata që kanë më shumë prona apo makina duhet të paguajnë më shumë, jo sepse janë të pasur, por sepse konsumojnë më shumë shërbime publike.
Taksat e planit B
Për disa ekonomistë, ndryshimet fiskale të propozuara së fundi janë pikërisht fillimi i aplikimit të planit B të Ministrisë së Financave për të siguruar të ardhura, i sanksionuar edhe në marrëveshjen me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Në programin trevjeçar që Fondi ka me qeverinë shqiptare parashikohet edhe një plan i dytë masash fiskale, i cili parashikon aplikimin e rreth 10 taksave e tarifave nëse performanca e paketës së parë fiskale nuk është ajo që pritej. Në këtë grup taksash, parashikohet një rëndim i barrës fiskale për pronat e ndotësit e ambientit, siç vlerësohen edhe dy taksat e reja kombëtare. Krijimi i fondit për urgjencat i jep një kuptim pozitiv veprimeve të administratës dhe bën që taksa të mirëpritet nga një pjesë e mirë kontribuuesish. Por, sipas ekspertëve të ekonomisë po fillon të konkretizohet pikërisht ajo çka qytetarët shqiptarë i druheshin me nënshkrimin e marrëveshjes së huas me FMN-në: një “valë” e dytë taksash. Sipas ekonomistit Besard Kadia, ndryshimet e fundit fiskale janë pasojë e të ardhurave të parealizuara. “Përjashtuar TVSH-në, të gjitha të ardhurat rezultojnë në rënie, ndaj po fillohet me rritje të reja taksash. Planin B, në rast se të ardhurat nuk do të ishin të mjaftueshme e pati pranuar vetë ministri Financave që gjatë prezantimit të paketës së re fiskale. Por, pikërisht në debatet e kësaj pakete “të nxituar” zyrtarisht tashmë, u fol edhe për paketa mbështetëse, siç është ajo e fasonit dhe e bujqësisë.
Madje kryetari i Dhomës së Tregtisë së Tiranës, Nikolin Jaka, është shprehur më parë, se krahas këtyre, mbështetje për këta sektorë do të kërkohet edhe për fusha të tjera si ajo e turizmit. Paketa mbështetëse e fasonit rrezikon të mos jetë efektive me heqjen e favorizimeve në kodin doganor për këtë sektor, pikëpyetjet mes biznesit vetëm sa shtohen: ku do të ketë realisht lehtësira, sa do të rëndohet më tej biznesi, e mbi të gjitha çfarë do të ndryshojë tjetër. Ajo çka është e sigurt, sipërmarrjeve u nevojitet të rrinë në gatishmëri për të mos humbur të rejat mbi tatimet e taksat.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.