Shqipëria ka nivelin më të ulët të të ardhurave nga taksat në rajonin e Europës Juglindore. Të ardhurat nga taksat ishin sa 21.5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto në 2013, më ulët se një vit më parë. Studimi i Al-Tax: Pesha e fokusuar te pak biznese
Gjysmën e të ardhurave nga taksat në vendin tonë i sigurojnë vetëm 5% e ndërmarrjeve. Shqetësimi vjen nga studime, të cilat vënë në dukje se, pavarësisht se bazohemi te sipërmarrjet e vogla, kontributi i tyre në prodhimin vendas është minimal. Sipas publikimit të Qendrës Al-Tax, përllogaritet që më pak se 800 ndërmarrje paguajnë 50% të taksave.
Sipas Eduard Gjokutajt, përfaqësues i kësaj qendre, gjysma e të ardhurave në arkën e shtetit sigurohen nga tatimpaguesit e mëdhenj. Shqetësimi i ekonomistëve është se sipërmarrjet e vogla janë baza e aktivitetit ekonomik në Shqipëri, por nuk shërbejnë si bazë “furnizimi” për ekonominë. Përllogaritjet mes Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Institutit të Statistikave, vënë në dukje se 76% e bizneseve janë të vogla. Por, është shqetësuese sa e mbështesin ato ekonominë.
Autorët e studimit shohin me shqetësim faktin që 76% e sipërmarrjeve kontribuojnë vetëm me 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ekonomistët vlerësojnë se një situatë e tillë duhet vlerësuar, pasi kemi një ekonomi që bazohet në biznesin e vogël por nuk gjeneron të ardhura, kur në vendet e tjera biznesi i vogël prodhon të ardhura. Ajo që këshillon zoti Gjokutaj është zgjerimi i bazës, jo vetëm për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar apo tatimfitimin, por edhe zgjerimin e bazës mbi të ardhurat personale.
Ekonomistët: Kemi një ekonomi që bazohet te sipërmarrjet e vogla, por ato nuk e “ushqejnë” ekonominë
Shqipëria, niveli më i ulët i të ardhurave nga taksat në rajon
Niveli i të ardhurave nga taksat në vendin tonë vlerësohet të jetë 21.5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, më e ulët se një vit më parë dhe më e ulët se në rajon. Sipas vlerësimeve të tregut të brendshëm, niveli i të ardhurave nga taksat ndaj PBB-së zbriti nga 22.8% në vitin 2012 në 21.5%. Në rënie paraqitet ky tregues edhe në Maqedoni, Greqi e Serbi, por krahasimi i të dhënave ndërkombëtare të ekonomisë nxjerr në pah se të ardhurat nga taksat në shtetet fqinje janë më të larta, duke filluar që nga Kosova deri te Serbia, ku të ardhurat nga taksat arrijnë në 35.6% e PBB-së.
Treguesi i ulët mund të vlejë si një faktor nxitës për rritjen e investimeve, pasi me këto kushte, Shqipëria paraqitet më konkurruese dhe me më shumë interes për investimet e huaja. Por, sipërmarrësit e huaj duket se nuk mjaftohen vetëm me taksat e ulëta. Për më tepër, janë faktorë të tjerë që rezulton të vlerësohen më shumë nga investitorët. Në një vlerësim 5-vjeçar, rezulton se Shqipëria ka tërhequr investime të huaja sa 10% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ky është një nivel i lartë krahasuar me shumë vende të tjera në rajon, por jo me Malin e Zi, i cili, edhe pse ka një barrë më të lartë tatimore (34.3% e PBB-së), ka arritur të tërheqë një nivel më të lartë investimesh të huaja. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, në 5 vite, investimet e huaja në Malin e Zi ishin sa 14% e PBB-së.
Me peshë më të ulët ishin investimet në Greqi e Serbi, ku nuk i kalojnë 1% të PBB-së përkatëse.
Për specialistët e ekonomisë, investimet e huaja jo domosdoshmërisht janë në përpjesëtim të drejtë me barrën fiskale të një vendi. Sipas tyre, Mali i Zi shihet me më shumë interes, për faktin se ofron një infrastrukturë më të mirë për aktivitetet private. Ndaj mundësia e tërheqjes së investimeve të huaja vlen kur kushtet e favorshme të ofruara janë një paketë e plotë.
Kukësi taksohet më shumë se Fieri?!
Faktin që shumë gjëra në ekonominë tonë nuk ecin siç duhet mund ta shohim edhe te ndarja e “padrejtë” e barrës fiskale. Studimi i bërë nga AL-Tax vëren se qyteti me peshën më të ulët fiskale është Fieri, ku prodhohet e përpunohet naftë, ndërsa Kukësi, ekonomia e të cilit kufizohet vetëm në aktivitet tregtar, ka një peshë më të lartë (8.1% e PBB-së së qarkut). E njëjta gjë vlen po të bëjmë krahasimin mes Elbasanit dhe Lezhës. Ekspertët vlerësojnë se qytete si Kukësi, Dibra, Lezha apo Gjirokastra, kanë një barrë të lartë fiskale, dhe ndryshe nga Tirana që kryeson në këtë tregues, ato nuk kanë aktivitete me xhiro të mëdha e me norma të larta fitimi.
Barra fiskale lidhet me llojin e aktivitetit ekonomik, apo edhe madhësinë e tij. Dhe një shpërndarje e tillë nuk vlerësohet e drejtë sipas ekspertëve të tatim-taksave. Sipas tyre, me vlerësimin në bazë të industrive të ngjashme, apo segmenteve të tatimpaguesve, organet tatimore e fiskale duhet të fillojnë të vlerësojnë se si mund të shpërndahet kjo barrë tatimore.
Në krahasimin ndër vite, Durrësi ka shënuar një rritje të barrës fiskale, dhe kjo nuk lidhet me efektin real që mund të kenë dhënë investimet e reja, por me impaktin indirekt që projektet e investimeve kanë dhënë në zonën bregdetare, duke nxitur besimin te projektet e tjera.
Për një qytet si Shkodra, ku vërehet tendenca e kundërt, ulje e barrës fiskale, arsyeja vlerësohet të jetë menaxhimi i dobët i të ardhurave në nivel lokal dhe investimet jo shumë efektive.
Trekëndëshi Tiranë-Durrës-Elbasan vlerësohet të ketë peshën më të madhe kontribuuese në Prodhimin e Brendshëm Bruto. Edhe në barrën fiskale kryesojnë Tirana dhe Durrësi, ndërsa në vendin e tretë renditet Vlora.
Për shkak të fluksit të aktivitetit, raporti i tatim-taksave të paguara ndaj Prodhimit të Brendshëm në Qarkun e Tiranës arrin në 42.3%. I dyti në listë është qyteti i Durrësit me 19.9%.
Eduard Gjokutaj vlerëson se shpërndarja e peshës së taksave, “duhet të kihet parasysh në hartimin e buxhetit, hartimin e politikave fiskale, ku shpërndarja e fondeve publike të jetë në raport me kontributin e këtyre zonave në ekonomi”.
Të ardhurat nga taksat në Ballkan, mbi 30%
Të arhdurat nga taskat në rajonin e Ballkanit ishin 30.3% e Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2012. Në të gjithë rajonin, barra pësoi rënie të lehtë gjatë vitit të kaluar, duke zbritur në 30%, me ulje të barrës tatimore me 0.28 pikë përqindje. Në vlerë absolute, barra tatimore e dhjetë vendeve të vlerësuara të Ballkanit ishte 143.8 miliardë euro në vitin 2012. Në Shqipëri ajo ishte 2.1 miliardë euro. Në nivel rajonal, pavarësisht se ka rënë si peshë ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto, taksat e mbledhura janë rritur në vlerë. Në vitin 2013, vlera e së gjithë barrës fiskale arriti në gati 145 miliardë euro, ndërsa në vendin tonë, shënoi rënie të lehtë prej vetëm 100 milionë eurosh. Vendet me barrën më të lartë tatimore në Ballkan, Greqi, Bosnjë, Mali i Zi, Serbi përbëjnë 50.4% të Prodhimit të Brendshëm të Ballkanit.
Më 19 mars, të lirë nga taksat
Dita kur shqiptarët kanë pushuar (simbolikisht) së punuari për shtetin e kanë filluar të punojnë për veten erdhi më 19 mars, më shpejt se në rajon.
Sipas përllogaritjeve mbi vlerën e taksave, krahasuar me të ardhurat, rezulton që sipërmarrjeve shqiptare u duhet të punojnë për taksat 2 muaj e 19 ditë. Këtë vit atyre iu deshën 5 ditë më pak se një vit më parë.
Studimi i Al-Tax përmes vlerësimit të të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, vëren se sipërmarrjeve në vendet fqinje u duhet të punojnë deri në prill e maj vetëm për të paguar taksat. Më vonë do të arrijnë ta fitojnë këtë liri sipërmarrjet në Serbi (10 maj).
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.