Taksat vendore, sqarohen paqartësitë

25/12/2018 4:41 PM 0 komente

Ndryshimet në ligjin e taksave vendore janë pjesë e Paketës Fiskale 2019. Ndryshimet synojnë thjeshtëzimin, pasi në praktikën e deritanishme konstatohen interpretime jo të qarta e të sakta, si dhe procedura të gabuara të zbatimit të tyre nga njësitë e vetëqeverisjes vendore.

Disa nga anekset që i bashkëlidhen ligjit në fuqi, janë formuluar sipas organizimit të vjetër territorial të Republikës së Shqipërisë, duke mos pasqyruar ndryshimet e ndarjes së re territoriale. Nisur nga ky qëllim, anekset janë rikonceptuar dhe formuluar në mënyrë më të thjeshtë, sipas kategorisë së bashkive të reja.

Projektligji i propozuar rregullon edhe nenin 27 “Taksa e ndikimit në infrastrukturë”, i cili aktualisht ka mjaft probleme në interpretimin dhe zbatimin e tij. Duke u nisur nga rastet e trajtuara për interpretim të kategorive të investimeve në infrastrukturë dhe shpesh ndarjen e gabuar të tyre, sipas klasifikimeve.

Sipas ndryshimeve të reja për ndërtime që destinohen për përdorim në sektorin e turizmit, të industrisë, bujqësisë; të ndërtimeve individuale për qëllime të përdorimit vetjak nga individët, të ndërtuara nga vetë individi apo me sipërmarrës; si dhe të ndërtimeve për qëllime publike, taksa e ndikimit në infrastrukturë është 1 (një) deri në 3 (tre) % e vlerës së investimit, ndërsa për Bashkinë e Tiranës është 2 (dy) deri 4 (katër) % e saj.

Ndërsa taksa e tabelës ka një klasifikim të ri sipas qëllimit teksa aktualisht ishte koncepti i madhësisë. Sipas propozimeve të reja për qëllime fiskale, tabelat kategorizohen në:

1- Tabelë për qëllime identifikimi, e trupëzuar ose jo, brenda territorit ku zhvillohet veprimtaria e biznesit dhe që nuk përdoret për të reklamuar veprimtaritë e të tretëve (ku shënohet emri dhe/ose aktiviteti i biznesit);

2- Tabelë për qëllime identifikimi jashtë territorit ku zhvillohet veprimtaria e biznesit në formën dhe përmasat e tabelave për orientim;

3- Tabelë për qëllime reklamimi e lëvizshme ose e palëvizshme;

4-Tabelë në funksion të ekspozimeve të ndryshme të hapura, panaire, spektakle, stenda reklamuese, banderola, etj.

Kur në sipërfaqen e tabelës identifikuese përfshihet edhe germa, simbole dhe figura për qëllime reklamimi të një apo më shumë produktesh apo shërbimesh që furnizohen nga vetë njësia ku është vendosur tabela, kjo tabelë vlerësohet si tabelë identifikuese dhe taksa llogaritet për këtë kategori tabele. Në rast të kundërt, tabela vlerësohet si tabelë reklamimi dhe taksa llogaritet për tabelën për qëllime reklamimi.

Në rast të përdorimit nga taksapaguesi të më shumë se një tabele identifikuese, përveç atyre orientuese, vlerësohet si tabelë identifikuese vetëm ajo tabelë që është e trupëzuar ose jo në njësinë apo brenda territorit ku ushtrohet veprimtaria e taksapaguesit, ose që ndodhet më pranë njësisë, ose vetëm një nga tabelat, kur ka më shumë se një të tillë në njësinë apo territorin ku ushtrohet veprimtaria e tij. Çdo tabelë tjetër e tillë konsiderohet si tabelë për qëllime reklamimi dhe taksa llogaritet dhe paguhet për këtë kategori tabele.

Mirëpo Këshilli Bashkiak është autoriteti i cili vendos nivelin e bazës së taksës për çdo kategori të tabelave.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of