Të gjithë ata që kanë një makinë me më shumë se tre vjet të përdorur do të paguajnë minimumi 10 mijë lekë taksa, ndryshe nga sot, kur 193 mijë përdorues makinash paguajnë më pak.
Sipas paketës së re fiskale për vitin 2015, taksa e makinave do të rishikohet me synimin e vendosjes së një takse dysheme për makinat e përdoruara. Aktualisht, taksa vjetore e mjeteve të përdorura të transportit është sipas formulës: cilindrata x koeficienti sipas vjetërsisë x lloji i karburantit që përdoret. Bazuar në këta tre elementë që shumëzohen për të llogaritur taksën e makinave, ka rezultuar se janë 193 mijë makina në Shqipëri, për të cilët taksa e makinave është nën 10 mijë LEK.
Në harmonizim të trajtimit fiskal të karburanteve për efekt të ndotjes së ambientit dhe përdorimit të infrastrukturës rrugore, do të vendoset një taksë dysheme jo më pak se 10 mijë LEK në vit, parashikon paketa. Pra, minimunimi taksës është 10 mijë lek për të dy efektet negative që sjell përdorimi i makinës: ndotjen e ambientit dhe përdorimin e infrastrukturës rrugore. Në këtë të fundit investon si pushteti vendor ashtu edhe pushteti qendror. Kështu që, nëpërmjet rritjes së kësaj takse rriten edhe të ardhurat e pushtetit vendor për të shtuar investimet në infrastrukturën rrugore lokale.
Përjashtim nga kjo taksë dysheme do të bëjnë motomjetet ose ndryshme të njohur si çiklomotorë (mjete me 2 ose 3 rrota). Këto mjete aktualisht paguajnë një taksë 200- 1000 LEK në vit, sipas formulës 200- 1000 LEK.
Gjithashtu, do të hiqet përjashtimi nga taksa e makinave të përdorura për mjete me vjetërsi nga 0-3 vjet. Aktualisht janë 17 mijë mjete me vjetërsi 0-3 vjet. Përfshirja e këtyre mjeteve në pagesën e taksës dysheme prej 10 mijë LEK në vit është bazuar në argumentin se këto mjete përdorin infrastrukturën rrugore dhe për këtë shërbim, duhet të paguajnë një taksë dysheme. Efekti në të ardhura shtesë buxhetore do të jetë 116 milion LEK për pushtetin vendor dhe 520 milion LEK për pushtetin qendror.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.