Flet Ilir Butka, kreu i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë Shqiptare
Si ka qenë ecuria e industrisë së filmit shqiptar?
Ky vit korrespondon me 20-vjetorin e krijimit të QKK-së, ndërtuam një ide të re që do të hapte perspektiva të reja për industrinë e filmit shqiptar. Në vetëm tre vitet e fundit janë financuar 100 filma, që nënkupton 1/3 e prodhimit të filmit.
Këto vite ka pasur rritje të madhe të prodhimit të filmave. Kjo është një premisë fantastike për atë që ne do të donim ta quanim industrinë e filmit në Shqipëri. Ne kemi zgjedhur një strategji ndryshe: financim të shumë filmave, me pak para. Duke përfituar kështu nga futja e teknologjisë dixhitale në lojë, e cila ka ulur kostot e prodhimit të filmave.
Me teknologjinë e vjetër pelikulë, kostoja rritej artificialisht, që përfshinte koston e stokut të filmit, kamerës, ndriçimit, laboratorit, stampimit, të të gjithë procesit të prodhimit të filmit. Falë teknologjisë dixhitale, kostoja e realizimit të filmit vjen duke rënë ndjeshëm. Në kushtet ku buxheti është dyfishuar, në këtë aktualin 1 milion euro, është ende i vogël për kushtet e Shqipërisë, për kërkesën që ka. Rritja e prodhimit të filmave ka nisur të ndryshojë, pasi ekzistojnë dy shkolla filmi, një publike dhe një private, të cilat kanë ndihmuar për të nxjerrë në pah, elemente të reja të fushës.
Politika e re e financimit të filmave na ka ndihmuar që të nxjerrim në pah edhe krijuesit e rinj, duke siguruar një brez në vazhdimësi kineastësh. Ne kemi financuar thuajse gjysmën e projekteve që na kanë ardhur, 35-40 filma në vit të financuar, një pjesë e tyre të shkurtër, dokumentarë dhe animacion, por për t’u përmendur është që ne kemi financuar sot rreth 12 filma të gjatë në vit. Gjithashtu janë shtuar ndjeshëm skemat e financimit, filmi i pavarur, i cili realizohet me kosto shumë të ulët, ekziston një frymë sot në Shqipëri, te kineastët e rinj, për realizimin e filmave të tillë, duke i financuar vetë filmat e tyre, duke qenë se disponojnë mjetet kryesore të punës: kamera, montazhi, e kanë të mbyllur si cikël.
Këtë trend ne jemi përpjekur ta mbështesim, duke e financuar me një shifër shumë modeste, por që u jep mundësinë atyre të përfundojnë këto projekte. Gjithashtu është rritur ndjeshëm mundësia e aplikimit nëpër fonde të ndryshme rajonale dhe europiane. Shqipëria prej tre vitesh bën pjesë në “Creative Europe Programme”, me “Media Desk”, që jep mundësi të mëdha për aplikim, duke nisur nga faza e zhvillimit e projektit deri te shpërndarja.
Trendi në rritje i përfitimit të këtyre fondeve lidhet me rritjen e aftësisë sonë për të aplikuar, sepse ka një vështirësi në këtë fazë nga mungesa e përvojës. “Media Desk” në Shqipëri e ka lehtësuar këtë proces, me promovim dhe shpjegim të këtij procesi. “Euroimage” është një tjetër mundësi, ku ne aderojmë prej disa vitesh. Në fillim, vumë re një handikap, që kishte të bënte me koston e përgatitjes së dosjes për aplikim, QKK vendosi kështu që të financonte këtë kosto, që t’u jepte mundësi kineastëve që të aplikonin për fonde të tilla.
“Euroimage”, nga ana tjetër, veç fondeve, funksionon si një filtër që jep vlerësim kualitativ për filmin në fjalë, na mundëson që të prezantohemi në kinematografinë botërore, nëpërmjet bashkëprodhimit. “Euroimage” financon vetëm bashkëprodhime. Kjo ka bërë që të gjithë filmat tanë të gjatë kanë gati 2/3 të financuar nga bashkëprodhues, që nënkupton buxheti ynë fillestar, i financuar nga QKK, dyfishohet ose trefishohet. Jo vetëm projekti filmik bëhet konkurrues, por edhe skenari, duke qenë se ka mundësi marrje fondesh që në këtë fazë. Kjo bën që të krijohen vepra universale dhe jo lokale,
Cilat janë vështirësitë e sektorit? Ç’mund të bëhet për ta përmirësuar?
Mungesa e grupeve të punës së kualifikuar për t’iu përgjigjur një fluksi të madh prodhimi. Falë politikës së rritjes së numrit të financimit, po krijohen grupe cilësore pune, për t’iu përgjigjur kësaj nevoje. Realisht kemi 30-35 filma në vit dhe janë 35 grupe që punojnë për këta filma. Kësisoj, për herë të parë po flasim për ekzistencën e një industrie filmike në Shqipëri.
Një ndër dobësitë e përfolura gjithmonë, që e pengonte filmin shqiptar, që të përfitonte financim, ka qenë një skenar i dobët.
QKK, edhe me filmin e pavarur, nxiti që në fillim të provohej njëherë me një film me buxhet të ulët, si dhe investimi i madh i workshop-eve, dërgimi i kineastëve shqiptarë në shumë të tilla kudo në botë, dhe në vendin tonë, kështu lindi de facto “Albascript”.
Një tjetër handikap lidhet me Albanian Mminority Co-production: filma të huaj, që financoheshin me vështirësi në Shqipëri. Kjo strukturë e re nënkupton që të paktën tre projekte ndërkombëtare, filma të gjatë, janë të vlefshëm për të marrë pjesë në Shqipëri, gjë që shton shansin e shqiptarëve për të marrë pjesë në një eveniment të klasit A, si Festivali i Kanës, Berlinit etj. Përmes kësaj skeme shkëmbehen përvoja me shqiptarët, si dhe njohin terrenin për të ardhur për të xhiruar në Shqipëri.
Si mund të nxiten xhirimet e filmave botërorë në Shqipëri?
Ne punuam për rishikimin e ligjit, i cili nuk linte hapësirë juridike për financimin e produkteve me regjisorë të huaj, ndaj Minority co-Production ishte skema më e mirë për këtë fushë, që të nxiste bashkëpunime me shqiptarët e të huajt, falë edhe gatishmërisë së qeverisë shqiptare dhe Ministrisë së Kulturës. Me ndryshimet e bëra në ligj, kjo skemë na afron me vendet europiane, sikurse e kishin implementuar edhe vendet e tjera të Ballkanit. Kjo ofron mundësi të mëdha për të qenë pjesë e projekteve të suksesshme botërore.
Sa u përket vend-xhirimeve, ne po punojmë për implementimin e skemës së “tax credit”. Kur vijnë grupe të huaja për të xhiruar në vendin tonë, falë vendndodhjes së favorshme gjeografike, bukurive natyrore, kulturore etj., ata bëjnë shpenzimet e tyre, nuk marrin asnjë financim nga Shqipëria, por hezitojnë të vijnë për shkak të taksave. Të gjitha vendet e rajonit ndjekin një tjetër skemë, për të cilën edhe ne jemi në bisedime me Ministrinë e Financave për ta vënë në zbatim. Çfarë skeme është kjo? Krijohet një “tax credit” ose “shelter”, të cilat rëndojnë 20 ose 30%, në varësi të shteteve.
Më pas, verifikohet buxheti i shpenzuar për filmin, pasi të xhirohet dhe rikthehet taksa e paguar në momentin fillestar (pra 20 – 30% e buxhetit). Ne synojmë që ta kthejmë mbrapsht këtë taksë që e kemi 30%, pra rikthim mbrapsht nga një taksë e paguar nga vetë ata, shteti shqiptar nuk paguan asgjë, veçse fiton.
Nga pikëpamja ekonomike, këto projekte janë investime të mirëfillta financiare prej miliona eurosh (në total), të cilat investohen në Shqipëri. Përfshirja e QKK në këto bashkëprodhime është vendimtare për thithjen e tyre, duke ju përgjigjur edhe politikave të qeverisë për tërheqjen e investimeve të huaja në vendin tonë.
Nga pikëpamja sociale përfitohet punësim, pasi në këto projekte janë përfshirë produksione shqiptare, gjithashtu, aktorët dhe stafi që kontribuojnë në film, janë në pjesën më të madhe shqiptarë. Nuk mund të lëmë pa përmendur përfitimin e madh nga pikëpamja e promovimit të Shqipërisë, në fushën e artit, kulturës dhe turizmit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.