TAP instalon turbo-kompresorët në Fier, ndikim pozitiv në gazifikimin e vendit

08/06/2018 2:32 PM 0 komente

Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) njoftoi se u krye instalimi i turbo-kompresorëve në stacionin e kompresorit në Fier. Turbo-kompresorët janë “zemra” e stacionit të kompresorit dhe do të luajnë një rol kyç për transportimin e gazit përmes tubacionit. Deri më tani kanë përfunduar rreth 30% e punimeve të përgjithshme për ndërtimin e stacionit të kompresorit në Fier dhe janë punësuar më shumë se 210 persona, 70% e të cilëve janë punëtorë lokal.

 Në ceremoninë e organizuar me këtë rast morën pjesë Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, Drejtori Menaxhues i TAP-it Luca Schieppati, Presidenti i TAP-it Walter Peeraer dhe Drejtori i Projektit të TAP, John Haynes.  Në aktivitet morën pjesë gjithashtu disa kryetarë bashkish, përfaqësues të autoriteteve vendore dhe Misioneve Diplomatike në Shqipëri, kontraktorë dhe partnerë të TAP, etj.

 Kryeministri Rama dhe Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Gjiknuri theksuan rolin pozitiv të TAP-it për ekonominë dhe rëndësinë strategjike që projekti ka për të ardhmen e vendit. Si një nga investimet më të mëdha të huaja në vend, TAP-i do të ketë një ndikim pozitiv në gazifikimin e vendit dhe në sektorin energjetik në përgjithësi. TAP-i do të nxisë investime të tjera të huaja dhe projekte energjetike si IAP-i, thanë ata.

 Drejtori Menaxhues i TAP-it Luca Schieppati tha: “Sot shënojmë një tjetër etapë në rrugëtimin energjetik të Shqipërisë. Ne besojmë se TAP-i do të bëhet një element kyç i këtij rrugëtimi të ardhshëm duke dhënë kontribut për sigurinë, diversifikimin dhe dekarbonizimin e energjisë. Duke përfituar nga mbështetja e vazhdueshme e Qeverisë Shqiptare, autoriteteve dhe komuniteteve vendore, TAP-i do të vazhdojë ndërtimin, duke realizuar një gazsjellës modern, të sigurt dhe të qëndrueshëm, që do të ndihmojë transportin e gazit në vend dhe më tej.”

 Drejtori i Projektit për TAP-in John Haynes shtoi: “Jemi një hap më pranë përfundimit të projektit dhe sjelljes së gazit në Evropë. Stacioni i Kompresorit të TAP-it në Fier është instalimi sipërfaqësor më i rëndësishëm. Në Fier do të jetë një nga pikat dalëse të TAP-it të planifikuara në Shqipëri. Për më tepër, kjo do të jetë pika e nisjes edhe për Gazsjellësin Jonian Adriatik (IAP), që do të rrisë më tej rëndësinë strategjike të Fierit dhe Shqipërisë në rajon e më gjerë.”

 Pjesëmarrësit në aktivitet patën mundësinë të shohin nga afër turbo-kompresorët dhe të mësojnë rreth disa prej sfidave të ndërtimit të stacionit të kompresorit në Fier. 

 Sipërfaqja e përgjithshme e stacionit të kompresorit në Fier është 162,970 m2, që është e barabartë me pothuajse 25 fusha futbolli. Punimet e ndërtimit priten të përfundojnë në Mars të vitit 2019 dhe stacioni i kompresorit pritet të jetë gati për funksionim në tremujorin e fundit të vitit 2019. 

 

Fakte dhe Shifra për Stacionin e Kompresorit

 

Kapaciteti në përfundim

·        Për fazën fillestare (2020), kapaciteti i sistemit mund të furnizojë rreth 10bcm/v (miliard metra kub në vit) gaz natyror, që është e barabartë me konsumin energjetik të rreth shtatë milion familjeve në Evropë. 

·        Kapaciteti i gazsjellësit mund të dyfishohet në 20 bcm/v (zgjerimi në të ardhmen), duke përdorur të njëjtën infrastrukturë gazsjellëse, dhe me shtimin e impianteve të kompresimit.

 

Teknologjia

·        Elementët më të ndërlikuara, nga ana teknike, e Stacionit të Kompresorit janë tre kompresorët dhe turbinat e gazit (“zemra” e stacionit) që janë prodhuar nga SIEMENS.

·        Kompresorët janë centrifugalë, të aftë ta ngjeshin gazin deri në 95 bar, nga një presion hyrës prej 59 bar.

·        Çdo kompresor vihet në punë nga një turbinë me gaz 11.3 MW e cila përdor si karburant gazin natyror që vjen nga tubacioni.

 

Materialet e përdorura

·        Punime mbi tokë – 320,000 m3 (rreth 17,800 kamionë)

·        Kolona guri – 4,687 kolona (57,000 m3)

·        Beton – 11,300 m3 (afërsisht 1,300 kamionë)

·        Tubacione – 2,115,000 kg

·        Kabllo elektrike – 140 km (nga Tirana në Vlorë)

·        Kabllo instrumentesh – 190 km (nga Tirana në Shkodër, vajtje-ardhje)

 

Punësimi në Stacionin e Kompresorit (ndërtimi dhe menaxhimi i kantierit)

·        Aktualisht janë rreth 210 punëtorë

·        Pritet të arrijë në më shumë se 250 punëtorë nga Korriku 2018 deri në vitin 2019.

·        70% e fuqisë punëtore janë vendas.

·        Për më tepër, aktivitetet jashtë kantierit por brenda Shqipërisë, si për shembull prodhimi i tubave dhe pajisjeve të çelikut, krijoi më shumë se 100 vende pune në kompani shqiptare në Fier, Tiranë, Elbasan dhe Korçë.

·        Nënkontraktorë shqiptarë: Vagalat, Gjoka, Heko, Elmazaj, APM, Albaelettrica dhe Renco.

 

Rreth Gazsjellësit Trans Adriatik (TAP)

TAP-i do të transportojë gaz natyror nga fusha gjigante e Shah Denizit II, në Azerbajxhan, në Evropë. Tubacioni, i gjatë 878 km, do të lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) në kufirin turko-grek, në Kipoi, duke kaluar përmes Greqisë, Shqipërisë dhe detit Adriatik, përpara se të mbërrijë në brigjet e Italisë së Jugut.

Rruga që përshkon TAP-i mund të lehtësojë furnizimin me gaz të disa vendeve të Evropës Juglindore, përfshirë Bullgarinë, Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Kroacinë dhe të tjera vende. Dalja në tokë e TAP-it, në Itali, ofron mundësi të shumta për transportimin e mëtejshëm të gazit natyror të Kaspikut në disa nga tregjet më të mëdha evropiane, si Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Zvicra dhe Austria.

TAP-i do të nxisë zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës përgjatë rrugës së tubacionit; ai do të jetë një burim i madh i investimeve të huaja direkte dhe kjo nuk varet nga grante apo subvencione. Pas shitjeve të para të gazit në Gjeorgji dhe Turqi, të synuara për fund-vitin 2018, prurjet e para në Evropë do të fillojnë përafërsisht me fillim-vitin 2020.

Aksionarët e TAP-it janë BP (20%), SOCAR (20%), Snam S.p.A. (20%), Fluxys (19%), Enagás (16%) dhe Axpo (5%).

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz