Tarifa lë nën hije takimin ndërmjet Kosovës dhe BE-së për MSA-në

18/12/2018 11:23 AM 0 komente

Kosova dhe Bashkimi Evropian kanë diskutuar në Bruksel për zbatimin e marrëveshjes së vetme kontraktuale që është nënshkruar deri më tash, atë të Stabilizim Asocimit. Njëherësh është bërë edhe një vlerësim i përmbushjes së agjendës evropiane.

Në Bruksel, po qëndron delegacioni qeveritar i Kosovës i kryesuar nga kryeministri, Ramush Haradinaj, i cili ka takuar Përfaqësuesen e Lartë, Federica Mogherini dhe Komisionarin për Zgjerim, Johannes Hahn.

Këto takime, po zhvillohen në kohën kur Bashkimi Evropian po insiston që Qeveria e Kosovës të shfuqizojë vendimin për tarifën 100 për qind ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Pas takimit të MSA-së, kryeministri i Kosovës Ramush Hardanaj tha se Kosova ka disa kërkesa legjitime ndaj Bashkimit Evropian, sidomos ato që kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave në mënyrë që qytetarët e Kosovës të mos mbeten të izoluar. Ai rikujtoi edhe faktin që Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret që i kishte kërkuar Bashkimi Evropian.

Ai e ka quajtur të padrejtë mbajtjen e qytetarëve të Kosovës të izoluar.

Po ashtu, Haradianj tha se ka kërkuar që dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë, duke kërkuar që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të kenë një rol më të madh në këtë proces. Përmes dialogut, Haradinaj tha se mund të zgjidhet edhe çështja e tarifës 100 për qind që Kosova u ka vënë prodhimeve me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

“Ne jemi të interesuar për një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Qeveria ka përgatitur një draft për këtë marrëveshje potenciale. Parlamenti ka votuar një delegacion dhe Qeveria merr përsipër për të përkrahur edhe presidentin edhe delegacionin në përfaqësimin e Kosovës në një materie gjithëpërfshirëse, mirëpo, nuk ka kohë të zgjidh pjesshëm problemet përfshirë edhe ato të taksës”, tha Haradinaj.

Ai shtoi se këto çështje duhet të zgjidhen përmes një marrëveshje gjithëpërfshirëse që nënkupton njohje e Kosovës, ulëse në OKB dhe anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.

Në seancën plenare të Këshillit të përbashkët të MSA-së, BE – Kosovë, e pranishme ka qenë edhe ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha.

Përmes një komunikate për media lëshuar nga Ministria e Integrimeve ministrja Hoxha ka shpreh shqetësimin për mosmarrjen e vendimit për liberalizimin e vizave, gjë e cila sipas Hoxha, vë në pikëpyetje kredibilitetin e BE-së dhe është zhgënjyese për qytetarët.

Ministrja Hoxha ka theksuar se është përshpejtuar zbatimi i reformave gjithëpërfshirëse për të përmbushur Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, duke u fokusuar në zbatimin e Agjendës Evropiane të Reformave.

Bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore, janë kapitull pozitiv i Kosovës, ka theksuar ministrja Hoxha, duke cekur pengesat që Kosova ka hasur në tregtinë e lirë.

“Kosova ka miratuar Pakon e ligjeve për Reformën e Administratës Publike dhe Programin e Menaxhimit të Financave Publike, përzgjedhjen në sektorin publik të nëpunësve civilë të lartë, racionalizimin e agjencive të pavarura për të rritur llogaridhënien, eliminimin e kompetencave të mbivendosura dhe sigurimin e një administrate publike më të strukturuar”, citohet të ketë thënë Hoxha.

Gjatë fundjavës, Bashkimi Evropian ka ritheksuar kërkesën për heqjen e taksës 100 për qind. Në një letër drejtuar kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, Bashkimi Evropian ka kërkuar që të anulohet kjo taksë.

BE e ka konsideruar taksën 100 për qind edhe si shkelje e Marrëveshjes për Tregti të Lirë CEFTA, anëtare e së cilës Kosova është që nga viti 2007.

Tërheqjen e taksës e ka kërkuar edhe ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas. Gjatë javës së kaluar ai i ka bërë thirrje Kosovës për të anuluar apo të paktën për ta pezulluar zbatimin e taksës prej 100 për qind që Qeveria e Kosovës ka vënë në mallrat e Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës.

Por, Qeveria e Kosovës, të paktën deri më tani, nuk është zmbrapsur nga vendimi për tarifën 100 për qind, i cili vazhdon të mbetet në fuqi. Sipas Prishtinës zyrtare, autoritetet e Serbisë në vazhdimësi kanë shkelur Marrëveshjen për Tregti të Lirë, të njohur si CEFTA.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është deklaruar në vazhdimësi se taksa nuk do të hiqet pa njohjen e Kosovës nga Serbia. Ndërsa Serbia, e cila eksporton në Kosovë mallra në vlerë prej mbi 400 milionë euro në vit kërkoi heqjen e taksës si kusht për vazhdimin e dialogut ndërmjet dy shteteve.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Naim Gashi, thotë për Radion Evropa e Lirë se mospajtimet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian nuk janë të mirëseardhura, mirëpo, siç thekson Gashi, BE në rastin e Kosovës nuk po sillet si ndërmjetësues i pavarur.

“Bashkimi Evropian nuk po e kryen rolin e një ndërmjetësuesi të paanshëm në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sepse në vazhdimësi po bën kërkesa për lëshime nga ana e palës kosovare dhe asnjëherë nuk po i bën vërejtje Serbisë sa i përket shkeljeve të vazhdueshme të marrëveshjeve si ajo për bllokimin e marrëveshjes me energji, për bllokimin e marrëveshjes për revitalzimin e urës mbi lumin Ibër, shpërbërjen e strukturave paralele në veri si dhe për aktivizimin e pikave të përbashkëta kufitare”

“Bashkimi Evropian dhe përfaqësuesja lartë e BE-së Federica Mogherini, janë bërë avokat të Beogradit në Bruksel dhe vazhdimisht kanë kërkesa nga pala e Kosovës që të bëjë lëshime me qëllim që Serbia të përparojë në procesin e integrimit evropian”, thotë Gashi.

Që nga viti 2016, shton Gashi, Kosova nuk ka asnjë përparim në raportet me BE-në, nuk ka liberalizim të vizave, Marrëveshja e Stabilizim Asociimit ka filluar, por ajo nuk zbatohet në tërësi, ndërsa sa i përket iniciativave rajonale siç është Komiteti i Energjisë, Kosova është e bllokuar nga Serbia.

Ai thotë se Kosova nuk do të duhej të tërhiqet në rastin e taksës 100 për qind për produktet e importuara nga Serbia dhe se sipas tij, Kosova duhet të vendos reciprocitet të plotë ndaj Serbisë.

“Serbia nuk e njeh shtetin e Kosovës, Serbia i lufton me tërë qenien interesat e qytetarëve të Kosovës, Serbia e dëshiron vetëm tregun e Kosovës për përfitime financiare. Përderisa Serbia sillet në raport kolonial ndaj Kosovës, unë mendoj se taksa nuk duhet të hiqet dhe institucionet duhet të vendosin një reciprocitet të plotëpër të gjitha fushat edhe në tregti edhe në fushën e njohjes së të gjitha dokumenteve, njohjen e diplomave dhe shpërbërjen e strukturave paralele të cilat e luftojnë shtetin e Kosovës nga brenda”, thotë Gashi.

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar masa shtesë reciprociteti ndaj Serbisë. Këto masa edhe pse ende nuk janë definuar sipas zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, është e pritshme që Qeveria si masë reciprociteti ndaj Serbisë të vendos ndalimin e hyrjeve të automjeteve me targa të Serbisë, duke vendosur procedurën e njëjtë që Serbia aplikon për targat e Kosovës.

Një masë tjetër kundër Serbisë paralajmërohet të jetë mosnjohja e dokumenteve të Serbisë, njësoj siç nuk i pranon Serbia dokumentet e Kosovës, të cilat kanë të bëjnë me cilësinë e produkteve dhe dokumente të tjera.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of