Banka e Shqipërisë dhe qeveria duhet të rishikojnë skenarët për inflacionin pas rritjes së tarifave të energjisë dhe ujit dhe taksave mbi karburantet, cigaret dhe tatimit mbi të ardhurat personale
Paketa fiskale e vitit 2015 mbart dhe një sërë risqesh të shtuara për inflacionin, të cilat duhet të merren në konsideratë nga Banka e Shqipërisë për vendimmarrjen e politikës monetare. Sigurisht që politika fiskale dhe ajo monetare kanë qëllime të ndryshme, por harmonizimi i tyre për stabilitetin makroekonomik dhe rritjen e ekonomisë reale, mbetet i domosdoshëm.
Relacioni i projektbuxhetit vjen me një paketë masash shtrënguese mbi disa taksa dhe tarifa, të cilat duke u bashkuar me rritjen e pritshme të çmimit të energjisë elektrike (deri tani kanë aplikuar për rritje çmimi OST dhe KESH), shtrenjtimin e tarifave të telefonisë fikse, tarifat e ujit etj., rrezikojnë të kenë efekte të forta në rritjen e inflacionit për vitin e ardhshëm.
Nga ana tjetër, vetë Banka e Shqipërisë, në raportin e politikës monetare për tremujorin e tretë të vitit, ka renditur disa faktorë që rrezikojnë rritjen e inflacionit, si rritje thuajse të njëjtë të M3-it (paraja gjithsej) në fund të vitit 2014 dhe rritje më të lartë deri në fund të vitit 2015, shtrenjtim të lehtë të yield-it të bonove të thesarit si rezultat i përditësimit me vlerat e ankandeve të fundit dhe të rivlerësimeve fiskale, si dhe aplikim të rritjeve shtesë nga jashtë (si vlerësime paraprake) për çmimet e drithërave dhe të grupit të mallrave të akcizës.
Banka Qendrore i është referuar informacionit të publikuar të Ministrisë së Financave për planin mbi rritjen e akcizave (të cigareve) për vitin 2015 dhe 2016 dhe e ka matur efektin e rritjes së tyre mbi çmimet e këtij grupi sipas të dhënave historike për rastet e mëparshme të rritjes së akcizës.
Lidhur me çmimin e pritshëm të energjisë elektrike, edhe Banka e Shqipërisë është shprehur e paqartë për skenarin që do të zbatojë Enti Rregullator i Energjisë, pasi deri më tani, e sigurt është vetëm heqja e fashës mbrojtëse për tarifën 7.7 lekë nën konsumin 300 kilovat/orë në muaj, por nuk dihet sa do të vendoset tarifa e energjisë për konsumatorët tariforë (familjarë dhe biznes) për vitin e ardhshëm, një aktor i rëndësishëm në matjen e inflacionit.
Taksa mbi karburantet, efektet zinxhir
Sipas relacionit të buxhetit “taksa e qarkullimit është një taksë tjetër që synohet të rritet me 10 lekë/litër për naftën dhe benzinën. Efekti në të ardhurat e buxhetit të shtetit vlerësohet të jetë rreth 5.6 miliardë lekë nga taksa e qarkullimit dhe 1.1 miliardë lekë nga TVSH-ja, për vitin 2015”.
Rreziku kryesor dhe me efekte zinxhir në indeksin e çmimeve të konsumit vjen kryesisht nga rritja me 10 lekë e taksës mbi karburantet, e cila pritet të ketë një efekt zinxhir në ciklin e prodhimeve dhe shërbimeve. Ashtu si vitin e kaluar kur u rrit taksa mbi qarkullimin me 7 lekë, qeveria argumenton se shtrenjtimi i kësaj takse nuk do të reflektohet në çmimin final për konsumatorët, por në këtë pikë e ka ndihmuar fati i rënies së çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare.
Argumentimi ekonomik i një takse në vlerë mbi mallin me kërkesë inelastike, siç është karburanti, konkludon në reflektimin e plotë të saj te konsumatori final, sepse ajo është taksë mbi konsumin/konsumatorin dhe jo mbi biznesin njëlloj si TVSH apo akciza në tërësi. Por “fati” i këtij viti ishte që kjo taksë humbi në uljen e çmimit të karburanteve, që reflektoi në një masë të ngjashme me taksën (rreth 10 lekë për litër) rënien e çmimeve në tregjet vendase që, gjithsesi, ishte shumë më pak se rënia e çmimeve në tregun botëror.
Në relacionin shoqërues, qeveria thotë se “për sa i përket ndikimit të rritjes së kësaj takse në çmimin final të shitjes me pakicë të naftës dhe benzinës, vlerësohet se kjo rritje takse nuk do të përkthehet në rritje çmimi, për arsye të rënies së çmimeve në tregjet ndërkombëtare. E njëjta rritje takse u bë edhe në Paketën Fiskale 2014, rritje e cila nuk u pasqyrua në rritjen e çmimit në tregun e brendshëm”.
Por, për të qenë të ndershëm me konsumatorët, ministrat e qeverisë duhet të argumentonim se edhe atë pak efekt pozitiv që ka për konsumatorin ulja e çmimit të naftës nga rënia e çmimit në bursat ndërkombëtare, nuk po ua lë atyre, por po e fut në buxhetin e shtetit.
Qeveria thotë se arsyet për ndryshimin e kësaj takse janë nevojat në rritje të mirëmbajtjes së infrastrukturës rrugore dhe se taksat gjithsej në benzinë dhe naftë janë 57 lekë/litër. Por qeveria ka parashikuar vazhdimin e rritjes së taksave mbi karburantin, kur thotë se Shqipëria ende nuk i plotëson kërkesat minimale të BE-së për akcizat e karburanteve motorike dhe se direktiva e BE-së 2003/96 kërkon një akcizë minimale prej 0,359 EUR (50 lekë) për litër për benzinën, 0.330 EUR (46 lekë) për litër në naftën (motorike).
Rritet akciza për cigaret, efekti në çmime tre muaj përpara
Në matjen e inflacionit duhet të rillogaritet efekti i rritjes së cigareve përpara hyrjes në fuqi të akcizës në janarin e vitit të ardhshëm, pasi disa kompani kanë zbatuar rritje 30 lekë për paketë që në fillim të muajit tetor të këtij viti.
Qeveria e justifikon rritjen e akcizës për duhanin, si një nga politikat e përdorura për frenimin dhe uljen e konsumit të cigareve nga popullata, duke rritur çmimin e shitjes së tyre. Sipas Paketës Fiskale, Shqipëria ka ende një nivel modest taksimi të cigareve dhe një rritje progresive është e nevojshme për t’u përafruar me nivelin minimal sipas BE-së.
Në muajin tetor 2014, Kuvendi miratoi rritje të akcizës së cigareve nga 4500 lekë/1000 copë (90 lekë /paketë), që ishte në 5500 lekë/1000 copë (110 lekë/paketë). Sipas parashikimeve, efekti pozitiv në të ardhurat e buxhetit të shtetit nga rritja e akcizës, për vitin 2015, parashikohet të jetë rreth 3.4 miliardë lekë nga akciza dhe 600 milionë lekë nga TVSH-ja. Ndryshe nga vitet e kaluara, këtë vit pritet të rritet edhe çmimi i duhanit të dredhur pasi Kuvendi miratoi edhe rritjen me 200% të akcizës së duhanit të dredhur.
Rritet tatimi mbi të ardhurat personale
Qeveria parashikon të mbledhë rreth 50 milionë dollarë nga rritja e Tatimit mbi të Ardhurat Personale (TAP) nga 10% në 15%, duke përjashtuar të ardhurat e përfituara nga paga. Sipas relacionit, efekti në të ardhurat e buxhetit të shtetit vlerësohet të jetë rreth 5 miliardë lekë për vitin 2015.
Më konkretisht, komponentët e TAP që ndryshojnë janë: tatimi mbi dividentin, interesat nga huat, depozitat ose kontrata të ngjashme, të ardhurat nga e drejta e autorit ose pronësia intelektuale, qiraja, të ardhurat nga lojërat e fatit, si dhe të gjitha shpërblimet apo të ardhurat e tjera. Këto masa vijnë në të njëjtën linjë me politikat afatmesme të qeverisë lidhur me qëndrueshmërinë fiskale.
Edhe rritja e këtyre taksave direkte do të ketë impakt mbi inflacionin dhe duhet të merret parasysh në skenarët e Bankës së Shqipërisë.
Rriten tarifat e rregulluara
Fryhen faturat kryesore nga rritja e tarifave të energjisë, ujit dhe telefonisë fikse. KESH, me fitime 93 milionë dollarë, kërkon rritje tarifash?!
Tre faturat kryesore mujore që paguan çdo familje, nga janari do të jenë më të larta dhe kjo, padyshim, do të reflektohet në rritjen e inflacionit, pasi energjia, uji dhe telefonia zënë peshën kryesore në shpenzimet e konsumatorëve.
Çudia më e madhe është që edhe kompanitë me fitime në sektorin energjetik si OST dhe KESH, kanë kërkuar rritje të tarifave për vitin 2014, pa pyetur që do të rëndojnë konsumatorët me çmime të kripura. Të dhënat nga QKR dhe të përpunuara nga “Monitor” tregojnë se në vlerë absolute, sipërmarrja që ka realizuar më shumë fitime është KESH, kompania shtetërore e prodhimit të energjisë elektrike, me një rezultat neto pozitiv para taksave prej 9.3 miliardë lekësh. Gjithashtu në top-listën e kompanive me fitim është edhe OST, 2.37 miliardë lekë fitime për vitin 2013. Por këto rezultate s’i kanë frenuar të dyja kompanitë të kërkojnë rritje të tarifave për vitin 2015 (shiko tabelat e rezultateve financiare të CEZ (OSHEE), OST dhe KESH.
Njëra pas tjetrës, kompanitë dhe entet rregullatore kanë njoftuar se faturat nga janari do të jenë më të “kripura” me bekimin e shtetit, nëpërmjet miratimit nga entet rregullatore. Ndryshe nga produktet e tjera për të cilat janë rritur taksat për këto tre shërbime bazike, tregu është i rregulluar, që nënkupton se tarifa nuk caktohet nga kompania, por nga entet publike si ERE, ERU dhe AKEP, të cilat, secila për llogari të kompanive që kanë licencuar, kanë njoftuar rritje çmimesh.
Energjia, e sigurt që çmimi do rritet, por sa?!
Enigma më e madhe për shqiptarët mbetet tarifa e re e energjisë elektrike kur e sigurt është vetëm heqja e fashës së çmimit 7.7 lekë për kilovat/orë deri në konsumin e 300 kilovat/orëve. Qeveria dhe ERE po mundohen të mbajnë të ndezur debatin publik rreth përdorimit të policisë për arrestimet e vjedhësve të energjisë, por efektet reale do t’i ketë tarifa e re e energjisë. Ditët e fundit ishte Korporata Elektroenergjetike Shqiptare që ka bërë kërkesë pranë Entit Rregullator të Energjisë, për rritjen e tarifës së energjisë, që ky institucion i shet Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE). KESH ka kërkuar që çmimi të rritet nga 2.2 lekë/kWh, në 3.4 lekë/kWh, një shtrenjtim prej 54%.
KESH është operatori i dytë që ka aplikuar për rritje, pas Operatorit të Sistemit të Transmetimit. OST (Operatori i Sistemit të Transmetimit) aplikoi që në shtator për rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Mësohet gjithashtu se ka dorëzuar kërkesën e saj pranë Entit Rregullator të Energjisë. Kërkesa konsiston në një rritje prej 10% të tarifës së transmetimit.
Pritet aplikimi i OSHEE
I vetmi operator që nuk ka aplikuar ende për tarifat e reja të energjisë është ai i shpërndarjes, që mbart në vetvete të gjithë efektin te konsumatori final. Ekspertët e rregullimit të tregut në ERE, po mendojnë për një zgjidhje në rregullimin e tarifave ndërmjet shoqërive KESH-OST-OSHEE, me ndikim të moderuar në rritjen e çmimeve të pakicës për klientët tariforë. Burimet nga Drejtoria e Rregullimit të Tregut konfirmuan se, për herë të parë, ERE do të tentojë të mos pranojë humbjet si element i kompanisë. Kjo do të thotë që çdo ndryshim tarifash nuk lidhet me humbjet e operatorit të shpërndarjes ose më qartë, qytetarët që e paguajnë energjinë, nuk do të jenë të detyruar ta paguajnë edhe për vjedhjet dhe humbjet në sistemin e shpërndarjes. Një skenar tjetër është një rritje e lehtë e tarifave të energjisë sa norma e inflacionit nga 2-3% dhe mbrojtja e shtresave sociale në nevojë nga kjo rritje.
Qeveria, nga ana e saj, ka deklaruar se nuk do të ketë rritje energjie për konsumatorët fundorë, por vetëm heqjen e fashës së 300 kWh.
Tarifa që paguajnë konsumatorët është 7.7 lekë/kWh deri në 300 kW, dhe mbi këtë fashë paguhet 13.5 lekë/kWh. Sipas të dhënave nga ERE, 76% e familjeve shqiptare konsumonin më pak se 300 kW në muaj në vitin 2013. Në dhjetor pritet që ERE të vendosë për tarifën e energjisë, por tashmë është e sigurt që faturat do t’i kemi më të shtrenjta vitin e ardhshëm.
Rritje edhe çmimi i ujit nga 10 ujësjellës
Në një sqarim për mediat, Enti Rregullator i Ujit ka pranuar se për vitin 2015, janë të paktën 10 shoqëri të ujësjellës-kanalizimeve që kanë aplikuar për rritjen e çmimeve. Në një njoftim për shtyp, ERU thotë se “me qëllim shmangien e të gjitha keqkuptimeve të mundshme që mund të kenë lindur në lidhje me aplikimet për ndryshim tarifash të 10 shoqërive të ujësjellësit, sqarojmë se këto aplikime të tarifave për shoqëritë UK, nuk janë aspak të lidhura me zhvillimet në sektorin energjetik dhe ndryshimet në çmimin e energjisë”.
Më tej, ERRU sqaron se “kostot e energjisë, janë pjesë e kostove operative që duhet të mbulojë çdo shoqëri UK, me qëllim ofrimin e shërbimit ujësjellës e kanalizime për konsumatorët, ashtu sikundër janë kostot e mirëmbajtjes, kostot e punës, etj.” Në konkluzion, ERRU ju bën me dije se rritja e çmimit të energjisë, nuk sjell detyrimisht edhe rritjen e tarifave të shërbimit ujësjellës e kanalizime.
AKEP: Në janar rriten tarifat e terminimit në telefoninë fikse
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka njoftuar se “nga muaji janar 2014, ka një rritje të tarifës së terminimit në segment lokal/njëfish, por kjo kompensohet nga reduktimi i tarifës në segment dyfish, si dhe reduktimi i tarifës për thirrje”. Sipas AKEP, reduktimi në korrik 2015 në raport me tarifat aktuale është 41-62% për tarifat e terminimit dhe 68% për tarifën e transitimit. AKEP ka miratuar së fundi për këshillim publik dokumentin “Rishikimi i tarifave të terminimit të thirrjeve në rrjetet fikse” dhe që nga korriku i vitit të ardhshëm, tarifa e terminimit në rrjetin ALBtelecom, do të jetë 0.7 lekë/minutë.
Ndryshime të rëndësishme lidhen me segmentet e tarifimit dhe nga janari i ardhshëm do të kryhet kalimi në një segment tarifimi. “Në këtë fazë (6 muaj) ka një rritje të tarifës së terminimit në segment lokal/njëfish, por kjo kompensohet nga reduktimi i tarifës në segment dyfish, si dhe reduktimi i tarifës për thirrje”, shkruhet në dokument.
Rriten edhe tarifat e universiteteve
Sikur të mos mjaftonin rritjet e taksave dhe tarifave të shërbimeve bazë, energjia dhe uji, qeveria ka rritur edhe tarifat e shkollimit për studimet në universitete. Me dy vendime të qeverisë, VKM nr. 517, datë 01/08/2014 dhe VKM nr. 668, datë 15/10/2014 janë rritur tarifat e shkollimit, të cilat nuk ishin ndryshuar prej vitesh sipas një politike populiste të qeverisë së kaluar, pavarësisht kërkesave të universiteteve për rritjen e tyre.
Për vitin akademik 2014-2015, tarifat vjetore të studimit në nivelin bachelor me kohë të plotë shkojnë 25 000 deri në 40 000 lekë. Fakulteti i Shkencave Sociale, Fakulteti i Drejtësisë dhe Fakulteti i Shëndetit Publik shfaqen si fakultetet me tarifa më të shtrenjta, prej 40 000 lekësh. Të dhënat e përpunuara nga Open Data tregojnë se, krahasuar me vitin akademik 2013/2014 tarifat vjetore të studimit në nivelin bachelor kanë pësuar një rritje të konsiderueshme në nivelin 11.5% deri në 39.5%. Nga rritja e tarifave janë prekur më shumë Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja dhe fakultete në përbërje të Universitetit Politeknik të Tiranës, ku krahasuar me një vit më parë, tarifat për studentët e këtyre fakulteteve kanë pësuar rritje deri në 39.5%.
Për programet e studimeve “Master”, Fakulteti Ekonomik, Fakulteti i Shëndetit Publik dhe ai i Shkencave Teknike Mjekësore renditen sërish si ndër fakultetet me tarifat më të larta. Në këto fakultete dhe në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, tarifa për programin e plotë master shkencor është 210 000 lekë. Tarifën më të ulët për programin e plotë master shkencor e ka Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike, me 144 000 lekë.
Rritjen më të madhe të tarifave të programeve master shkencor e ka pasur Fakulteti i Inxhinierisë Matematike dhe Fizike, ku krahasuar me vitin akademik të lënë pas, tarifat janë rritur me 18%. Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike, i cili ka tarifën më të ulët për programin master shkencor, ka pësuar dhe rritjen më të vogël të tarifave, me vetëm 0.9%.
Skenarët që rrezikojnë inflacionin:
-Rritja e tarifave të energjisë dhe heqja e fashës subvencionuese
-Rritja e tarifave të ujit
-Rritja e tarifës së telefonisë fikse
-Rritja e taksës së qarkullimit me 10 lekë/litër për naftën dhe benzinën
-Rritja e tatimit mbi të ardhurat personale nga 10% në 15%
-Faktorët monetarë rritje e M3-it
-Rritje të lehtë të yield-it të bonove të thesarit
-Risku i kursit të këmbimit (zhvlerësim i lekut kundrejt valutave)
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.