Volotea, kompania low cost e fluturimeve ajrore, është larguar nga Shqipëria duke ndërprerë fluturimet e saj përmes aeroportit të Rinas.
Por pak ditë më parë, kjo kompani ka ndërprerë në mënyrë të beftë fluturimet drejt dhe nga Shqipëria çka përbën një lajm jo të mirë për sektorin e turizmit.
Top Channel ka mësuar se shkaku i largimit të Voloteas, e cila aktualisht operon rreth 70 destinacione në Europë, janë tarifat dhe taksat e larta në aeroportin e Rinasit.
Për shkak se kompanitë low cost kanë marzhe të ulëta fitimi, ato nuk pranojnë të fluturojnë në aeroporte ku duhet të paguajnë taksa dhe tarifa relativisht të larta.
Në vitin 2014 një hetim i thelluar i Autoritetit të Konkurrencës gjeti se tarifat e aeroportit TIA janë të më larta se të njëjtat tarifa të krahasuara me vendet e rajonit, ndërkohë që veç tyre paguhet dhe një taksë 10 euro për biletë, e vendosur nga qeveria. Kjo ka bërë që disa kompani low cost, si RyanAir të refuzojnë fluturimet nga Shqipëria.
Tarifat dhe taksat e larta që aplikohen në aeroport kanë një efekt negativ të dyfishtë për turizmin, por edhe qytetarët. Përvecse rrisin çmimin e biletave për kompanitë ekzistuese, këto tarifa mbajnë jashtë kompanitë low cost.
Së fundmi qeveria ka urdhëruar një auditim financiar mbi koncesionin e aeroportit, për të parë nëse fitimet e koncesionarit kanë devijime nga skenari bazë i parashikuar në kontratën e koncesionit.
Top Channel
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.