Agjencia e Prokurimeve Publike i ka rekomanduar institucioneve shtetërore që në rastet e procedurave të prokurimit, kur kemi të bëjmë me planifikim territori, projektim, mbikëqyrje apo kolaudim të pranohen vetëm tarifa të argumentuara.
Në një dokument të firmosur nga Drejtorja e Përgjithshme e APP, Elona Hoxhaj, drejtuar jo vetëm autoriteteve kontraktore por edhe operatorëve ekonomikë thuhet se bazë e këtyre tarifave duhet të jetë një VKM e kaluar në vitin 2016, dhe në rastet kur vlera e propozuar është më e ulët ajo duhet të shoqërohet me dokumente shtesë.
Rekomandimi i APP drejtuar institucioneve dhe bizneseve
Rekomandim mbi mënyrën e përcaktimit të tarifave minimale të specifikuara në vendimin e Këshillit të Ministrave nr.354, datë 11.05.2016 “Për miratimin e manualit të tarifave për shërbime në planifikim territori, projektim, mbikqyrje dhe kolaudim.
Në lidhje me procedurat e prokurimit të cilat kanë si objekt shërbime në planifikim territori, projektim, mbikëqyrje dhe kolaudim për të cilat tarifat përcaktohen sipas vendimit të Këshillit të Ministrave nr.354 datë 11.05.2016 “Për miratimin e manualit të tarifave për shërbime në planifikim territori, projektim, mbikëqyrje dhe kolaudim”, me qëllim :
i) Respektimin nga autoritetet kontraktore/operatorët ekonomikë të normave minimale (vlerat minimale të lejuara) të specifikuara në këtë vendim.
Agjencia e Prokurimit Publik (në vijim APP) vendos të hartojë një material orientues I cili iu drejtohet të gjitha autoriteteve kontraktore të cilët përdorin këtë lloj procedure si dhe të gjithë operatorëve ekonomikë që marrin pjesë në këto procedura me përmbajtje si më poshtë vijon:
1. Për shërbimet e parashikuara në vendimin e sipërcituar APP rekomandon që krahas përllogaritjes së fondit limit (I cili përllogaritet nisur nga përqindja maksimale e lejuar) bëhet llogaritja e vlerës minimale të lejuar e (e cila përllogaritet nisur nga përqindja minimale e lejuar) në varësi të kategorisë dhe grupit tarifor ku bën pjesë objekti I prokurimit.
2. Në nenin 7, pika 3, e vendimit të sipërcituar parashikohet se “Në rrethana të jashtëzakonshme dhe nëse dokumentohet me shkrim tarifat mund të jenë më të ulëta sesa normat minimale, të specifikuara nga ky manual”.
Në këtë kontekst rekomandojmë që në rastet kur nuk dokumentohet rrethana e jashtëzakonshme autoritetet kontraktore gjatë vlerësimit të ofertave duhet t’i referohen vlerës minimale të përllogaritur në secilin rast në bazë të parashikimeve në VKM Nr.354 , datë 11.05.2016 “Për miratimin e manualit të tarifave për shërbime në planifikim territori, projektim, mbikëqyrje dhe kolaudim”
3. Në paraqitjen e ofertave në këtë lloj procedure prokurimi operatorët ekonomikë duhet të mbajnë në konsideratë edhe vlerat minimale të përllogaritura nga autoritetet kontraktore në zbatim të VKM 354.
Së fundmi APP tërheq vëmendjen e autoriteteve kontraktore për të respektuar me përpikmëri parashikimet ligjore të përcaktuara në ligjin nr.9643 datë 20.11.2016 “Për prokurimin publik” të ndryshuar si dhe parashikimet nënligjore të përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave nr.354 datë 11.05.2016 “Për miratimin e manualit të tarifave për shërbime në planifikim territori, projektim, mbikëqyrje dhe kolaudim” të cilat lidhen me rastin në fjalë.
Ky rekomandim i shtrin efektet për procedurat e prokurimit që shpallen pas publikimit të këtij rekomandimi në faqen zyrtare të APP.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.