Ministri i Energjisë dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri priti sot në një takim ambasadorin e Azerbajxhanit Z.Rahman Mustafayev.
Biseda mes z.Gjiknuri dhe Z.Mustafayev u përqëndrua kryesisht në çështjen e gazsjellësit TAP dhe ndikimit që ai pritet të ketë në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.
Ministri Gjiknuri deklaroi se duhen parë me shumë përparësi investimet në kuadër të gazifikimit ndërsa kompanive vendase duhet t’u krijohet mundësia për t’u përfshirë në këtë fazë të projektit.
Z.Gjiknuri u angazhua për krijimin e një sektori të veçantë në ministri, me specialistë për çështjen e gazit, ashtu sikurse në nivel ndërministror do të funksionojë një Task Forcë për të shtyrë përpara projektin TAP.
Ambasadori Mustafayev vlerësoi se Shqipëria ka potenciale të mëdha për të tërhequr investitorët e huaj ndërsa projekti i gazsjellësit TAP do t’i sigurojë përfitim të madh ekonomik në këndvështrimin e gazifikimit dhe diversifikimit të burimeve energjetike.
Z.Mustafayev shprehu gatishmërinë për të ndihmuar palën shqiptare dhe veçanërisht në aspektin teknik e në trajnimin e specialistëve të fushës së gazit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.