Administrata tatimore njofton se kalimi i biznesit të vogël në skemën e TVSH-së është një politikë e ndërmarrë nga qeveria shqiptare, me synim rritjen e formalitetit në ekonomi si dhe kontrollin e plotë të zinxhirit të transaksioneve të TVSH-së, me fokus biznesin e madh.
“Sikundër e kishim nënvizuar që në fillim të procesit, u provua që ky kalim nuk u shoqërua me kosto administrative për biznesin dhe as me penalitete për gabime në deklarata. Një premtim i mbajtur nga Administrata Tatimore, si rezultat edhe i zbatimit të Strategjisë së Informimit dhe Edukimit që preku çdo tatimpagues të vogël në të gjithë territorin e vendit. Që prej muajit Janar 2018 u ofrua asistencë për çdo biznes që do të përfshihej në skemën e TVSH, informim, edukim e trajnim, përmes vizitave në ambientet e bizneseve, asistencë në zyrat e Shërbimit të Tatimpaguesve dhe Këndet e Asistencës, dedikuara për biznesin e vogël, apo përmes komunikimit elektronik dhe Qendrës së Thirrjeve”, thute në njoftim.
11,493 subjekte të biznesit të vogël dorëzuan deklaratën e TVSH-së për periudhën Qershor 2018 pa asnjë penalitet.
Një tjetër fakt i nënvizuar gjatë gjithë procesit të informimit për kalimin e biznesit të vogël në skemën e TVSH-së, që sërish u provua i vërtetë, është se kjo masë nuk do të shkaktonte rritje të çmimeve në treg. Së bashku me INSTAT, Administrata Tatimore monitoroi çmimet e produkteve dhe kryesisht ndikimin që do të kishte skema e TVSH-së tek këta tatimpagues. Sipas të dhënave të fundit të INSTAT, në muajin gusht rritja e përgjithshme e çmimeve regjistroi një nivel 2.2%, pra qartësisht brenda intervalit të përcaktuar edhe nga Banka e Shqipërisë (2-4%).
Të dhënat që disponon Administrata Tatimore tregojnë se ritmi i rritjes së TVSH-së ka qenë pozitiv. TVSH-ja bruto u rrit me rreth 6.2% për periudhën Janar – Gusht 2018 në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ose në shifra rreth 1.9 miliardë lekë. Në muajin Gusht 2018 TVSH-ja bruto u rrit me rreth 21.4% ose me rreth 808 milionë lekë në krahasim me muajin Gusht 2017. Mbështetur në të dhënat dhe vlerësimet e DPT, edhe gjatë muajit shtator do të vijohet më të njëjtin trend rritës së të ardhurave nga TVSH-ja.
Së fundi, po në këtë kontekst, në periudhën Janar – Gusht 2018 janë regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit 13,600 biznese dhe janë çregjistruar vetëm 4,800. Efekti neto i rritjes së bizneseve të reja në 8-mujor është 8,800 biznese.
Administrata Tatimore, mbetet e angazhuar të asistojë, mbështesë, edukojë dhe informojë sipërmarrjen me qëllim rritjen e pajtueshmërisë me ligjin dhe pagimin vullnetar të detyrimeve ndaj shtetit. Në asnjë rast qëllimi ynë nuk është penalizimi i subjekteve, por nxitja e vetëkorrigjimit në favor të zbatimit të ligjit.
Administrata Tatimore do të vijojë të ndërmarrë hapa të mëtejshëm për të ndihmuar tatimpaguesit, të rrisin nivelin e njohurive dhe përmbushjes së detyrimeve ligjore, si dhe në drejtim të uljes së kostove administrative për biznesin, përfundon njoftimi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.