Tatimet: 30 prilli, afati i fundit i deklarimit për individët me të ardhura mbi 2 mln lekë

16/04/2018 10:40 AM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dëshiron të kujtojë se çdo individ rezident në Republikën e Shqipërisë, i cili përfiton të ardhura me burim në Republikën e Shqipërisë dhe jashtë saj, në shumën mbi 2,000,000 (dy milionë) lekë në vit, në mbështetje të Ligjit nr.8438 datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, është i detyruar të paraqesë Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave.

Deklarata Individuale Vjetore e të Ardhurave është e detyrueshme të paraqitet gjithashtu edhe nga individët jo rezidentë, të cilët realizojnë të ardhura të tatueshme, me burim në Republikën e Shqipërisë, në shumën mbi 2,000,000 (dy milionë) lekë.

Individët janë të detyruar të deklarojnë të ardhurat e tatueshme si më poshtë :

 

  • Të ardhura bruto nga paga apo shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit
  • Të ardhurat bruto nga dividenti
  • Të ardhurat bruto nga qiraja
  • Fitimi kapital nga shitja e pasurisë së palujtshme në pronësi të deklaruesit
  • Të ardhura bruto nga interesat bankare
  • Fitimi kapital i krijuar nga investimet në tituj apo nga pasuri të palujtshme
  • Shuma bruto të fituara nga lotaria apo lojëra të tjera të fatit.
  • Të ardhurat bruto nga pasuria intelektuale, licencat, të drejtat ekskluzive dhe pasuritë e tjera, që përbëhen vetëm nga të drejta dhe që nuk kanë formë fizike.
  • Fitimi kapitali nga dhurimi.
  • Të ardhura bruto të realizuara jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
  • Të ardhura bruto të tjera të papërmendura më lart

Çdo individ, i cili është i detyruar të paraqesë Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave, duhet të bëjë kujdesin e duhur për plotësimin e saktë të të dhënave të deklaratës dhe sidomos për llogaritjen e tatimit mbi të ardhurat nga punësimi, në rastet kur individi përfiton dy apo më shumë paga në një muaj nga punëdhënës të ndryshëm.

Plotësimi i pasaktë i Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave mund të shkaktojë vendosjen e penaliteteve për individin deklarues.

Tatimi i llogaritur mbi pagat dhe shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit për individët, është kuti e lirë boshe në deklaratë dhe plotësohet nga vetë deklaruesi.

Individi deklarues, do të llogarisë tatimin mbi të ardhurat personale nga pagat dhe shpërblimet për të gjitha të ardhurat nga pagat që përfitohen gjatë muajit, edhe në rastin kur ai i përfiton këto paga nga punëdhënës të ndryshëm. Në rastin kur shuma e të ardhurave të përfituara gjatë muajit nga dy apo më shumë paga tek punëdhënës të ndryshëm e kalojnë vlerën që tatohet me zero përqind (30,000 lekë), tatimi do të llogaritet mbi totalin e të ardhurave mujore nga pagat (totali i të ardhurave nga pagat tek të gjithë punëdhënësit).

Në bazë të shumës së pagave të përfituara në total nga të gjithë punëdhënësit, individi bën llogaritjet sipas skemës së mëposhtme :

 

  • Për shumën e pagave mujore deri 30.000 lekë tatimi është zero përqind
  • Për shumën e pagave mujore nga 30.001 lekë – 130 000 lekë tatimi është 13 përqind e shumës mbi 30 000 lekë
  • Për shumën e pagave mujore nga 130 001 lekë e më tepër tatimi është 13,000 lekë plus 23 përqind e shumës mbi 130,000 lekë

 

Tatimi i llogaritur në këtë mënyrë për çdo muaj të vitit, mblidhet për të 12 muajt e vitit dhe hidhet në një shumë të vetme në kutinë 4 të deklaratës, e cila përfaqëson tatimin vjetor të llogaritur për pagat dhe shpërblimet.

Në kutinë 22 të deklaratës, individi do të shënojë shumën e tatimit të paguar dhe të mbajtur në burim nga cdo punëdhënës gjatë gjithë muajve të vitit.

Diferenca midis tatimit të llogaritur, të shënuar në kutinë 4 të deklaratës, me shumën e tatimit të paguar, të mbajtur në burim nga punëdhënësit, të shënuar në kutinë 22 të deklaratës, përfaqëson shumën e detyrimit që duhet të paguajë individi në administratën tatimore për llogari të të ardhurave të tij vjetore nga punësimet.

Shuma e tatimit të llogaritur, të vendosur në kutinë 4 të deklaratës, në asnjë rast nuk mund të jetë më e vogël se tatimi i mbajtur në burim dhe i paguar nga punëdhënësi për të ardhurat nga pagat dhe shpërblimet në lidhje me marrëdhëniet aktuale të punës gjatë vitit të vendosur në kutinë 22 të deklaratës.

Në rastin e individëve, të cilët në asnjë muaj të vitit nuk kanë qenë të dypunësuar, shuma e tatimit të llogaritur, të vendosur në kutinë 4 të deklaratës, është gjithmonë e barabartë me tatimin e mbajtur në burim dhe të paguar nga punëdhënësi për pagat dhe shpërblimet në lidhje me marrëdhëniet aktuale të punës gjatë vitit, të vendosur në kutinë 22 të deklaratës.

Shpenzime të zbritshme

Përfitojnë zbritjen e shpenzimeve tatimpaguesit, të cilët nuk janë subjekt i deklarimit  dhe kanë të ardhura bruto vjetore nga të gjitha burimet deri në shumën 1 050 000 (një milion e pesëdhjetë mijë) lekë në vit (e indeksueshme çdo vit), por jo më të lartë se kjo shumë, të cilët mund të jenë subjekte deklaruese.

Për efekt të llogaritjes së të ardhurës së tatueshme këta individë plotësojnë deklaratën vjetore të të ardhurave dhe përfitojnë shpenzimet e zbritshme, si më poshtë:

 

– shumën e interesit bankar të kredisë së marrë për shkollim, për vete apo për fëmijët dhe personat në kujdestari;

– shpenzimet për mjekim, për vete apo për fëmijët dhe personat në kujdestari, për pjesën e pambuluar nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor, sipas përcaktimeve të rregulluara me vendim të Këshillit të Ministrave.

 

Kreditimi i shumave të përfituara nga skema e shpenzimeve të zbritshme  kryhet brenda datës 30 shtator të vitit që pason periudhën tatimore, për të cilën është hartuar deklarata.

 

Personat jorezidentë nuk përfitojnë nga e drejta e llogaritjes së shpenzimeve të zbritshme.

 

Deklarimi i të ardhurave, përveç se është detyrim ligjor, i çdo individi subjekt i deklarimit, është edhe një garanci më shumë, lidhur me justifikimin e pasurisë së tij.

 

KUJDES!

Deklarata për të ardhurat e përfituara në vitin 2017, dorëzohet vetëm në rrugë elektronike, nëpërmjet sistemit  e-Filing, jo më vonë se data 30 prill e vitit 2018.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of