Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në rubrikën “Tatimet Këshillojnë” ka publikuar materialin mbi pagesat dhe rimbursimin e tatimit.
Tatimpaguesit janë të detyruar të paguajnë detyrimet e tyre tatimore brenda afateve të parashikuara në ligjin Nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar. Në rastin e një “Njoftim vlerësimi” të lëshuar nga Administrata Tatimore, detyrimi tatimor i vlerësuar duhet të paguhet brenda 30 ditëve kalendarike nga data e hyrjes në fuqi të tij. Detyrimet tatimore paguhen në bankat dhe në institucionet e tjera që kanë lidhur marrëveshje me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, për të pranuar këto pagesa. Kur afati i fundit për pagesën e detyrimit tatimor bie në ditë pushimi, data e pagesës së tatimit është dita e parë e punës, pas kësaj dite dhe pagesat tatimore kryhen në lekë.
Detyrimet tatimore të paguara tepër
Kur shuma e detyrimit tatimor të paguar është më e madhe se shuma e tatimit të vlerësuar në njoftimin e vlerësimit tatimor apo në deklaratën tatimore, Administrata Tatimore e kalon shumën e paguar më tepër për llogari të detyrimeve të tjera tatimore, të papaguara nga personi i tatueshëm. Ky rregull zbatohet në mënyrë automatike edhe në rastin kur personi i tatueshëm rezulton me tepricë kreditore të TVSH-se, e cila ka plotësuar kushtet ligjore për t’u rimbursuar. Në rast se shuma e tepricës së kredisë tatimore është më e madhe se shuma e detyrimeve të tjera tatimore të papaguara të personit të tatueshëm, diferenca e mbetur, sipas kërkesës me shkrim të personit të tatueshëm, mund të rimbursohet automatikisht për personin e tatueshëm, brenda 30 ditëve kalendarike nga data e derdhjes së shumës së paguar më tepër apo nga data e plotësimit të kushteve ligjore për rimbursim ose të kalohet për llogari të detyrimeve tatimore të ardhshme të tatimpaguesit.
Rimbursimi i TVSH-së së miratuar, kompensimi i detyrimeve tatimore
Tatimpaguesit i lind e drejta të kërkojë rimbursimin e TVSH-së nëpërmjet një kërkese, duke përcaktuar në këtë të fundit shumën që do të kalojë për kompensim të detyrimeve tatimore të papaguara, nëse ka të tilla, përveç detyrimeve për sigurime shoqërore dhe shëndetësore, si dhe shumën që do t’i rimbursohet nëpërmjet thesarit. Brenda 60 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës për rimbursim dhe 30 ditëve për tatimpaguesit eksportues, kryhet procedura e rimbursimit dhe miratohet tepricën e TVSH-së së zbritshme si të rimbursueshme. Rimbursimi i TVSH-së kryhet nëpërmjet sistemit të thesarit, brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës së eksportuesve të kategorizuar sipas vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 953, datë 29.12.2014 “Për dispozitat zbatuese të ligjit nr. 92/2014, “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar” dhe brenda 60 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës për tatimpaguesit joeksportues. 2 Tatimpaguesit, sipas rastit, i nënshtrohen ose jo analizës së riskut, përpara kryerjes së rimbursimit.
Procedura e rimbursimit
Për efekt rimbursimi, shuma e kërkuar për rimbursim duhet të përputhet me shumën e TVSH-së së zbritshme që rezulton në llogarinë e tatimpaguesit. Për tatimpaguesit e përcaktuar eksportues, kërkuar për rimbursim duhet të jetë më e madhe se 400,000 lekë, ndërsa për tatimpaguesit e tjerë joeksportues, duhet të rezultojnë me TVSH-në të zbritshme për secilën nga tri periudhat e njëpasnjëshme, shumë e cila pas këtyre tri periudhave duhet të jetë më e madhe se 400,000 (katërqind mije) lekë. Kërkesa konsiderohet e parregullt dhe nuk pranohet nëse pas verifikimit paraprak të kërkesës për rimbursim rezulton se kriteret nuk janë plotësuar. Në rastin kur tatimpaguesi e kërkon, radha e kompensimit të detyrimeve (sipas llojit të tyre) duhet të përcaktohet nga personi i tatueshëm, si dhe përparësia e kompensimit do të bëhet sipas plotësimit (radhitjes) së rubrikave për llojin e tatimit në formularin “Kërkesë për rimbursim”, i cili plotësohet në momentin kur tatimpaguesi kërkon rimbursimin e shumës së TVSH-së.
Kujdes!
Në rastin kur Administrata Tatimore ka verifikuar, vlerësuar dhe njoftuar me shkrim se nuk plotësohen kushtet ligjore për rimbursimin e TVSH-së, duke dhënë edhe sqarimet përkatëse, tatimpaguesi nuk mund të pretendojë t’i rimbursohet TVSH-ja e kërkuar dhe as të kalojë TVSH-në e pretenduar për rimbursim, për llogari të detyrimeve të tjera.
Kamatëvonesa
Në rastet kur një person i tatueshëm ,nuk paguan shumën e plotë të detyrimit tatimor brenda afateve të përcaktuara, ai detyrohet të paguajë kamatëvonesa mbi shumën e detyrimit tatimor të papaguar, duke filluar nga data në të cilën pagesa ka qenë e detyrueshme për tu paguar, deri në datën në të cilën pagesa kryhet. Në rast rimbursimi për tatimpaguesin nga Administrata Tatimore, i cili nuk kryhet brenda 30 ditëve kalendarike, administrata tatimore paguan kamatëvonesë për shumën e paguar më tepër nga personi i tatueshëm.
Marrëveshja e pagesës me këste
Kur tatimpaguesi, gjendet në situatë të përkohshme, jo të favorshme financiare, mund të kërkojë të paguajë me këste një detyrim tatimor të papaguar. Për të gjykuar në lidhje me pamundësinë financiare mund të shërbejnë pasqyrat financiare të shoqërisë, gjendja e detyrimeve, kapitaleve të shoqërisë, aftësia qarkulluese e inventarit, likuiditetet etj. Subjekti dorëzon në Drejtorinë Tatimore Rajonale përkatëse një kërkesë me shkrim, lidhur me marrëveshjen dhe gjithashtu paguan menjëherë 20% të vlerës së detyrimit. 3 Marrëveshja për pagesë me këste mund të lidhet për detyrime tatimore si rezultat i vetëdeklarimit (vetëvlerësimit), si dhe për detyrime tatimore si rezultat i vlerësimit tatimor të kryer sipas nenit 68 të ligjit “Për procedurat tatimore në RSH”. Marrëveshja për pagesë me këste nuk mund të lidhet në rastet kur ka filluar mbledhja me forcë e detyrimeve tatimore për tatimpaguesin.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.