Tatimet nisin kontrollet në terren

08/11/2018 1:48 PM 0 komente

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka njoftuar se në dy muajt në vijim do të jenë në terren në kuadër të fushatë anti informalitet. Subjektet që do të kontrollohen dhe verifikohen do të përcaktohen me anë të analizës së riskut.

Drejtoria e Hetimit Tatimor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, përmes strukturave të saj, ka nisur zbatimin e planit operacional për periudhën 1 nëntor -31 dhjetor 2018.

Qëllimi i zbatimit të këtij plani është parandalimi, ndërgjegjësimi, evidentimi dhe goditja e paligjshmërisë në fushën e tatim-taksave, si dhe marrja e masave administrative përkatëse ndaj shkeljeve tatimore.

Fokusi kryesor i punës së strukturave hetimore do të jetë kontrolli në zonat me aktivitet të lartë ekonomik, në subjektet më të frekuentuara gjatë periudhës së festave, si dhe në tregje e transport.

Objektivat kryesorë të tij janë:

Garantimi i përmbushjes vullnetare dhe zbatimi i legjislacionit tatimor;

Kontrolle në tatimpagues që rezultojnë me rënie të xhiros krahasuar me një vit më parë;

Faturimi dhe lëshimi i kuponit tatimor;

Identifikimi i tatimpaguesve që përdorin pajisje jo-fiskale në vendbiznes.

 

Plani operacional do të shtrihet për zbatim në qendrat e qyteteve kryesore në të gjithë territorin e vendit : Tiranë, Fier, Durrës, Elbasan, Korçë, Shkodër, Berat, Lezhë, Gjirokastër, Vlorë, Kukës, Dibër, Sarandë.

Administrata Tatimore në asnjë rast nuk ka si qëllim ndëshkimin e tatimpaguesve, por ndërgjegjësimin e tyre për vetëdeklarimet dhe përmbushjen me korrektësi të detyrimeve tatimore.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of