Tatimet: Agjentët e shoqërive të sigurimit dhe agjencitë e udhëtimit të përdorin pajisjet fiskale

19/04/2019 1:17 PM 0 komente

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve u tërhoqi vëmendjen sot agjentëve të shoqërive të sigurimit detyrimin për përdorimin e pajisjeve fiskale, që buron nga ligji nr. 9920, datë 19.05.2008, “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë” dhe më konkretisht nenin 54 dhe 55.

Këto tatimpagues kanë detyrimin të përdorin pajisjet fiskale për dokumentimin e transaksioneve ndaj klientëve, pavarësisht se janë institucione financiare. Ky detyrim vlen edhe për agjencitë e udhëtimit.

Në dispozitat ligjore të referuara më sipër përcaktohet se: “Të gjithë tatimpaguesit e shitjeve me pakicë, që shesin mallra apo ofrojnë shërbime në mjedise apo njësi të përhershme, të hapura për publikun, duhet të instalojnë pajisje fiskale dhe të lëshojnë kupona tatimorë për çdo transaksion.

Subjektet, që detyrohen të lëshojnë kupona tatimorë lëshojnë njëherazi edhe faturë, nëse shitja apo shërbimi i kryer është për një përdorim tregtar dhe, për këtë shkak, blerësi është i detyruar ta kërkojë faturën.

Gjithashtu në nenin 55, pika 1, përcaktohet se : “Tatimpaguesit, që kryejnë qarkullimin e mallrave dhe të shërbimeve, për të cilat pagesat nuk kryhen nëpërmjet bankës, janë të detyruar të instalojnë dhe të përdorin sistemin fiskal, nëpërmjet përdorimit të pajisjeve fiskale, për regjistrimin e pagesave me parw në dorë dhe për lëshimin, në mënyrë të detyrueshme, të kuponit tatimor”.

Qëllimi i Administratës Tatimore është trajtimi i njëjtë dhe në mënyrë të barabartë i të gjithë tatimpaguesve, si dhe respektimi korrekt e i njëjtë i dispozitave ligjore nga ana e tyre.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of