Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka njoftuar se të gjithë tatimpaguesit duhet të dorëzojnë kontratë qirasë apo dokumentin e pronësisë së ambientit ku ushtrojnë aktivitetin.
Bazuar në ligjin nr.8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, nenin 33, gërma ë), të gjithë tatimpaguesit që ushtrojnë aktivitet, duhet të dorëzojnë në Drejtorinë Rajonale Tatimore një kopje të kontratës së qerasë apo të kontratës së pronësisë së ambientit.
Në zbatim të dispozitës ligjore të sipërpërmendur, tatimpaguesit që ushtrojnë aktivitet në ambientet e marra me qira duhet të llogaritin, mbajnë dhe derdhin për llogari të organeve tatimore, tatimin në burim deri në datën 20 të muajit pasardhës të kryerjes së pagesës së qerasë.
Tatimi mbi qiranë llogaritet mbi vlerën reale të qerasë e cila në asnjë rast nuk mund të jetë më e vogël se vlera minimale e qerasë e përcaktuar me VKM-në nr.469, datë 03.06.2015 “Për përcaktimin e vlerës minimale të çmimit të referencave të qirave të ndërtesave për qëllime tatimore”.
Moszbatimi i këtij detyrimi ligjor përbën shkelje administrative e cila penalizohet sipas dispozitave të ligjit nr.9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.