Tatimet fillojnë kontrollin e pagave, shumë profesione deklarojnë nën nivelin e tregut

15/08/2018 11:14 AM 0 komente

Drejtoria e Riskut, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, njofton se ka filluar të marrë në analizë nivelin e deklarimit të pagave të punonjësve për profesione të ndryshme, duke i krahasuar me pagat reale të tregut të punës.

Nga këto analiza, është konstatuar se disa punëdhënës deklarojnë paga, për profesione të caktuara, që janë ndjeshëm nën nivelin mesatar të tregut apo janë afër pragut të pagës minimale të përcaktuar për efekt të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Për këtë arsye, DPT, inkurajon tatimpaguesit që të përmbushin në mënyrë korrekte detyrimet, si dhe të reflektojnë në deklarimin real të pagave të punonjësve të tyre.

Administrata Tatimore do të vazhdojë të monitorojë këtë fenomen dhe për çdo parregullsi apo mosveprim korrigjues, do të vijojë me marrjen e masave që parashikon legjislacioni në fuqi, përfundon njoftimi i tatimeve.

 

Evazioni në paga, më i larti në rajon

Tatimet kanë tentuar shumë herë që ta luftojnë këtë dukuri. Në vitin 2007, ministri i atëhershëm i Financave, Ridvan Bode, vendosi paga referencë në sektorin privat, të cilat u detyrua t’i hiqte në vitin 2012, pasi binte në kundërshtim me parimet e BE, teksa shihej si një dhunim i së drejtës së tregut të lirë në përcaktimin e pagave, ku tashmë ishte qeveria ajo që diktonte nivelin e tyre, dhe jo biznesi.

Më pas kanë vijuar përpjekjet indirekte për të ulur evazionin në paga, që gjithsesi mbetet më i larti në rajon. Shqipëria ka sot nivelin më të ulët të mbledhjes së sigurimeve shoqërore e shëndetësore në rajon, me rreth 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga 10% që është mesatarja e rajonit. Shumë kompani private deklarojnë paga minimale për punonjësit e tyre, kur paga reale është shumë më e lartë.

Së fundmi, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka njoftuar tatimpaguesit se, duke filluar nga data 1 korrik, listëpagesat do të reflektojnë kodet e rishikuara sipas Listës Kombëtare të Profesioneve të miratuar me VKM, nr. 514, datë 20.09.2017 dhe të publikuar në Fletoren Zyrtare Nr. 169, datë 22 shtator 2017.

Sipas njoftimit të Tatimeve, këto ndryshime kanë të bëjnë kryesisht me shtimin e disa kategorive të reja të profesioneve, ndryshime në kategoritë ekzistuese, si dhe pavlefshmërinë e disa kategorive të Listës Kombëtare të Profesioneve të përdorura deri para hyrjes në fuqi të vendimit të mësipërm.  http://www.monitor.al/profesionet-e-reja-dhe-ato-qe-po-dalin-nga-moda-ne-shqiperi/

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of