Keni deklaruar rënie të dukshme të xhiros, nuk keni lëshuar kuponë tatimorë, nuk keni transmetuar të dhënat ditore, apo keni punonjës të pasiguruar?! Atëherë jeni vënë në “radarin” e Tatimeve dhe mos u çudisni aspak kur në derën tuaj të trokasin inspektorët, madje edhe t’ju bllokojnë aktivitetin…
Nga një vëzhgim që “Monitor” ka bërë në terren ka vërejtur raste të mbylljes së aktiviteteve që janë vënë nën hetim nga administrata tatimore.
Drejtoria e Përgjithshme të Tatimeve, e kontaktuar nga “Monitor”, pohon se tashmë është ndërtuar një strategji e bazuar në analizën e vlerësimit sipas elementeve të riskut. Pra, kjo mënyrë e re veprimi, nuk përfshin verifikime në front të gjerë pa dallim ndaj bizneseve, ndaj atyre që respektojnë apo ndaj atyre që nuk respektojnë detyrimet e tyre.
“Biznesi duhet të kontrollohet, por këto kontrolle po programohen që të jenë të jenë të targetuara.
Nisur nga ushtrimi i së drejtës së kryerjes së funksionit, nga Drejtoria e Hetimit Tatimor ka nisur ndërkohë një verifikim i territorit, kryesisht në qytetin e Tiranës.
Objektivi është i mirëpërcaktuar, pra janë ata tatimpagues për të cilët ka të dhëna që ka rënie të dukshme të nivelit të xhiros së deklaruar, ku ka tatimpagues të cilët nuk transmetojnë ose mbyllin pajisjet e tyre fiskale si dhe që kryejnë aktivitet pa lëshuar kupon tatimor.
Sinjalet për këto dukuri shikohen në kohë reale nga sistemet elektronike të tatimeve, pra administrata tatimore është në gjendje të shikojë të gjithë tatimpaguesit në mënyrë nominale, sa herë përdorin kasën, kur e fikin atë, sa kuponë lëshojnë në ditë, sa është xhiroja ditore etj., dhe mbi bazën e këtyre monitorimeve, orientohen edhe verifikimet në terren”, bën të ditur Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT).
Sipas saj, kryesisht verifikimet në terren përqendrohen në:
-Verifikimin nëse subjekti është i regjistruar, pra është formal apo informal
-Verifikimin e instalimit dhe funksionimit të pajisjes fiskale
-Verifikimin e lëshimit të rregullt të kuponit tatimor
-Verifikimin e përputhshmërisë së numrit real të të punësuarve me atë të deklaruar në listë-pagesë
-Verifikimin e mbajtjes së dokumentacionit tatimor në momentin e kontrollit.
Tatimet sqarojnë se këto verifikime, janë të natyrës funksionale, në ushtrim të së drejtës së administratës tatimore për të kontrolluar. “Ato janë pjesë rutinë e punës së strukturave operacionale të administratës që lidhen me monitorimin e terrenit. Objektivi është që të krijohet një mundësi e barabartë për çdo sipërmarrës që ushtron biznes në vend, në kushte të njëjta konkurrence. Pra, duke synuar minimalizimin dhe zhbërjen e çdo aktiviteti informal, të çdo konkurrence të pandershme të nxitur nga veprime evazioni, që është në fakt në dëm jo vetëm të mbledhjes së të ardhurave fiskale por edhe të vetë bizneseve të rregullta.
Kjo strategji, që është duke u zbatuar me anë të programeve operacionale, do të vazhdojë shtrirjen në të gjithë vendin dhe për më tepër, jo vetëm është kërkuar, por edhe po mbështetet nga të gjithë bizneset që operojnë ndershmërisht në përmbushjen e detyrimeve të tyre fiskale”, bën të ditur DPT.
Si kryhet hetimi tatimor
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve sqaron se kontrolli i veprimtarisë së tatimpaguesve, është një nga funksionet e administratës tatimore dhe përpos kësaj, ekziston edhe funksioni i veçantë që lidhet kryesisht me strukturat e hetimit tatimor.
Ligji nr. 9920, datë 19.5.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, në nenin 80 të tij ka përcaktuar qartë të drejtën e administratës tatimore për të kontrolluar saktësinë e të gjitha dokumenteve, që kanë të bëjnë me statusin ligjor, rezidencën, veprimtarinë ekonomike, pagesat dhe detyrimet tatimore, të tatimpaguesve.
Në zbatim të këtij ligji, Udhëzimi i Ministrisë së Financave nr.24, datë 2.09.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, në pikën 80.3 të tij ka përcaktuar llojet e kontrolleve tatimore, që janë:
Kontroll tatimor i plotë në vend
Këto kontrolle janë gjithëpërfshirëse dhe ndërmerren për:
– të kontrolluar të gjitha aspektet e biznesit të personit të tatueshëm
– të gjitha periudhat kohore që nga kontrolli i plotë i fundit dhe
– të gjithë llojet e tatimeve.
Këto kontrolle kryhen bazuar në analizën e riskut.
Vizitat fiskale
Këto janë kontrolle të shkurtra të kryera gjatë një periudhe të shkurtër kohore për të verifikuar:
– saktësinë e deklaratave dhe pagesave
– vetëm për një periudhë të caktuar tatimore
– vetëm për një lloj tatimi.
Në rastet kur nga këto vizita fiskale konstatohen probleme serioze dhe dyshime të bazuara për fshehje tatimi, kontrollori propozon kryerjen e një kontrolli të plotë në vend.
Këto dy lloje kontrollesh kryhen nga strukturat që janë pjesë përbërëse e funksionit të kontrollit tatimor të administratës tatimore.
Ndërsa strukturat që janë pjesë e funksionit të Hetimit Tatimor, kanë në përbërje të tyre njësitë e zbatimit, të cilat kryejnë verifikime, që emërtohen si “verifikime në vend” në të gjithë territorin e vendit.
Këto verifikime synojnë zbulimin në kohë të shkeljeve që kanë lidhje me:
– regjistrimin e personave të tatueshëm (identifikimin e personave të paregjistruar)
– me përdorimin e pajisjeve fiskale
– me përdorimin e pullave fiskale në mallrat e akcizës
– me dokumentimin e mallrave në ruajtje, përdorim dhe transport
– me dokumentimin e shitjeve dhe lëshimin faturave tatimore, etj.
Njoftimi
Administrata tatimore sqaron se ato kryhen pa njoftimin paraprak të personave të tatueshëm, por vetëm nëpërmjet prezantimit në momentin e verifikimit, të dokumentit personal të verifikuesit dhe urdhrin e ditës, të lëshuar nga drejtuesi i Drejtorisë së Kontrollit për verifikime në vend.
—————————-
Analiza e riskut:
Financat kërkojnë auditues për certifikimin e deklaratave tatimore
Tatimet pritet të nisin një fazë të rëndësishme të luftës kundër informalitetit, atë të certifikimit nga shoqëritë audituese të deklaratave tatimore të bizneseve, që do të përzgjidhen për kontroll nga analiza e riskut.
Ministria e Financave ka ftuar të gjitha shoqëritë audituese të marrin pjesë në procesin e përzgjedhjes për t’u listuar si shoqëri audituese e kualifikuar për certifikimin e deklaratave tatimore. Dokumentacioni duhet të dorëzohet brenda datës 22.03.2017, pranë protokollit të Ministrisë së Financave në adresën: Blv “Dëshmorët e Kombit”, nr.3, në një zarf të mbyllur me mbishkrimin “Për komisionin e përzgjedhjes së shoqërive audituese, për listim”.
Duke vlerësuar maksimalisht kontributin e shoqërive audituese në certifikimin e deklaratave tatimore, certifikim i cili do të shërbejë si element në analizën e riskut të tatimpaguesit, inkurajomë të gjitha shoqëritë që plotësojnë kriteret, të marrin pjesë në procedurën e konkurrimit për listimin e shoqërive audituese, thuhet në njoftimin zyrtar të shpalljes së procedurës konkurruese.
Ky proces zhvillohet në zbatim të nenit 80 të ligjit të procedurave tatimore, i cili parashikon që administrata tatimore kontrollon deklaratat tatimore, llogaritë, librat dhe regjistrimet tatimore të tatimpaguesit, përfshirë të gjithë dokumentacionin, që ka të bëjë me të ardhurat, shpenzimet, aktivet dhe pasivet dhe marrëdhëniet financiare me palë të treta
Kontrolli i tatimpaguesit bazohet në deklaratat e dhëna nga tatimpaguesi, si dhe në librat, regjistrimet e informacionin e dhënë nga palët e treta ose në përputhje me mënyrat alternative të vlerësimit.
Administrata tatimore kontrollon saktësinë e të gjitha dokumenteve, që kanë të bëjnë me statusin ligjor, rezidencën, veprimtarinë ekonomike, pagesat dhe detyrimet tatimore, si dhe çdo dokument tjetër me rëndësi për përcaktimin e detyrimit tatimor.
Zgjedhja e tatimpaguesve, që kontrollohen, bëhet në bazë të analizës së vlerësimit të riskut, të kryer nga administrata tatimore, për të identifikuar tatimpaguesin, і cili ka më shumë rrezik për ta shkelur legjislacionin tatimor.
Në ndryshimet e fundit të legjislacionit u shtua dhe klauzola, sipas së cilës, në rast se tatimpaguesi ka të certifikuara, nga kompani të njohura audituese, ose kompani të klasifikuara si të tilla me ligj të veçantë, deklaratat tatimore ku vërtetohet se janë në përputhje me legjislacionin fiskal, administrata tatimore e përshin këtë element në analizën e riskut të tatimpaguesit. Procedurat, kriteret dhe lista e kompanive audituese ose kompani të klasifikuara si të tilla me ligj të veçantë, përcaktohen me udhëzim të ministrit të Financave në zbatim këtij neni.
Sipas udhëzimit, brenda një muaji nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Ministria e Financave publikon në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare procedurën e konkurrimit për krijimin e listës së shoqërive audituese, që do të kenë të drejtën për certifikimin e deklaratave tatimore për pajtueshmërinë e tyre me kërkesat e legjislacionit fiskal. Për të fituar të drejtën për kryerjen e këtij shërbimi shoqëritë audituese, duhet të plotësojnë këto kritere:
i) Të jenë shoqëri të auditimit ligjor të publikuara në Regjistrin Publik të EKR-ve të Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar;
ii) Të kenë të paktën dhjetë (10) vite përvojë në fushën e auditimit, kontabilitetit dhe këshillimeve tatimore;
iii) Të kenë jo më pak se (1 ) auditues ligjor në rolin e ortakut të angazhimit me përvojë pune jo më pak se 5 vjet.
Të drejtën për të aplikuar për listim e kanë edhe bashkimet e dy shoqërive audituese, që të vetme nuk i plotësojnë kriteret e mësipërme, të cilat kur aplikojnë, dorëzojnë edhe marrëveshjen e bashkëpunimit midis tyre ku parashikohen të drejtat dhe detyrimet reciproke në rast përfshirje si bashkim shoqërish për kryerjen e certifikimit të deklaratave tatimore.
Ministri i Financave cakton me urdhër anëtarët e Komisionit të Përzgjedhjes së shoqërive audituese, për listim. Brenda 30 ditëve nga shpallja e procedurës, Komisioni duhet të përcaktojë Listën e Shoqërive Audituese. Kjo listë duhet të publikohet në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare, në website e Ministrisë së Financave dhe website e Administratës Tatimore. Listimi do të bëhet për një periudhë 4 (katër)- vjeçare.
———————————-
2016, doganat 43.6 mln euro më pak se plani, tatimet 1.6 mln më shumë
Kontributi i doganave, në arkën e shtetit, vijoi të jetë deficitar edhe gjatë vitit të kaluar, duke i krijuar arkës së shtetit një mosrealizim prej 6.6 miliardë lekësh (43.6 milionë euro) më pak se planifikimi, teksa shihet se tatimet kanë realizuar një tejkalim të lehtë të planit me 225 milionë lekë (1.6 milionë euro).
Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, mosrealizim patën TVSH-ja në doganë me 2.7 miliardë lekë më pak se plani dhe akciza po me 2.7 miliardë lekë më pak se plani. Gjithashtu programimit të 2016 i munguan edhe 1.2 miliardë lekë më pak të ardhura nga renta.
Më herët, Ministria e Financave ka argumentuar se rënia e të ardhurave në zërat kryesore doganore ka ardhur për shkak se, çmimet në tregjet kryesore të mallrave kanë qenë të ulëta. Për pasojë, zhdoganimet në vlera kanë qenë më të ulëta.
Performanca fiskale ka qenë disi ndryshe në Tatime, ku institucioni taksambledhës shihet të ketë pasur ecuri më pozitive. Nga analizimi i treguesve të veçantë shihet se tejkalimi i planit në tatimin mbi fitimin me 4.8 miliardë lekë ka kompensuar mosrealizimin drastik të planit të TVSH-së. Por tejkalimi i tatimit mbi fitimin i dedikohet pagesave që kanë bërë kompanitë shtetërore të energjetikës dhe Bankers.
Sipas një analize të Ministrisë së Energjetikës, 11% e totalit të të ardhurave nga tatimi mbi fitimin është paguar nga kompanitë e energjetikës, nga të cilat rreth 1,2 miliardë lekë i ka paguar vetëm OSHEE.
Në të gjitha zërat e tjerë të të ardhurave, tatimet shihet të kenë qenë deficitare në raport me planin. Nga programimet e TVSH kanë munguar më shumë se 3.8 miliardë lekë, nga tatimi mbi të ardhurat personale munguan 661 milionë lekë dhe nga taksat nacionale 128 milionë lekë.
Gjithsesi, në raport me faktin e 2015-s, institucionet fiskale grumbulluan të ardhura 6% më shumë.
Edhe në këtë aspekt, doganat kanë shfaqur më shumë dobësi duke grumbulluar vetëm 2,9% më shumë se fakti i 2015-s, teksa tatimet grumbulluan të ardhura 10.7% më shumë se fakti i 2015.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.