Fermerët që përfitojnë të drejtën e kompensimit për qëllime të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar dhe që përmbushin kushtet e përcaktuara, kanë disa detyrime.
Fatura tatimore
- Fatura tatimore e shitjes, e lëshuar nga personi i tatueshëm për prodhuesin bujqësor (fermerin), duhet detyrimisht të përmbajë të shënuara të dhënat e mëposhtme: – Nr. serial të faturës; – Datën e lëshimit të faturës; – Kohën e furnizimit; – Numrin rendor që mundëson identifikimin e faturës; – Të dhënat e fermerit si emrin e fermerit sipas regjistrimit të tij; – Adresën ku fermeri e ka veprimtarinë prodhuese; – NIPT-in e fermerit; – Të dhënat e blerësit, personit të tatueshëm, emrin, adresën e plotë të personit të tatueshëm; – NIPT-in etj.; – Përshkrimin, sasinë dhe njësinë matëse të mallrave; – Vlerën e mallrave të blera pa TVSH; – Shumën e kompensimit (TVSH-së së lloga-ritur dhe shumën totale për pagesë, përfshirë TVSH-në; Fatura duhet të jetë e nënshkruar nga palët: shitësi dhe blerësi.
- Në rastin kur blerësi personi i tatueshëm, paraqitet në adresën e fermerit dhe transporton mallrat me mjetet e tij nga adresa e fermerit në adresën ku blerësi kryen veprimtarinë ekonomike, atëherë fatura tatimore i lëshohet fermerit nga blerësi në momentin që malli bëhet i disponueshëm prej blerësit, dhe fatura shoqëron mallin në adresën e blerësit. Në këtë rast në faturë shënohen edhe të dhënat e transportuesit.
- Fermeri i pajisur me NIPT, nuk duhet të pajiset me blloqe të faturave tatimore me TVSH nga drejtoritë rajonale tatimore, pasi fatura në emër të fermerit lëshohet nga blerësi prej faturave tatimore të tij.
- Blerësi i produkteve bujqësore plotëson faturën me të dhënat e kërkuara dhe në rolin e blerësit e mban vetë faturën origjinale, e cila i jep të drejtën e zbritjes së TVSH-së së shënuar në faturë. Shitësi fermer pajiset me kopjen e dytë të faturës tatimore me TVSH, faturë e cila ruhet prej tij si dokument që vërteton furnizimin (shitjen) e kryer.
- Personi i tatueshëm blerës i produkteve të fermerit, i cili për zbatimin e kësaj skeme ngarkohet të lëshojë faturë tatimore, jo vetëm për shitjet që kryen, por edhe faturë në emër të fermerit si blerës i produkteve të tij, lejohet të përdorë faturë tatimore kompjuterike me numër serial unik dhe të papërsëritshëm të printuar nga sistemi i tij i regjistrimeve, sipas kushteve dhe procedurave të përcaktuara në ligjin e procedurave tatimore.
Deklarimi dhe norma e kompensimit
Për çdo blerje nga fermerët sipas kësaj skeme, personi i tatueshëm blerës faturën e blerjes për mallin e blerë nga fermerët e regjistron në kutitë përkatëse të librit të blerjes me përcaktimin “Vlera e tatueshme/nga fermerë vendas” dhe në një kuti të veçantë, regjistrohet vlera që i korrespondon normës së kompensimit si produkt i vlerës së tatueshme të mallit me përqindjen e kompensimit, e cila sipas këtij ligji është 20%. Këto vlera regjistrohen nga personi i tatueshëm për çdo muaj në deklaratën “Për tatimin mbi vlerën e shtuar” të periudhës përkatëse dhe deklarohen në muajin pasardhës të periudhës tatimore së cilës i përket deklarimi. Për qëllime të llogaritjes së normës së kompensimit në masën 20%, kjo normë do të aplikohet për furnizimet e kryera prej fermerëve pas pajisjes së tyre me certifikatën e NIPTIT-it, në përputhje me procedurën e përcaktuar në këtë udhëzim.
Shembull
Një fermer në kulturat pemëtari i identifikuar si individi A.B., që kryen veprimtarinë si prodhues bujqësor në prodhimin e frutikulturës duke kultivuar (prodhuar), qershi i shet këto të fundit shoqërisë X, një grumbulluesi dhe përpunues i lëngjeve dhe nënprodukteve të tjera si reçelra dhe komposto i regjistruar si person i tatueshëm për TVSH-në. Vlera e mallit të shitur nga fermeri A.B. për shoqërinë X është 30.000 lekë. Pra shoqëria X i detyrohet fermerit A.B. për vlerën 30.000 lekë. Detyrimet e fermerit
Fermeri A.B. për të përfituar nga skema e kompensimit duhet të regjistrohet në drejtorinë rajonale tatimore për t’u pajisur me NIPT brenda dy ditësh pune. Drejtoria rajonale tatimore pajis me certifikatë NIPT-i fermerin, duke shënuar si emër “Fermeri A.B.” dhe NIPT-in që gjeneron sistemi. 3 Detyrimet e personit të tatueshëm
Ndërkohë përpunuesi i qershive, shoqëria X, përpara se të lëshojë faturën e parë në emër të fermerit, duhet të njoftojë drejtorinë rajonale tatimore përkatëse që është aplikues i skemës së kompensimit të fermerit duke i bashkëngjitur dhe marrëveshjen me fermerin. Personi i tatueshëm, në momentin që ka marrë furnizimin prej fermerit, përpilon faturën tatimore të shitjes me TVSH. Në të dhënat identifikuese personi përgjegjës i blerësit që plotëson faturën në të dhënat e shitësit shënon emrin e fermerit sipas regjistrimit përkatës “Fermeri A.B.”’; NIPT: L………….N dhe të gjitha të dhënat e kërkuara sipas formatit të faturës.
Përsa i përket furnizimit në rubrikën përkatëse të faturës shënohen përkatësisht të dhënat e kërkuara mbi përshkrimin e mallit, njësinë dhe sasinë, çmimin për njësi, etj. Sipas shembullit ku vlera e furnizimit është 30.000 lekë, pra kjo është vlera që blerësi person i tatueshëm do t’i paguajë shitësit fermer, në faturë në vlerën e tatueshme do të shënohet vlera 25.000 lekë, në kutinë e TVSH-së do të llogaritet norma e kompensimit 20% e vlerës së tatueshme pra 25.000 lekë x 20% = 5.000 lekë dhe vlera totale e furnizimit 30.000 lekë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.