Drejtoria e Tatimeve ka publikuar modelet e reja të deklaratës së TVSH-së dhe librit të shitjeve.
Ky ndryshim lidhet me fillimin e zbatimit të shkallës së reduktuar të tatimit mbi vlerën e shtuar, për furnizimin e shërbimit të akomodimit në strukturat akomoduese, prej 6 për qind, sipas modeleve të ndryshuara të deklaratës së tatimit mbi vlerën e shtuar dhe Librit të Shitjeve.
Tatimet njoftojnë se në Fletoren Zyrtare Nr.143/2017, është publikuar Udhëzimi i Ministrit të Financave Nr. 16, datë 5.7.2017, “Për një shtesë dhe ndryshime në udhëzimin Nr. 6, datë 30.1.2015, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Në librin e shitjeve është shtuar kolona e Shitjes me shkallë 6% (vlera e tatueshme dhe TVSH). Afati i fundit i deklarimit të librit të shitjeve ishte data 10, por tatimet ndërkohë e kishin reflektuar në sistemin e deklarimit online këtë ndryshim.
Edhe në deklaratën e TVSH-së është shtuar shitja e tatueshme me shkallë 6%. Afati i fundit i deklarimit të TVSH-së në sistem është data 14.
TVSH-ja prej 6% ka filluar të zbatohet që për deklaratat e qershorit. Më herët tatimet njoftuan se “Të gjithë operatorët e furnizimit të shërbimit të akomodimit, që preken prej këtij ndryshimi, mund të shfrytëzojnë menjëherë, që në muajin e parë, mundësinë për të përfituar nga kjo shkallë e ulët taksimi. Tatimpaguesit do të mund të regjistrojnë faturat e tyre me shkallën prej 6 për qind, në librat e shitjes të muajit Qershor, si periudhë tatimore dhe që dorëzohen, deri në datën 10 Korrik. Njëkohësisht bëjmë të ditur, që për Formularin e Deklarimit e Pagesës së TVSH-së (FDP),është bërë e mundur edhe teknikisht që të plotësohet nga tatimpaguesit e kësaj fushe, me shkallën e reduktuar të tatimit prej 6 për qind, për periudhën tatimore Qershor 2017, e cila duhet të deklarohet deri në datën 14 Korrik 2017”.
Në një përpjekje për të nxitur turizmin, qeveria shqiptare uli TVSH-në furnizimin e shërbimit të akomodimit në strukturat akomoduese nga 20 në 6%, duke diferencuar për herë të parë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.