Tatimet bëjnë me dije se, për rastet kur i njëjti person (i punësuar, i vetëpunësuar, pjesëtar i familjes, që nuk trajtohet me pagë, por që punon e bashkëjeton ligjërisht me të vetëpunësuarin), gjatë muajit, është ekonomikisht aktiv në dy ose më shumë subjekte (persona juridikë ose persona fizikë), me kontratë pune, me ose pa afat, me kohë të plotë apo të pjesshme pune, pavarësisht nga lloji i kontratës, llogaritja dhe deklarimi për kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, nga secili prej tatimpaguesve bëhet sipas rregullave më poshtë:
1. Secili prej subjekteve, sipas përmbajtjes së të dhënave të rubrikave të deklaratës “Pasqyra e të punësuarve për herë të parë, atyre rishtazi, si dhe e të larguarve nga puna”, bën deklarimin e punonjësit në drejtorinë rajonale tatimore njësoj sikur personi të mos ishte i punësuar në punëdhënës tjetër.
2. Për personin e punësuar në dy tatimpagues (persona juridikë ose fizikë) deklarimi i të dhënave sipas përmbajtjes së deklaratës “Listëpagesa e kontributeve të sigurimeve shoqërore, shëndetësore dhe tatimit mbi të ardhurat nga punësimi” bëhet, nga të dy tatimpaguesit, si më poshtë:
a. Kur shuma e pagave bruto mujore, që punonjësi merr nga të dy tatimpaguesit është më e vogël se kufiri i pagës maksimale për kontributet shoqërore, atëherë për këtë punëmarrës, secili prej subjekteve në mënyrë të pavarur, llogarit dhe deklaron kontributet për sigurimet shoqërore e shëndetësore njësoj sikur personi të mos ish i punësuar në punëdhënës tjetër. Pra kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore deklarohen mbi bazën e pagës reale por jo më pak se niveli i pagës minimale në shkallë vendi.
b. Kur shuma e pagave bruto mujore, që punonjësi merr nga të dy tatimpaguesit është sa, ose më e madhe, nga kufiri i pagës maksimale për kontributet shoqërore, atëherë për këtë punëmarrës, tatimpaguesi nga i cili ai merr pagën më të lartë llogarit dhe deklaron kontributet shoqërore mbi bazën e pagës reale deri në kufirin e pagës maksimale për kontributet shoqërore. Tatimpaguesi tjetër, nga i cili punëmarrësi merr pagën më të ulët deklaron dhe paguan kontributet shoqërore mbi bazën e pagës mujore, që rezulton si 2 diferencë midis pagës maksimale për kontributet shoqërore me pagën, që punonjësi merr nga tatimpaguesi prej të cilit ai merr pagën më të lartë. Në këtë rast tatimpaguesi i dytë, nga i cili punëmarrësi merr pagën më të ulët, te emri i personit, në rubrikën “Shënime” të të dhënave të listëpagesës, shënon “Deklaruar kontribute shoqërore me pagë ……… te tatimpaguesi “x” me NIPT……….”, si dhe ruan vërtetimin e lëshuar nga tatimpaguesi që deklaron dhe paguan pagën më të lartë. Kontributet e sigurimit shëndetësor llogariten dhe deklarohen nga të dy tatimpaguesit mbi bazën e pagës bruto mujore të punonjësit por jo më pak nga paga minimale në shkallë vendi dhe pa kufi të sipërm të saj. c. Kur paga bruto mujore e punonjësit te njëri nga tatimpaguesit është sa, ose më e madhe, se kufiri i pagës maksimale për kontributet shoqërore, atëherë nga ky tatimpagues ato llogariten dhe deklarohen në nivelin e pagës maksimale për kontributet shoqërore. Tatimpaguesi tjetër nga i cili punonjësi merr pagën më të ulët, nuk llogarit dhe nuk deklaron kontribute shoqërore, por te emri i personit, në rubrikat e vlerave të kontributit shoqëror të të dhënave të listëpagesës vendos zero, si dhe në rubrikën “Shënime” ky subjekt shënon “Deklaruar kontribute shoqërore me pagë maksimale te tatimpaguesi “x” me NIPT……….”, si dhe ruan vërtetimin e lëshuar nga tatimpaguesi që deklaron dhe paguan kontributet shoqërore në nivelin e pagës maksimale.
Kontributet e sigurimit shëndetësor llogariten dhe deklarohen nga të dy tatimpaguesit mbi bazën e pagës bruto mujore të punonjësit por jo më pak nga paga minimale në shkallë vendi dhe pa kufi të sipërm të saj. Sjellim në vëmendje se: kur rezulton që kontributi shoqëror në total i paguar për të njëjtin person nga të dy tatimpaguesit është më i madh se kontributi i llogaritur mbi pagën maksimale për kontributet shoqërore për të punësuarit, atëherë për shumën totale të kontributeve shoqërore të paguara më tepër për punonjësin e punësuar në të dy tatimpaguesit, drejtoria rajonale tatimore, mbi bazën e kërkesës së tij me shkrim, bën rimbursimin e tatimpaguesit nga i cili punonjësi ka marrë pagën më të lartë.
Ky tatimpagues bën rimbursimin e punonjësit për shumën totale të pjesës së kontributeve të punëmarrësit të paguar më tepër në të dy subjektet. Veprimet e rimbursimit të kontributeve duhet të pasqyrohen në versionin e listëpagesës me të dhëna të ndryshuara, të periudhës tatimore përkatëse, e cila i kërkohet dhe duhet të deklarohet nga tatimpaguesi përkatës.
Kur të dhënat e listëpagesës janë dërguar në Institutin e Sigurimeve Shoqërore dhe Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor atëherë versioni i listëpagesës me të dhënat e ndryshuara për kontributet i dërgohet edhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. 3 Për sa sipër, administrata tatimore kryen verifikimet e vlerësimet përkatëse.
Të dhënat e nevojshme për të verifikuar kontributet e deklaruara për personat e dypunësuar nga tatimpaguesit përkatës, janë të disponueshme për punonjësit e administratës tatimore në sistemin informatik të deklarimit elektronik të të dhënave të listëpagesës. Për personat, të cilët gjatë të njëjtit muaji kanë punuar njëkohësisht në dy ose më shumë tatimpagues sistemi informatik bën evidentimin e punonjësve sipas tatimpaguesve ku kanë punuar gjatë muajit përkatës, bazuar kjo në numrin personal të letërnjoftimit të deklaruar në listëpagesa.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.