Tatimet këshillojnë: Ja cilat biznese aplikojnë shkallën e reduktuar të TVSH-së prej 6%

17/04/2018 10:50 AM 0 komente

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, përmes një publikimi, përcakton ndarjen e veprimtarive ekonomike për tatimpaguesit që aplikojnë shkallën e reduktuar të TVSH-së, 6%.

Në zbatim të paragrafit 2, të nenit 11/1, të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr.953, datë 29.12.2014 “Për Dispozitat Zbatuese të Ligjit Nr.92/2014, “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar” i ndryshuar, përcaktohet se: “Për qëllime të veprimtarisë në fushën e strukturave akomoduese, me qëllim aplikimin e shkallës së reduktuar të TVSH-së, personat e tatueshëm, të cilët, përveç veprimtarisë në fushën e strukturave akomoduese, kryejnë edhe veprimtari të tjera, regjistrohen në Qendrën Kombëtare të Biznesit si persona të tatueshëm më vete, duke riorganizuar ose jo veprimtarinë e tyre ekonomike, siç përcaktohet në ligjin nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij Vendimi”.

Administrata tatimore në përmbushje të misionit të saj si dhe mbështetur në parimet e administrimit tatimor të përcaktuar në ligjin nr.9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, për një zbatim të njëjtë dhe efektiv të legjislacionit tatimor orienton si me poshtë këto çështje për t’u rikonsideruar:

Në funksion të përcaktimit të modaliteteve dhe kushteve të regjistrimit të personave të tatueshëm, që ushtrojnë veprimtari në fushën e strukturave akomoduese, bazuar në pikën 1 të nenit 11/1 të VKM nr.652, datë 10.11.2007 “Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr. 953, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për dispozitat zbatuese të ligjit nr. 92/2014, “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, e cila referon që strukturat akomoduese ushtrojnë veprimtarinë sipas legjislacionit në fushën e turizmit, duhet t’i referohemi këtij të fundit për të sqaruar së pari se çfarë është një strukturë akomoduese.

Kështu sipas neni 4 pika 33 e ligjit për turizimin, sqarohet koncepti i struktures akomoduese, me të cilën kuptohet: “Struktura që vë në dispozicion të turistëve, vendas apo të huaj, individë ose të organizuar në grupe, për një periudhë kohe të pacaktuar, por jo më shumë se 1 vit, shërbimet e akomodimit (fjetje, ushqim, pije dhe shërbime të tjera), në përputhje me standardet e përcaktuara sipas klasifikimit dhe kategorizimit të saj”.

Pra, i rëndësishëm është fakti që njësitë e shërbimit të tipit : restorante, bare, salla konferencash, sallë fitnesi, pishina, park lojrash, apo shezlong në rastin e resorteve etj.. të jenë në shërbim të strukturave akomoduese dhe brenda njësive akomoduese apo kompleksit si një e tërë, duke faturuar TVSH-në sipas shkallës tatimore që u takon dhe duke zbatuar kushtet e përcaktuara dhe parashikimet në Ligjin Nr.9920, datë 19.05.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë” dhe udhëzimin përkatës, në lidhje me procesin e regjistrimin.

Përsa i përket përcaktimit ligjor të parashikuar në paragrafin 2 të nenit 11/1 të Vendimit të Keshillit të Ministrave Nr.953, datë 29.12.2014 “Për Dispozitat Zbatuese të Ligjit Nr.92/2014, Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar” i ndryshuar, se, për qëllime të veprimtarisë në fushën e strukturave akomoduese, me qëllim aplikimin e shkallës së reduktuar të TVSH-së, personat e tatueshëm, të cilët, përveç veprimtarisë në fushën e strukturave akomoduese, kryejnë edhe veprimtari të tjera, regjistrohen në Qendrën Kombëtare të Biznesit si persona të tatueshëm më vete, duke riorganizuar ose jo veprimtarinë e tyre ekonomike, siç përcaktohet në ligjin nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, sjellim në vëmendje se : Nëse personi i tatueshëm ushtron dhe veprimtari të tjera përvec asaj të strukturave akomoduese, duhet të regjistrohet si person i tatueshëm më vete.

Me veprimtari të tjera kuptohet kur subjekti përveç veprimtarisë në fushën e akomodimit, ushtron edhe aktivitete të tjera si psh ndërtim, tregti, energjitikë etj. Në një rast të tillë ky tatimpagues duhet të ndajë më vete veprimtarinë ekonomike në fushën e akomodimit dhe hotelerisë me aktivitetin tjetër që ushtrohet jashtë veprimtarisë akomoduese apo që është jashtë terësisë së shërbimeve që i shërbejnë  njësisë akomoduese sipas konceptit të fushës së turizmit, si më lart të shpjeguar.

Kjo bëhet në mënyrë që të identifikohet qartë aktiviteti që ushtrohet në fushën e strukturave akomoduese dhe që përfiton nga shkalla tatimore 6 % TVSH me aktivitetin tjetër që ushtrohet me shkallë standarte të TVSH-së.

Duke iu referuar dispozitave ligjore të ligjit nr.9901 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, i ndryshuar, të gjithë subjektet që ushtrojnë një veprimtari ekonomike regjistrohen në regjistrin tregtar në një nga format e parashikuara në këtë ligj dhe sipas mënyrës së parashikuar në ligjin 9723, datë 03.05.2007 “Për Qendrën Kombëtare të Biznesit”, ndryshuar.

Sipas ligjit Nr.9901, datë 14.04.2008 “Për tregtarët dhe shoqërite tregtare”, i ndryshuar, subjektet

regjistrohen si:

 

–     Tregtarë, të cilët janë persona fizik, sipas kuptimit të Kodit Civil dhe që ushtrojnë veprimtari ekonomike të pavarur

 

–     Në formën e një shoqërie tregtare (kolektive, komandite, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar dhe shoqëri aksionere)

 

Me regjistrimin në Qendrën Kombëtare të Biznesit, në një nga format e mësipërme, subjektet pajisen me numër identifikimi unik, të gjeneruar elektronikisht, i cili shërben si numër identifikimi tatimor i tyre për tatimet kombëtare dhe vendore.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of