Administrata Tatimore bën me dije se procesi i regjistrimit të tatimpaguesit nga regjistri aktiv në regjistrin pasiv, që mbahet nga administrata tatimore, realizohet në rast se përmbushet, të paktën, një nga kushtet e mëposhtme:
- nuk ushtron më veprimtari tregtare për një periudhë tatimore prej 12 muajsh të njëpasnjëshëm
Tatimpaguesi kalohet automatikisht nga sistemi, nga regjistri aktiv ne regjistrin pasiv, në rast se, për 12 periudha tatimore mujore të njëpasnjëshme ka dorëzuar të gjitha deklaratat tatimore, për llojet e tatimeve për të cilat është regjistruar, duke zgjedhur rubrikën “8” pa veprimtari të deklaratës. Ky kalim automatik nuk i heq detyrimin tatimpaguesit për të deklaruar dhe dorëzuar deklaratën vjetore të Tatim Fitimit apo Tatimit të Fitimit të Thjeshtuar mbi biznesin e vogël, për periudhën përkatëse. Pa veprimtari konsiderohen edhe tatimpaguesit që kanë plotësuar të gjitha rubrikat e deklaratës me “0”.
- nuk dorëzon deklaratën tatimore për një periudhë tatimore prej 12 muajsh të njëpasnjëshëm
Të gjithë tatimpaguesit të cilët për 12 periudha tatimore mujore të njëpasnjëshme, nuk kanë dorëzuar të gjitha deklaratat tatimore, për llojet e tatimeve për të cilat janë regjistruar, me përjashtim të deklaratës vjetore të Tatim Fitimit apo Tatimit të Fitimit të Thjeshtuar mbi biznesin e vogël, kalohen automatikisht nga sistemi, nga regjistri aktiv në regjistrin
pasiv. Numërimi i 12 periudhave tatimore të njëpasnjëshme në këtë rast fillon nga muaji i parë që tatimpaguesi ka ndërprerë deklarimin, pavarësisht se mund të jetë bërë vlerësim automatik nga sistemi.
- deklaron në QKB pezullim veprimtarie tregtare dhe kjo e fundit e ka miratuar pezullimin, i cili i është njoftuar edhe administratës tatimore
Të gjithë tatimpaguesit që kanë deklaruar pezullimin e veprimtarisë në Qendrën
Kombëtare të Biznesit, për një periudhë më shumë se 12 muaj të njëpasnjëshëm apo pa afat të përcaktuar, do të kalohen automatikisht nga sistemi, nga regjistri aktiv në regjistrin
pasiv.
Përmbledhje
Të gjithë tatimpaguesit që regjistrohen në Administratën Tatimore, për të kaluar nga regjistri aktiv në regjistrin pasiv, duhet të plotësojnë një nga kushtet, ashtu si është trajtuar më lart, për kategorinë e tatimpaguesve që regjistrohen në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Kalimi i tatimpaguesit nga regjistri aktiv në regjistrin pasiv, për tatimpaguesit që regjistrohen në Administratën tatimore, dhe përmbushin kushtin e pezullimit, bëhet rast pas rasti nga punonjësi i ngarkuar i organeve tatimore.
Tatimpaguesit, të cilët në momentin e implementimit të sistemit të ri informatik të tatimeve plotësojnë një nga kushtet e mësipërme, migrohen në këtë sistem si tatimpagues pasiv.
ü Për periudhën e qëndrimit në regjistrin pasiv, tatimpaguesi nuk paraqet deklarata periodike tatimore dhe ndaj tij nuk llogariten gjoba për mosdeklarim tatimor.
Pasi një person i tatueshëm kalon në regjistrin pasiv, drejtoria rajonale e tatimeve te juridiksionit nuk e konsideron me atë si mosdeklarues. Për pasoje, qe nga ky moment dhe gjate gjithë periudhës qe personi i tatueshëm mbetet në regjistrin pasiv, për kete person nuk vendosen me gjoba për mosdeklarim për te gjithë llojet e detyrimeve tatimore dhe te kontributeve te sigurimeve shoqërore e shëndetësore. Mosvendosja e gjobave nuk përfshin periudhën e fundit prej 12 muajsh para kalimit ne regjistrin pasiv.
ü Administrata tatimore, brenda 10 ditëve kalendarike nga data e transferimit të regjistrimit në regjistrin pasiv, njofton tatimpaguesin me shkrim.
Drejtoria rajonale e tatimeve te juridiksionit njofton me shkrim personin e tatueshëm për kalimin ne regjistrin pasiv brenda 10 ditëve nga data e kalimit te tij ne kete regjistër, duke i kujtuar gjithashtu tatimpaguesit detyrimin për njoftimin e menjëhershëm të administratës tatimore dhe kërkesën për kalimin në regjistrin aktiv, nëse tatimpaguesi do të rinisë aktivitetin. Për periudhën e qëndrimit në regjistrin pasiv, tatimpaguesi nuk paraqet deklarata periodike tatimore dhe ndaj tij nuk llogariten gjoba për mosdeklarim tatimor.
ü Transferimi i regjistrimit tatimor nga regjistri aktiv në regjistrin pasiv nuk eliminon detyrimin tatimor ekzistues dhe nuk e ndalon administratën tatimore për vlerësimin ose mbledhjen e detyrimit tatimor, pas transferimit në regjistrin pasiv.
Për të gjithë këtë periudhe dhe për çdo periudhe tjetër para kësaj, detyrimet e mundshme tatimore te papaguara, përfshirë këtu edhe çdo gjobe apo kamate-vonese mbeten ne fuqi dhe për mbledhjen e tyre vazhdohet te ndërmerren te gjitha masat e mbledhjes me force te përcaktuara në ligj dhe në këtë udhëzim.
Po kështu, për këtë periudhe dhe për çdo periudhe tjetër para kësaj, Drejtoria Rajonale e Tatimeve mund të bëjë në çdo kohë vlerësime tatimore ndaj personit të tatueshëm, të kaluar në regjistrin pasiv.
Pasi personi i tatueshëm kalon në regjistrin pasiv, ai do të jetë nën mbikëqyrjen e administratës tatimore. Mbikëqyrja në këtë rast nënkupton verifikimin e të dhënave të doganës, të të dhënave të mundshme nga kontrollet e ushtruara në subjekte të tjera, të të dhënave të verifikimeve të mundshme në vend, etj.. Në rast se nga këto të dhëna rezulton se tatimpaguesi ka kryer aktivitet, ai kalohet në regjistrin aktiv të personave të tatueshëm dhe ndaj tij merren të gjitha masat e duhura ligjore. Për këtë njoftohet menjëherë personi i tatueshëm dhe njoftimi shoqërohet edhe me Njoftim- Vlerësimi Tatimor.
KUJDES!
Kalimi në regjistrin pasiv te Qendra Kombëtare e Biznesi, sipas procedurave të përcaktuara në ligjin “Për Qendrën Kombëtare te Regjistrimit”, nuk është kusht për kalimin e këtij personi në regjistrin pasiv të administratës tatimore për efekte tatimore. Edhe për personat e tatueshëm të kaluar në regjistrin pasiv të Qendrës Kombëtare të Biznesit, sipas procedurave të saj, nga Drejtoritë Rajonale Tatimore zbatohen të njëjtat rregulla të përcaktuara më sipër në këtë udhëzim.
Të njëjtat rregulla për kalimin nga regjistri aktiv ne regjistrin pasiv, veprojnë edhe për organizatat jo-fitimprurëse, fondacionet, njësitë e zbatimit te projekteve, entet publike kombëtare e vendore, organizatat politike dhe organet e tjera te ngjashme me to.
ü Kur tatimpaguesi rifillon veprimtarinë, administrata tatimore automatikisht transferon regjistrimin nga regjistri pasiv në regjistrin aktiv.
- Personat e tatueshëm të kaluar në regjistrin pasiv, nëse do të rifillojnë aktivitetin ekonomik, në çdo kohë mund të kërkojnë të kalojnë në regjistrin aktiv. Aktivizimi i tatimpaguesit dhe kalimi i tij nga regjistri i tatimpaguesve pasiv në regjistrin e tatimpaguesve aktivë bëhet me kërkesë të tatimpaguesit, por edhe nga administrata tatimore bazuar në të dhëna të konstatuara dhe informacione të administruara nga ana e saj. Në të gjitha rastet dhe për të gjitha kategoritë e tatimpaguesve, kalimi nga regjistri pasiv në regjistrin aktiv (riaktivizimi) bëhet menjëherë, pa u kushtëzuar nga detyrimet tatimore të papaguara dhe/ose deklarata të padorëzuara të tatimpaguesit. Për detyrimet e papaguara dhe/ose deklaratat e padorëzuara zbatohen të gjitha procedurat dhe ndërmerren të gjitha hapat ligjore deri në përmbushjen e këtyre detyrimeve.
- Për tatimpaguesit që riaktivizohen në Qendrën Kombëtare të Biznesit, si rezultat i heqjes dorë nga pezullimi i veprimtarisë, kalimi nga regjistri (statusi) pasiv në regjistrin (statusin) aktiv të administratës tatimore bëhet automatikisht nga sistemi elektronik i QKB-së në sistemin e DPT-së. Si datë e aktivizimit të tatimpaguesit në administratën tatimore do të jetë data e miratimit të aktivizimit në QKB. Përgjegjësitë tatimore do të jenë ato që ka pasur ky tatimpagues në datën kur ka kaluar në statusin pasiv.
- Për tatimpaguesit që kërkojnë të riaktivizohen pranë DRT-ve, si rezultat i rifillimit të veprimtarisë/aktivitetit (këtu hyjnë të gjithë tatimpaguesit që janë aktivë në QKB dhe kanë kaluar në pasiv nga DRT-të si mosdeklarues apo deklarues pa aktivitet, si dhe gjithë tatimpaguesit që regjistrohen pranë administratës tatimore), aktivizimi do të bëhet menjëherë në sistem nga Drejtoria Rajonale Tatimore përkatëse, sipas procedurave të miratuara nga DPT-ja. Si datë e aktivizimit të tatimpaguesit do të jetë data e kërkesës për riaktivizim dhe përgjegjësitë tatimore do të jenë ato që ka pasur tatimpaguesi në datën kur ka kaluar në statusin pasiv.
- Për tatimpaguesit që riaktivizohen nga administrata tatimore, në kushtet kur ai ka kryer shkelje tatimore, bazuar në të dhëna të konstatuara në vendin e biznesit apo/dhe informacione që administrohen nga ana e saj, aktivizimi do të bëhet menjëherë në sistem nga DRT-ja përkatëse sipas procedurave të miratuara nga DPT-ja. Si datë e aktivizimit të tatimpaguesit do të jetë data e konstatuar nga administrata tatimore. Përgjegjësitë tatimore do të jenë ato që ka pasur ky tatimpagues në datën kur ka kaluar në statusin pasiv.
- Për të gjitha rastet e aktivizimit, i dërgohet njoftim edhe tatimpaguesit në llogarinë/adresën e tij elektronike apo në një nga mënyrat e komunikimit të përcaktuara në ligj. Gjatë periudhës që tatimpaguesi është në statusin/regjistrin pasiv atij nuk mund t’i shtohen apo t’i ndryshohen përgjegjësitë tatimore.
ü Administrata Tatimore publikon në faqen zyrtare të internetit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe mban të përditësuar listën e tatimpaguesve që janë në regjistrin pasiv.
Administrata Tatimore përditëson në mënyrë të vazhdueshme dhe publikon në faqen zyrtare elektronike të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, listën e tatimpaguesve, të cilët kanë kaluar në regjistrin pasiv, duke evidentuar emrin e tatimpaguesit dhe NIPT-in e tij. Çdo transaksion i kryer nga tatimpaguesit, persona fizikë apo juridikë, tregtarë që janë në regjistrin pasiv, konsiderohet shkelje administrative dhe dënohet në përputhje me dispozitat ligjore.
Gjithashtu për çdo transaksion të kryer nga një tatimpagues blerës me një tatimpagues shitës që është në regjistrin pasiv, i publikuar në faqen zyrtare të tatimeve në listën e tatimpaguesve pasiv, konsiderohet shkelje si për shitësin dhe për blerësin dhe ky i fundit është përgjegjës bashkë me furnizuesin (shitësin) për pagesën e TVSH-së. Tatimpaguesi i cili aktivizohet duke hequr dorë nga pezullimi i veprimtarisë, në momentin që bëhet aktiv, administrata e heq nga lista e tatimpaguesve pasiv. Në listën e tatimpaguesve pasiv, evidentohen veçmas, edhe tatimpaguesit të cilët kanë pezulluar veprimtarinë (kanë kaluar në pasiv) në Qendrën Kombëtare të Biznesit, pavarësisht se administrata tatimore nuk i ka kaluar ende në pasiv.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.