Tatimet mbyllin shtigjet për evazorët

29/01/2019 3:15 PM 0 komente

Me ndryshimet e fundit në ligjin “Për procedurën tatimore”, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve shprehet se ka mbyllur derën për disa nga skemat tipike të shmangies fiskale. Prej 1 janarit, bizneset që duhet të kalojnë në statusin pasiv, duhet që të mbyllin të gjitha detyrimet e krijuara. Me ndryshimet e reja tashmë është kufizuar dhe numri i NIPT-eve që mund të hapë një individ. Ekonomistët shprehen se një pjesë e masave që ka marrë Administrata Tatimore do të ndihmojnë në formalizimin e bizneseve.

 

Nga Ledina Loga

 

Prej fillimit të këtij viti, një individ, person fizik, nuk mund të hapë më shumë se një NIPT. Personat fizikë që ushtrojnë më shumë se një aktivitet, do të jenë të detyruar që të çelin NIPT-e sekondare. Tatimet kanë njoftuar se Administrata Tatimore do të përdorë mënyra alternative vlerësimi të detyrimit tatimor të tatimpaguesit dhe do të nxjerrë një vlerësim kur tatimpaguesi me status “person fizik tregtar”, i cili, për qëllime të shmangies tatimore dhe minimizimit të detyrimit tatimor, regjistron/mban më tepër se një numër identifikimi unik të subjektit, dhe dorëzon deklarata të veçanta për çdo NIPT.

Megjithatë, Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Xhavit Curri, në një intervistë për “Monitor”, sqaron ndryshimet e fundit që i janë bërë ligjit për procedurën tatimore. Ai pohon se ligji është i vlefshëm për regjistrimet e reja, por nuk e përjashton mundësinë e vlerësimeve të herëpashershme nga administrata të personave fizikë që ushtrojnë veprimtari ekonomike me disa NIPT-e.

“Ky është një vendim i drejtë”, thotë Armand Mala, financier. “Në 90% të rasteve përdoret pikërisht për të bërë evazion. Psh, i njëjti individ hap 3 dyqane rrobash me 3 NIPT-e të ndryshme. Në thelb është i njëjti biznes, s’ka përse të jetë i fraksionuar. Fraksionimi bëhet pikërisht për të shmangur taksat”, pohon ai. Ahmet Gjinishi, ekspert kontabël dhe konsulent fiskal, shprehet se këto janë masa për parandalimin e shmangieve të ndryshme dhe mirëpriten nga bizneset, duke qenë se ulin informalitetin. Sipas Gjinishit, këto masa të reja do t’u mbyllin derën disa prej abuzimeve të hasura më shpesh.

 

Kalimi në status pasiv, me kusht

Për të shmangur detyrimet tatimore, apo për të mos paguar ndonjë gjobë të marrë, bizneset që kërkonin të bënin shmangie, kalonin në statusin pasiv. Edhe pse për miratimin e këtij ndryshimi, burime për “Monitor” njoftojnë se pati diskutime të gjata, tashmë prej 1 janarit çdo biznes që kërkon të kalojë në statusin pasiv, duhet që më parë të mbyllë të gjitha detyrimet tatimore që ka të krijuara.

Për periudhën që biznesi qëndron në regjistrin pasiv, tatimpaguesi nuk paraqet deklarata periodike tatimore dhe ndaj tij nuk llogariten gjoba për mosdeklarim. Tashmë, nenit 44 në ligjin për procedurën tatimore, i është shtuar pika 4/1, i cili përcakton se kalimi në regjistrin pasiv do të bëhet vetëm pasi QKB të verifikojë më parë pagimin e detyrimeve tatimore nga ana e tyre.

Në regjistrin e subjekteve pasive janë rreth 120 mijë biznese. Vetëm gjatë vitit 2018 kaluan në regjistrin pasiv 15,249 biznes, nga 9,419 që kishin kaluar një vit më parë, rreth 60% më shumë. Sipas regjistrit të përditësuar më 25 janar, prej fillimit të vitit kanë kaluar në regjistrin pasiv rreth 800 biznese. Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Tatimeve thotë se kjo është një masë tjetër antishmangie. Sipas tij, shumë biznese, duke qenë se pezullimi i aktivitetit ishte pa asnjë kusht, përdorin këtë mënyrë për t’ju shmangur detyrimeve tatimore. Për bizneset sezonale, kjo masë do të vështirësojë deri-diku lehtësitë e të bërit biznes në Shqipëri. Z. Curri shton se masa do të disiplinojë sjelljen e tatimpaguesve.

 

 

Gjoba për ata që punojnë me subjektet pasive; Biznesi na rrit kostot

Ndërsa janë dakord në përgjithësi me masat e marra në ligjin e procedurave tatimore për të mbyllur shtigjet e evazionit, përfaqësuesit e biznesit kanë kundërshtuar faktin që ata duhet të gjobiten nëse pa e ditur i lëshojnë fatura një biznesi pasiv.

Në rast se një biznes aktiv faturon një subjekt pasiv, atëherë ai (subjekti aktiv) jo vetëm që gjobitet me 10 mijë lekë, por rrezikon dhe vlerësim tatimor për mosnjohjen e TVSH-së së zbritshme dhe të shpenzimit, sipas ndryshimit të fundit në ligjin e procedurave tatimore. Edhe më parë, subjektet aktive që faturonin NIPT-e pasive gjobiteshin 10 mijë lekë për faturim të gabuar, por tashmë ky veprim është sanksionuar si shkelje dhe është futur në ligjin e procedurave tatimore, që u ndryshua në fund të vitit të kaluar.

Tatimet, në mënyrë të vazhdueshme, kanë paralajmëruar bizneset për të bërë kujdes kur lëshojnë fatura me bizneset që kanë kaluar në statusin pasiv, ndërsa çdo ditë përditësojnë në faqen e tyre të internetit listën e subjekteve me status pasiv, ku janë rreth 120 mijë të tilla.
Dy vitet e fundit, Tatimet i kanë ashpërsuar kontrollet për subjektet që ndonëse janë pasive lëshojnë fatura, por bizneset ankohen se pse duhet ta pësojnë subjektet që janë aktive dhe veprojnë në rregull me ligjin.

Ekonomisti Armand Mala thotë për “Monitor” se gjoba për bizneset aktive nuk ka sens. “Një njësi shitje që mund të kryejë 70-80 faturime në ditë, dhe që për arsye të ndryshme, p.sh., nuk ka akses në internet, do të marrë gjoba pa fund. Por edhe nëse ke askes në internet, duhet që gjithmonë para se të presësh një faturë tatimore të verifikosh, nëse blerësi është aktiv apo pasiv”, – shpjegon Mala.
Verifikimi nga bizneset i statusit që ndodhet biznesi tjetër është kthyer në kosto të shtuar. Arben Shkodra, sekretar i përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, tha se tashmë bizneset janë të detyruar që të punësojnë një person të përkushtuar për të verifikuar çdo biznes që hyn në transaksion në rast së është aktiv apo jo.

Armand Mala shton se në praktikë është shumë i vështirë verifikimi një për një i të gjithë subjekteve që bashkëpunon një biznes. “Është një derë e madhe e hapur për gjoba, pasi subjektet kalojnë në status pasiv e në aktiv vazhdimisht. Që të jesh në anën e sigurt duhet që para çdo shitje të kontrollosh më parë listën e tatimpaguese aktivë në faqen e Tatimeve. Në një pikë shitje me shumë faturime bëhet praktikisht e pamundur të kontrollohet çdo rast. Edhe më keq në një pikë shitje që s’ka akses në internet, do të bëhet nëpërmjet telefonit (angazhohen dy veta për një faturë), – shpjegon Mala.

Edhe për Ahmet Gjinishin, ekspert kontabël dhe konsulent fiskal, është e vështirë që një biznes të ketë luksin të shohë se kujt po i pret faturën apo që merr furnizim. “Nuk i takon biznesit aktiv, është t’i veshësh rolin e tatimorit. Unë mendoj se duhet të ketë struktura shteti që të kontrollojnë apo të ndalojnë subjektet që bëjnë shmangie”, – sqaron Gjinishi.

Në fillim të janarit, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njoftoi ndryshimet kryesore në ligjin për procedurat tatimore. Ndër të tjera është përditësuar edhe procedura për bizneset që kalojnë në statusin pasiv. Administrata tatimore qendrore publikon, në faqen zyrtare të internetit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe përditëson mbi baza ditore, listën e tatimpaguesve që janë në regjistrin pasiv.
Çdo transaksion i kryer nga tatimpaguesit, persona fizikë apo juridikë, tregtarë, që janë në regjistrin pasiv, konsiderohet shkelje administrative dhe dënohet si më poshtë:

a) për shitësin, i cili është në regjistrin pasiv, bëhet vlerësim tatimor dhe dënim, në përputhje me nenin 116 të këtij ligji;

b) për blerësin, vlerësim tatimor për mosnjohjen e TVSH-së së zbritshme dhe të shpenzimit. Gjithashtu, çdo transaksion i kryer nga tatimpaguesit aktivë, persona fizikë apo juridikë tregtarë, me tatimpaguesit që janë në regjistrin pasiv, konsiderohet shkelje administrative dhe dënohet si më poshtë:

c) shitësi aktiv, në përputhje me pikën 2, të nenit 128, të këtij ligji. (Sipas pikës 2 të Nenit 128 të Ligjit të Procedurës Tatimore, gjoba është 10’000 lekë/faturë). Ky dënim nuk aplikohet në rastet kur, për arsye teknike, lista e tatimpaguesve në regjistrin pasiv nuk është përditësuar nga administrata tatimore;

ç) blerësi në regjistrin pasiv, me vlerësim tatimor të detyrimit dhe dënim, në përputhje me nenin 116 të këtij ligji (sipas nenit 116 përbën evazion tatimor dhe dënohet me gjobë të barabartë me 100 për qind të diferencës së shumës së përllogaritur nga ajo që duhet të ishte në fakt). (Ndryshuar me ligjin 96/2018 date 03.12.2018).

 

Ndryshimet kryesore të procedurës tatimore

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka publikuar ndryshimet kryesore të ligjit të procedurës tatimore.

Një person fizik, me të njëjtin numër të identifikimit personal, regjistrohet vetëm një herë nga Qendra Kombëtare e Biznesit. Atij i lind e drejta të regjistrohet dhe të pajiset me një NIPT/NUIS të ri nga QKB vetëm pas çregjistrimit të NIPT-it/NUIS-it ekzistues.

Tatimpaguesit, të cilët do të aplikojnë në Qendrën Kombëtare të Biznesit për të kaluar në status pasiv, do të duhet që më parë të kenë paguar të gjitha detyrimet tatimore.

Administrata Tatimore ka të drejtë të përdorë mënyra alternative vlerësimi të detyrimit tatimor të tatimpaguesit dhe të nxjerrë një vlerësim kur tatimpaguesi me status “person fizik tregtar”, i cili, për qëllime të shmangies tatimore dhe minimizimit të detyrimit tatimor, regjistron/mban më tepër se një numër identifikimi unik të subjektit dhe dorëzon deklarata të veçanta për çdo NIPT/NUIS.

Personi fizik tregtar i pajisur me NIPT/NUIS, për çdo veprimtari të re që kërkon të regjistrojë, pajiset me një certifikatë, me numër unik identifikimi të njëjtë me atë të regjistrimit, por me numër serial të ndryshëm, me qëllim identifikimin e vendndodhjes të veprimtarisë së re.

Njoftimi dhe kërkesa për të paguar mund të bëhet edhe në rrugë elektronike.

Nuk është më detyrim pagesa e kamatëvonesës, në rastet e apelimit/ankimimit.

Deklarim i pasaktë konsiderohet edhe rasti kur, si rezultat i një kontrolli tatimor, bëhet rivlerësim në ulje i tepricës kreditore të tatimpaguesit. Në këtë rast, tatimpaguesi penalizohet me gjobë 20% të diferencës ndërmjet tepricës kreditore të deklaruar me tepricën kreditore që duhej deklaruar.

Nëse një person juridik nuk njofton administratën tatimore lidhur me ndryshimet e pronësisë, ai është përgjegjës dhe dënohet, si më poshtë vijon:

– 15% të vlerës së tregut të aktiveve të trajtuara si me ndryshim pronësie;

– 5% të vlerës së tregut të aksioneve ose interesave të ngjashme që u ka ndryshuar pronësia.

Në rastet e kundërvajtjeve në lëshimin e faturave tatimore, dëftesave tatimore dhe dokumentimin e transaksioneve, nëse tatimpaguesi pranon vlerësimin tatimor dhe e paguan detyrimin, gjoba zbritet me 30%.

Në çdo rast, shuma e gjobës që zbatohet për bankat kur ato nuk bllokojnë llogaritë e tatimpaguesit sipas kërkesës së administratës tatimore, nuk mund të jetë më e madhe se shuma e kërkuar për t’u bllokuar.

Parashikohen penalitete, si për shitësin ashtu edhe për blerësin, nëse kryejnë transaksione me subjekte në statusin “Pasiv”

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of