Tatimet ndajnë te ardhurat personale që tatohen dhe ato që përjashtohen nga tatimi

20/02/2018 2:52 PM 0 komente

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve publikoi një material ku sqarohen të ardhurat personale që tatohen dhe ato që nuk tatohen

Të ardhurat e tatueshme janë si më poshtë:

  • Pagat dhe shpërblimet e tjera, në lidhje me marrëdhëniet aktuale të punës; Përjashtohen të ardhurat nga pagat dhe shpërblimet për marrëdhëniet e punës të zyrtarëve të konsullatave, diplomatët, ose funksionarë të ngjashëm të vendeve të tjera, si dhe të organizatave ndërkombëtare, të cilët, gjatë kryerjes së funksioneve të tyre zyrtare në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me konventat ose marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara, ose të pranuara nga Republika e Shqipërisë apo Qeveria Shqiptare, kanë statusin e diplomatit.

Nuk i nënshtrohen përjashtimeve të këtij paragrafi individët, shqiptarë apo të huaj, të cilët nuk gëzojnë statusin e diplomatit, të njohur nga konventa apo marrëveshjet ndërkombëtare për këtë qëllim;

  • Të ardhurat që rrjedhin nga fitimi i ortakut apo i aksionerit në shoqërinë tregtare;
  • Të ardhurat nga interesat bankare apo ato të përfituara nga letrat me vlerë, me përjashtim të interesave të marra nga bonot e thesarit ose letra të tjera me vlerë të Qeverise të emetuara para hyrjes në fuqi të këtij ligji;
  • Të ardhurat që rrjedhin nga e drejta e autorit dhe pronësia intelektuale;
  • Të ardhurat nga enfiteoza, huaja dhe qiratë, me përjashtim të rasteve, kur të ardhurat janë realizuar nga zhvillimi i një veprimtarie tregtare, në kuptim të legjislacionit tregtar;
  • Të ardhurat nga kalimi i së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme;
  • Të ardhurat e individëve nga lojërat e fati dhe kazinotë.
  • Të ardhurat e realizuara nga diferenca ndërmjet çmimit të shitjes dhe çmimit te blerjes së kuotave ose aksioneve, që një ortak ose aksoiner zotëron dhe ja shet një personi tjetër;
  • Të ardhura të tjera, të realizuara nga individë rezidentë ose nga persona jorezidentë, por me burim në Republikën e Shqipërisë.
  • Të ardhurat në formë monetare për shtimin e kapitalit me burime nga jashtë shoqërisë, që nuk janë të tatuara më parë, ndërkohë që kanë qenë objekt tatimi dhe që nuk janë të shoqëruara me dokumente zyrtare, që vërtetojnë origjinën e këtyre të ardhurave. Procedurat përcaktohen me udhëzim të Ministrit të Financave.

Të ardhura të patatueshme

  • Të ardhurat e përfituara si rezultat i sigurimit në skemën e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, si dhe ndihmat ekonomike për individët pa të ardhura ose me të ardhura të ulta, sipas përcaktimeve në legjislacionin përkatës ne fuqi.
  • Bursat e nxënësve dhe të studentëve.
  • Shpërblimet e marra në raste sëmundjesh, fatkeqësish, në përputhje me dispozitat e legjislacionit përkatës në fuqi.
  • Të ardhurat e përfituara, përfshirë të ardhurat në formë monetare ose në natyrë, nga pronarët si shpërblim për shpronësimet që i bëhen nga shteti për interesa publike.
  • Të ardhurat që përjashtohen në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara nga Kuvendi i Shqipërisë.
  • Të ardhurat e përfituara si rezultat i kompensimit financiar, për ish-pronarët dhe ish të dënuarit politikë.
  • Kontributet e bëra nga punëdhënësi për sigurimin e jetës dhe të shëndetit të punëmarrësve.
  • Përfitimet për dëmshpërblime, të marra nëpërmjet vendimeve të formës së prerë të gjykatave, si dhe kompensimet e caktuara për kostot gjyqësore.
  • Të ardhurat e përfituara nga institucionet shtetërore për arritjet në shkencë, sport, kulturë.
  • Kalimi i së drejtës së pronësisë mbi tokën bujqësore nga një fermer i regjistruar te një fermer apo person fizik a juridik që kryen aktivitet bujqësor është i përjashtuar nga tatimi mbi të ardhurat personale Këshilli i Ministrave përcakton kushtet dhe procedurën që garanton mosndryshimin e destinacionit të tokës së blerë.
  • Kontributi i bërë nga çdo anëtar i një fondi të pensionit vullnetar deri në masën e përcaktuar në ligjin për fondet e pensionit vullnetar, si dhe kontributet e bëra nga punëdhënësi ose çdo kontribuues tjetër, në emër dhe për llogari të anëtarit të fondit të pensionit vullnetar.
  • Kthimi i investimit, përfshirë fitimet nga kapitali prej investimeve të kryera me asetet e fondit të pensioneve, gjatë administrimit nga shoqëria administruese.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of