Tatimet në shtator, vetëm 11 milionë euro më shumë në buxhet; ngec rimbursimi TVSH-së

06/10/2015 4:03 PM 0 komente

Ndonëse financat u “mburrën“ se xhiro ditore e raportuar në shtator u rrit me 100 milionë euro, kjo është përkthyer vetëm në 11 milionë euro më shumë të hyra në buxhet për këtë muaj, duke zbehur entuziazmin se aksioni i fortë antiinformalitet do të përkthehet në një rritje të lartë të të ardhurave…

Në shtator, muajin e sulmit ndaj informalitetit, tatimet kanë arritur të mbledhin 15.23 miliardë lekë, rreth 24 milionë lekë më pak në raport me planin e rishikuar, sipas të dhënave paraprake ditore të Ministrisë së Financave.
Në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, tatimet kanë arritur të arkëtojnë 11% më shumë të ardhura, apo rreth 1.5 miliardë lekë (10.8 milionë euro më shumë). Në shtator të një viti më parë, të ardhurat nga tatimet ishin 13.7 miliardë lekë.
Pak ditë më parë, ministri i financave pohoi se xhiro ditore e raportuar në shtator u rrit me 100 milionë euro. Nga të dhënat rezulton se i gjithë aksioni antiinformalitet, që fillimisht u përqendrua te biznesi i vogël, është përkthyer vetëm në 11 milionë euro më shumë të ardhura në buxhet për këtë muaj, duke zbehur entuziazmin se aksioni i fortë antiinformalitet do të përkthehet në një rritje të lartë të të ardhurave dhe duke vënë në pikëpyetje eficiencën e këtij aksioni. Që në fillim ekspertët pohuan se përqendrimi te biznesi i vogël nuk do të sillte më shumë të ardhura në buxhet.
Shuma e shtuar në buxhet është sa 0.4% e totalit të të ardhurave që pritet të mblidhen këtë vit, sipas buxhetit të rishikuar.
Ndonëse në periudhën korrik-shtator janë regjistruar mbi 20 mijë biznese të reja, kjo ka sjellë një shtim minimal të të ardhurave në buxhet. Financat shpresojnë se efektet e aksionit anti-informalitet do të ndihen në muajt në vijim.

Ngec rimbursimi i TVSH-së
Ndërsa rimbursimi i TVSH-së eci me ritme positive në fillim të vitit, shtatori ka sjellë një përkeqësim të situatës, që ishte paralajmëruar dhe nga bizneset, që po ankohen shpesh së fundmi për ndadalësim të ndjeshëm të rimbursimeve.
Sipas të dhënave paraprake, janë rimbursuar vetëm 745 milionë lekë, apo vetëm 57.3% e planit të shtatorit 2015. Një vit më parë, bizneseve u ishte rimbursuar mbi 1 miliard lekë TVSH.

1. Realizimi në DPT
a) Realizimi i mbledhjes së të ardhurave neto total :
Plani i muajit Shtator 2015: 15,235 milionë lekë.
Realizimi deri 30.09.2015: 15,211.2 milionë lekë, 99.8 %
Mungesa: 23.8 milionë lekë

Krahasuar me Shtator 2014:
– Realizimi i mbledhjes së të ardhurave neto total:
– Realizimi Shtator 2015: 15,211.2 milionë lekë,
– Realizimi Shtator 2014: 13,738 milionë lekë
Tepricë: 1,473.2 milionë lekë.
Realizimi 99.8 kundrejt planit
110.7 % kundrejt Shtator 2014

– Rimbursimi i kryer
Realizimi Shtator 2015: 745.1 milionë lekë
Realizimi Shtator 2014: 1,034.6 milionë lekë
Mungesë 289.5 milionë lekë
Realizimi: 57.3 % kundrejt planit, 72 % kundrejt Shtator 2014

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of