Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve nëpërmjet një vendimi teknik ka përcaktuar se, Organizatat Jo Qeveritare do të përjashtohen nga TVSH-ja për vetëm 5 aktivitete në vit.
Tatimet sqarojnë se, manifestimet e kryera nga organizatat jofitimprurëse për qëllime bamirësie ose mbështetje të shtresave në nevojë” sipas ligjit “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, përcakton se, furnizimi i shërbimeve dhe mallrave, veprimtaria e të cilave përjashtohet nga TVSH-ja, në raste të manifestimeve ose organizimeve për mbledhje fondesh ekskluzivisht për qëllime bamirësie ose në funksion të përmbushjes së qëllimit të veprimtarisë jofitimprurëse të organizatës, përjashtohen nga TVSH-ja nëse numri i këtyre manifestimeve nuk kalon 5 (pesë) të tilla në vit.
Nëse organizohen më shumë manifestime të tilla, përjashtimi nga TVSH-ja aplikohet për të ardhurat e mbledhura vetëm për 5 (pesë) manifestime, sqarojnë tatimet nëpërmjet vendimit teknik.
Gjate ushtrimit te veprimtarisë për të cilën janë krijuar, organizatat jofitimprurëse, fondacionet, njësitë e zbatimit te projekteve, entet publike kombëtare e vendore, organizatat politike dhe organet e tjera të ngjashme me to, mund të kryejnë furnizim mallrash apo shërbimesh si dhe të marrin pagesa për arsye të tjera të ndryshme.
Në këto raste ato lëshojnë faturë të thjeshtë tatimore, me përjashtim të rasteve kur në bazë të legjislacionit tatimor në fuqi janë të detyruar të lëshojnë faturë me TVSH. Çdo tatimpagues, është i detyruar të mbajë regjistrat, librat dhe skedarë elektronikë ose manualë që përmbajnë informacionin financiar të regjistruar në mënyrë kronologjike dhe sistematike të veprimeve tregtare të tatimpaguesit, në përputhje me legjislacionin për kontabilitetin dhe legjislacionin tatimor.
Tatimet sqarojnë se, pavarësisht formës juridike të organizimit, një nga detyrimet që ju lind është dhe llogaritja, mbajtja, dhe kontabilizimi i të gjitha transaksioneve që kryhen nga kompania juaj bazuar kjo në ligjin Nr 9228 datë 29.04.2004 “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.