Në një takim të posaçëm, Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, znj.Vasilika Vjero, dhe zëvendësministrja e Financave, znj.Irena Beqiraj, u njohën me treguesit e performancës së administratës tatimore për periudhën Janar-Maj 2017. Duke analizuar treguesit në raport me një vit më parë, Drejtoresha e Përgjithshme, znj. Vjero, vlerësoi rritjen dhe realizimin e planit të të ardhurave në masën 104%. Ajo vuri theksin dhe kërkoi vazhdimin e punës në mënyrë sistematike me qëllimin për të siguruar një rritje progresive e të qëndrueshme nga muaji në muaj.
Ndërkaq, zëvendësministrja e Financave, znj. Irena Beqiraj, u shpreh se administrata tatimore si një shtyllë kyçe në forcimin e ekonomisë së vendit, në këta 5 muaj, ka përmirësuar ndjeshëm treguesit e performancës. Ajo vuri theksin në vijimin e zbatimit të planit ekonomik të qeverisë si dhe politikave të saj, duke theksuar se nisma e fundit e qeverisë për uljen e TVSH-së për strukturat akomoduese nga 20 në 6% do t’i japë një hov të ri zhvillimit të ekonomisë në vend.
Të ardhurat neto të realizuara nga administrata tatimore në 5-mujorin e parë të vitit janë në vlerën 89.7 miliardë lekë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.