Tatimi mbi Vlerën e Shtuar është mbledhur në masën 70.1 miliard lekë gjatë periudhës janar-gusht 2013, gati 10 miliard më pak se sa pritej dhe 8.2 përqind më pak në terma vjetorë, sipas burimeve nga financat. Ky është tatimi që ka kontribuar më shumë në ecurinë jo pozitive të të ardhurave buxhetore gjatë këtij viti, duke qënë se nga 16 miliard lekë të munguara kundrejt buxhetit fillestar 2013, rreth 10 miliard lekë vijnë nga mosrealizimi i të ardhurave nga TVSH.
Burimi: Ministria e Financave
Për TVSH-në e mbledhur nga Administrata Doganore, grup-malli me ndikim më të madh është kapitulli 27 (naftë, energji elektrike), si pasojë e rënies së importit të energjisë elektrike me rreth 76 përqind kundrejt periudhës janar-gusht 2012. TVSH e mbledhur nga energjia elektrike ka qenë 2.6 miliard lekë më pak se një vit më parë.
Efekti në të ardhura i përjashtimit nga TVSH i makinerive, pajisjeve dhe hekur-çimentos raportohet të jetë rreth 500 milion lekë (duke përfshirë dhe mbylljen e skemës për shtyrjet e TVSH-ve të dhëna gjatë vitit 2012), efekt negativ ky i politikës tatimore së ndërmarrë në fillim të vitit 2013.
Për TVSH e mbledhur nga Administrata Tatimore mbi transaksionet e brendshme (nga të dhënat e DPT), rezultojnë me një pagesë të ulur ndjeshëm krahasuar me një vit më parë, sektorët: ndërtim (rrugë dhe objekte), telekomunikacion, shërbime dhe prodhim.
Administrata Tatimore ka rimbursuar TVSH në shumën rreth 5.9 miliard lekë, kundrejt 4.6 miliard lekë të rimbursuar një vit më parë për të njëjtën periudhë. Rritja e shifrës së rimbursimit të TVSH nga njëri vit në tjetrin, ka ndikuar në treguesin e të ardhurave neto faktike që Administrata Tatimore derdh në Buxhetin e Shtetit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.