Tatimet: Sa janë detyrimet e bizneseve dhe si po ecet me fshirjen

17/09/2017 8:05 AM 0 komente

Drejtoria e Tatimeve ka pohuar në një prononcim për “Monitor” se publikimi i listës së tatimpaguesve, për të cilët administrata ka ndërmarrë hapat ligjorë të mbledhjes së detyrimeve, ka qëllim kryesor që personat e tretë të marrin dijeni për fillimin e këtyre procedurave, kur zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme apo të regjistrit të barrës siguruese gjithashtu, të mos lejojnë kryerjen e transaksioneve për transferimin e pasurive të tatimpaguesve debitorë.
Tatimet pohojnë se detyrimi aktual, që bizneset i kanë shtetit, ka zbritur në 78 miliardë lekë.

 

Sa është totali i detyrimit që kanë 18,500 bizneset dhe sa për qind të këtij detyrimi vlerësoni se është i mbledhshëm?

Lista që publikohet në faqen zyrtare të DPT-së, në lidhje me tatimpaguesit që kanë detyrime tatimore, është dinamike me bazë raportimi mujor, por edhe në historikun e këtij raportimi në sistemin elektronik tatimor.

Kështu, sipas sistemit, detyrimet në përgjigje të pyetjes suaj, janë rreth 78 miliardë lekë, por në këtë shifër, përfshihen edhe detyrime të papaguara, por që janë objekt i ligjit të fshirjes, i cili i shtrin efektet vepruese deri më 31 dhjetor të këtij viti, pra kjo vlerë do të reduktohet nga aplikimi automatik i fshirjes së disa lloje detyrimesh;

Në këtë shifër përfshihen gjithashtu edhe detyrimet të cilat janë në proces ankimi administrativ, efektivisht të siguruara nga garancitë bankare. Së fundi, ndikim në këtë situatë debish japin edhe detyrimet që lidhen me akcizën, por që aktualisht mblidhen nga administrata doganore.
Publikimi i listës së këtyre tatimpaguesve, për të cilët administrata ka ndërmarrë hapat ligjorë të mbledhjes së detyrimeve, ka qëllim kryesor që personat e tretë të marrin dijeni për fillimin e këtyre procedurave, kur zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme apo të regjistrit të barrës siguruese gjithashtu, të mos lejojnë kryerjen e transaksioneve për transferimin e pasurive të tatimpaguesve debitorë..

Sa është detyrimi që është fshirë ndërkohë nga amnistia që po vijon?

Detyrimet e fshira deri në këtë periudhë, përkojnë me fazat që po kalojmë në ndjekje të njëra–tjetrës. Fillimisht përfundoi si proces ai që kishte të bënte me grupin e detyrimeve të regjistruara e të kontablizuara deri në fund të vitit 2010; kjo ishte në fakt një falje “zbatueshmërisht automatike”. Shuma totale e këtij grupi raportohet në 14,6 miliardë lekë detyrime të prapambetura e të falura, ku rreth 37% e tyre janë administruar në Drejtorinë Rajonale Tatimore të Tiranës. Po kështu është aplikuar edhe fshirja e gjobave për mosdeklarimin në afat. Tatimpaguesit kishin kohë për të kryer deklarimet e vonuara deri në fund të muajit qershor të këtij viti. Interesi nga tatimpaguesit ka qenë dhe i janë përgjigjur pozitivisht njoftimeve të administratës për të ushtruar këtë të drejtë dhe lehtësi që ky ligj ju ofron.
Ashtu si edhe përmendëm më sipër, ky është një proces i vazhdueshëm ndaj edhe raportimi final do të vijë në përfundim të procesit të fshirjes së detyrimeve në fund të vitit 2017.

Si ndahet detyrimi sipas rretheve dhe Drejtorisë së Tatimpaguesve të Mëdhenj?

Duke qenë se çdo drejtori rajonale ka regjistrin e saj të debitorëve, pesha specifike për secilën prej tyre, kundrejt totalit të detyrimeve të papaguara, është në kohezion me vetë numrin e tatimpaguesve gjithsej, por edhe tatimet e mbledhura nga çdo drejtori.
Kështu, peshën më të madhe në vlerën e detyrimeve e zënë subjektet e Drejtorisë Rajonale të Tatimpaguesve të Mëdhenj, 38%, më pas vjen Drejtoria e Tiranës, e cila në fakt ka një numër absolutisht më të madh të tatimpaguesve, me 35,6%, Durrësi rreth 5%, e kështu me radhë të tjerat në rend zbritës, me më pak detyrime.

Shumë prej bizneseve në listë rezultojnë tashmë të falimentuar. Si veprohet në këto raste për mbledhjen me forcë të detyrimit (nëse subjekti nuk ekziston ose drejtuesit e saj nuk gjenden në Shqipëri).

Duhet thënë që në fillim që, për çdo hap që administrata tatimore ndërmerr për mbledhjen e detyrimeve tatimore të papaguara, është e detyruar të ndjekë atë çfarë kanë parashikuar procedurat tatimore në Shqipëri. Në tërësinë e tyre, këto procedura janë të zbatueshme pavarësisht një statusi të ndryshuar të një tatimpaguesi debitor, qoftë ai edhe në falimentim, apo i falimentuar.

Për këta të fundit, ka një unifikim të bazës ligjore që lidhet me falimentin me atë të procedurave tatimore.
Së pari, administrata tatimore, në të tilla raste gjendet në pozicionin e kreditorit dhe ajo paraqet pranë Gjykatës kërkesën në të cilën mbështet me prova ekzistencën e një detyrimi të maturuar dhe të papaguar tatimor, si dhe paaftësinë paguese të tatimpaguesit debitor.
Përveç kësaj, paralelisht ne kemi publikuar listën e tyre që në fakt është pothuaj e papërfillshme, pra rreth 130-140 tatimpagues dhe të cilët ende nuk janë në kushtet e statusit të të falimentuarit.

Procesi i falimentimit është në varësi të ecurisë së tij në gjykata dhe kuptohet që sidomos në rastet që kanë të bëjnë me mbledhjen e tatimeve, ndërlidhen edhe me qëndrimin e çdo tatimpaguesi në rolin e debitorit. Sipas ligjit të falimentimit, administrata tatimore cilësohet ndër kreditorët preferencialë. Në çdo rast që do të disponojmë një vendim të formës përfundimtare të gjyqësorit, ne do të veprojmë sipas hapave të parashikuara në ligjin e falimentimit, kuptohet deri në moscenimin e atyre të drejtave pasurore apo jetike të çdo tatimpaguesi.

Sa është borxhi i krijuar rishtazi këtë vit?

Për vitin 2017, është regjistruar një shumë detyrimesh prej 27 miliardë lekësh, e cila krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ka një diferencë prej 35,191,761 mijë lekësh më pak se vitin e kaluar, ose e shprehur në përqindje, 44% më pak.
Nisur nga metodikat e mbledhjes së detyrimeve, këta tatimpagues janë përfshirë në procese marrëveshjeje me administratën dhe efektivisht arkëtimet po kryhen të skeduluara, sipas aftësisë paguese, por jo më larg se afati që përcaktojnë procedurat tatimore.

monitor 796.inddSi po funksionon Drejtoria e re e Mbledhjes me Forcë të borxhit dhe sa rezultat ka dhënë ajo?

Drejtoria e Mbledhjes me Forcë është pozicionuar si funksion kyç në strukturën e re organizative të administratës tatimore.
Ajo është e shtrirë e funksionale efektivisht, në 14 drejtoritë rajonale tatimore, si dhe qendrës në DPT që udhëheq metodikisht plotësimin e programeve operacionale të secilës drejtori rajonale. Ajo ushtron funksionet në 14 Drejtoritë Rajonale Tatimore. Kjo drejtori është mbështetur me burime njerëzore, si dhe janë përmirësuar sistemet operative.

Metoda e marrëveshjes administratë-tatimpagues është konsideruar si më praktikja, duke pasur parasysh respektimin e hapave ligjorë.

Ndërkohë që drejtime të tjera ku orientohet funksioni i mbledhjes së detyrimeve të papaguara janë ato që kanë të bëjnë me:

– analizat për burimin e krijimit të detyrimeve të papaguara

– mbikëqyrja dhe ndjekja me masa shtrënguese e këtyre detyrimeve

– analizë risku për mbledhjen e detyrimeve të papaguara

– analizë për parandalimin e formimit të borxhit të ri tatimor

– analizë ligjore për masat e ndjekura dhe përcaktimi i tyre si i pambledhshëm

– bashkëpunim me sektorët e tjerë operacionalë brenda organit

– bashkëpunim me të tretët për të maksimizuar mbledhjen e borxhit tatimor

– realizimi i të gjithë hapave proceduralë për mbledhjen e detyrimit tatimor të papaguar.

Drejtoria e Mbledhjes me Forcë ka miratuar Manualin për zbatimin e procedurave të mbledhjes së detyrimeve tatimore të papaguara në afat.

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz