Muaji korrik shënoi rezultate rekord në mbledhjen e të ardhurave në 23 vite, si dhe me vlerën më të lartë të TVSH-së së rimbursuar.
Performanca e lartë e Administratës Tatimore paraqitet me mbledhjen në total të mbi 16 miliardë lekëve, e cila në raport me planifikimin e mbledhjes së të ardhurave është rreth 10.8% më e lartë ose rreth 1.56 miliardë lekë më shumë.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2013, ku totali i të ardhurave të mbledhura ishte 14.4 miliardë lekë, kjo shifër tregon një rritje prej më shumë se 11% ose rreth 1.6 miliardë lekë. TVSH-ja e rimbursuar gjatë muajit Korrik në vlerën prej rreth 1.5 miliardë lekë, është vlera me e lartë historike e rimbursimit të saj.
Të ardhurat e mbledhura për muajin Korrik 2014, sipas zërave kryesore:
– Kontribute të Sigurimeve Shoqërore, janë mbledhur 5.9 Miliardë Lekë ose rreth 716 Milionë Lekë më shumë se muaji Korrik 2013, duke realizuar një rritje prej 13.75 % më shumë se kjo periudhë e mëparshme. Krahasuar me planifikimin e mbledhjes së të ardhurave kjo shifër është 1.23% më e lartë.
– TVSH, janë mbledhur 2.98 miliardë lekë ose rreth 977 milionë lekë më shumë se planifikimi i parashikuar për këtë muaj. E shprehur në % kjo shifër është rreth 49 % më shumë se planifikimi. Krahasuar me Korrik 2014, janë mbledhur rreth 396 milionë lekë apo mbi 15.34% më shumë TVSH. Po kështu, rimbursimi i TVSH-së për muajin Korrik 2014 është rreth 1.5 miliardë lekë, ose rreth 91.5 % më shumë se rimbursimi i muajit Korrik 2013.
– Tatim mbi Fitimin, gjatë muajit Korrik janë mbledhur 1.43 miliardë lekë, 46.6% më shumë ose rreth 455 milionë lekë më shumë se muaji Korrik 2013. Kundrejt planifikimit të mbledhjes së të ardhurave kjo shifër është 2.17 % më e lartë.
Realizimi i të ardhurave të pritshme për 7 mujorin, Janar – Korrik 2014, tregon rritje prej 13.11% krahasuar me Janar – Korrik 2013, me një total 101 miliardë ose mbi 11.7 miliardë lekë më shumë.
Totalin e të ardhurave të mbledhura më shumë për këtë periudhë, e përbëjnë më shumë se 1.6 miliardë lekë ose 8.71% më shumë TVSH, rreth 3.17 miliardë lekë ose 33.6% më shumë Tatim mbi Fitimin, rreth 3.3 miliardë lekë më shumë ose 10.17 % më shumë Kontribute të sigurimeve shoqërore, etj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.