Pasi Gjykata Administrative rrëzoi vendimin e qeverisë që parashikonte që avokatët do të paguanin TVSH nga zero, tatimet kanë sqaruar mënyrën se si do të veprohet tani. Sipas tatimeve, përfshihet në skemën e TVSH-së, vetëm pasi të plotësojë kriterin e qarkullimit të përcaktuar me Vendim të Keshillit të Ministrave. Aktualisht ky kufi është 5 milionë lekë, ndërsa nga 1 prilli, kufiri do të ulet në 2 milionë lekë.
Sipas njoftimit të tatimeve: “Bazuar në Vendimin e Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë, Nr.00-2017-1809, datё 19.07.2017, i cili ka shfuqizuar pjesërisht aktin administariv VKM nr.953, datë 29.12.2014 “Për dispozitat zbatuese të ligjit nr.92/2014 “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë” në nenin 11, pika 2, për profesionin e avokatit, duke e trajtuar profesionin e avokatit si një veprimtari ekonomike që duhet të përfshihet në skemën e TVSH-së, vetëm pasi të plotësojë kriterin e qarkullimit të përcaktuar me Vendim të Keshillit të Ministrave, si dhe në referencë të ligjit 92/2014 “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në RSH”, i ndryshuar, neni 120 dhe 122.
Tё gjithë subjektet tatimpaguese që janë të regjistruar dhe ushtrojnë profesionin e avokatit, mund t’i drejtohen Drejtorive Rajonale ku ata janë të regjistruar, për të deklaruar në mënyrë individuale, zgjedhjen për të qenë pjesë ose jo e skemës së TVSH-së, në mënyrë që këta të fundit të ndryshojnë përgjegjësinë tatimore për subjektet tatimpagues që ushtrojnë profesionin e avokatit. Ndërkohë, me paraqitjen e tyre pranë shërbimit të tatimpaguesve në DRT përkatëse, do të orientohen për procedurat e mëtejshme që do të ndjekin”, përfundon njoftimi.
TVSH e avokatëve
Në korrik të këtij viti, Gjykata Administrative rrëzoi pjesërisht aktin administrativ, sipas të cilit avokatët do të duhet të paguanin TVSH-në duke filluar nga zero.
Ky vendim erdhi pas padisë që dërgoi në Gjykatën e Lartë, Dhoma Kombëtare e Avokatisë kundër Këshillit të Ministrave, pasi ligji për TVSH-në në pikën 2 të nenit 11 përsa i përket profesionit avokat, në lidhje me vendosjen e kufirit minimal të regjistrimit për TVSH, caktonte se avokatët detyrohen të llogarisin, të deklarojnë dhe të paguajnë TVSH në vleftën 20% të çmimit të shërbimit të kryer, pavarësisht xhiros vjetore të realizuar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.