Një ditë me Tatimet, që kanë filluar një aksion në të gjithë zonat turistike në vend. Deri më tani, vlera totale e shkeljeve është 75.2 milionë lekë. Ndërkohë Tatimet vijojnë aksionin. Shumë bizneseve buzë detit i është vënë dryni
E premtja shënon ditën e fundit të javës për të gjithë administratën, por për inspektorët e hetimit tatimor është një ditë intensive pune. Është ora 9:00 e mëngjesit dhe subjekt kontrolli janë bizneset në Lungomare Vlorë dhe në Radhimë.
Edhe pse fundi i korrikut, sezoni për bizneset në qytetet bregdetare duket i vakët. Në restorantin e parë, ku vetëm dy tavolina ishin të zëna, prania e inspektorëve të hetimit tatimor duket se nuk i shqetëson menaxherët e restorantit.
Procedura e kontrollit për subjektet në bregdet është standarde. Fillimisht, inspektorët kontrollojnë nëse biznesi është i pajisur me kasën fiskale dhe më pas, nëse është lëshuar kupon tatimor për të gjithë klientët e pranishëm në bar-restorant.
Më pas, inspektorët kontrollojnë nëse i gjithë stafi i punësuar është i deklaruar. Ata kërkojnë prej gjithë stafit të pranishëm kartat e identitetit dhe mbajnë shënim të dhënat e secilit për verifikim.
Subjekti i parë rezultoi pa shkelje. I gjithë stafi ishte i deklaruar, tavolinat ishin të pajisura me kupon fiskal dhe sigurisht që edhe kasa ishte aktive.
Megjithatë, puna jo gjithmonë është kaq e lehtë. Inspektorët e hetimit tatimor rrëfejnë se jo rrallëherë iu qëllon që të inspektojnë biznese problematike, te të cilët hasin edhe rezistencë.
Kontrollet në bizneset buzë detit janë njëlloj sfiduese. Që prej datës 22 qershor, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka filluar aksionin në të gjithë zonat turistike të vendit dhe po zbaton një plan masash për sezonin turistik.
Sipas të dhënave të deklaruara nga Tatimet, rreth 3124 subjekteve u është adresuar thirrja për të zbatuar me korrektësi legjislacionin tatimor, ndërsa 2139 të tjera iu është bërë ftesë në mënyrë të personalizuar që të përmirësojnë vetëdeklarimin. Në total, deri më tani janë kontrolluar 5040 subjekte, nga të cilat 2000 janë konstatuar me shkelje. Në total, vlera e shkeljeve për këto 2000 subjekte, sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve është 75.2 milionë lekë.
Më herët, Drejtoria Rajonale Tatimore në Tiranë organizoi më datë 13 qershor, në kuadër të zbatimit të planit të veprimit për sezonin, një takim me operatorë turistikë, përfaqësues të sektorit të hotelerisë dhe restoranteve.
Gjatë takimit, biznesi vlerësoi masën e marrë nga qeveria shqiptare për uljen e TVSH-së për strukturat akomoduese nga 20% në 6%.
Drejtori i DRT Tiranë i ftoi tatimpaguesit të përmirësojnë vetëdeklarimin e qarkullimit dhe të pagesës së TVSH-së, për të gjithë muajt e sezonit turistik. Ai theksoi se tatimpaguesit, të cilët do të reagojnë pozitivisht ndaj kësaj ftese të administratës tatimore që, me deklaratën e TVSH-së së periudhës tatimore maj 2018 dhe në vijim gjatë muajve të tjerë të sezonit, nuk do të jenë objekt i kontrolleve të plota në vend, i vizitave fiskale, i monitorimit të xhiros së realizuar apo i kontrolleve nga zyra.
Ende ka subjekte të paregjistruara në Jug
Drejtoria e Hetimit Tatimor Rajoni Jugor ushton kontroll në zonat bregdetare si Sarandë, Ksamil, Himarë, Dhërmi. Gjatë prezencës së këtyre strukturave hetimore është konstatuar se ka ende tatimpagues, të cilët ushtrojnë aktivitet të paregjistruar apo që nuk lëshojnë kupon tatimor për çdo shitje. Referuar të dhënave të kësaj drejtorie, si rezultat i kontrolleve të ushtruara, u morën masat si më poshtë vijojnë:
– Për subjektin Hirakli Marku, në Ksamil, penalizim për moslëshimin e kuponit tatimor për herë të dytë dhe bllokim i ushtrimit të aktivitetit për 30 ditë kalendarike.
– Për subjektin Mikelo Ahmeti, në Ksamil, hotel i paregjistruar në organet tatimore, bllokim deri në regjistrimin si subjekt me TVSH.
– Për subjektin Shelege Veliaj, në Sarandë, penalizim për moslëshimin e kuponit tatimor për herë të dytë dhe bllokim i ushtrimit të aktivitetit për 30 ditë kalendarike.
– Për subjektin Enver Fataj, në Ksamil, hotel i paregjistruar në organet tatimore, bllokim deri në regjistrimin si subjekt me TVSH.
– Për subjektin Xhimi Sakaj, në Ksamil, hotel i paregjistruar në organet tatimore, bllokim deri në regjistrimin si subjekt me TVSH.
– Për subjektin Panajot Beleri, në Himarë, hotel i paregjistruar në organet tatimore, bllokim deri në regjistrimin si subjekt me TVSH.
– Për subjektin Fatmir Kodhelaj, në Ksamil, hotel i paregjistruar në organet tatimore, bllokim deri në regjistrimin si subjekt me TVSH.
-Për subjektin Rolando Dhima, në Himarë, hotel i paregjistruar në organet tatimore, bllokim deri në regjistrimin si subjekt me TVSH.
– Për subjektin Marie Kokaveshi, në Potam, hotel i paregjistruar në organet tatimore, bllokim deri në regjistrimin si subjekt me TVSH.
– Për subjektin Spiridhula Dhimaleksi, në Himarë, hotel i paregjistruar në organet tatimore, bllokim deri në regjistrimin si subjekt me TVSH.
– Për subjektin Roland Braho, në Sarandë, hotel i paregjistruar në organet tatimore, bllokim deri në regjistrimin si subjekt me TVSH.
Në rajonin qendror, më shumë se gjysma e bizneseve me shkelje
Drejtoria e Hetimit Tatimor Rajoni Qendror, po ushtron kontrolle të detajuara ndaj subjekteve, që kanë veprimtari ekonomike në zonat turistike të Qarkut të Durrësit dhe Korçës, përkatësisht nga Gjiri i Lalëzit në Spille dhe nga Pogradeci, në Dardhë e Voskopojë.
Duke filluar nga data 22 qershor, strukturat e specializuara hetimore të kësaj drejtorie kanë verifikuar në total 680 subjekte. Nga këto, për 397 subjekte janë marrë masa me një vlerë prej rreth 12.6 milionë lekësh.
Më konkretisht: “për moslëshim kuponi hera parë” janë konstatuar 101 shkelje; për “moslëshim kuponi hera dytë”, janë konstatuar 5 shkelje, për të cilët është marrë edhe masa e bllokimit 30 ditë; për “punonjës të padeklaruar” janë konstatuar 59 shkelje; për “mall pa faturë tatimore” (rivlerësim dhe ndryshim përgjegjësie) janë konstatuar 87 shkelje, ndërsa 33 subjekte kanë rezultuar të paregjistruara në organet tatimore.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.